Bashkimi Evropian ka shtuar sanksionet kundër Iranit për shkak të mbështetjes së Teheranit ndaj Rusisë në luftën me Ukrainën, ka thënë të hënën Komisioni Evropian.
Komisioni ka thënë se e ka shtuar Linjën e Dërgesave të Republikës Islamike të Iranit (IRISL) dhe drejtorin, Mohammad Reza Khiabani, me të tjerë, në listën e të sanksionuarve, raporton Reuters.
Sanksionet e reja janë kundër anijeve dhe porteve të përdorura për transportimin e mjeteve ajrore pa pilotë (UAV), raketave dhe teknologjive e komponentëve të lidhur me të. Në to përfshihet ndalimi i çdo transaksioni me portet në pronësi, të operuara ose të kontrolluara nga individët dhe subjektet e sanksionuara.
Drejtori menaxhues i Organizatës së Porteve dhe Detit të Iranit, Ali Akbar Safaei i ka dënuar sanksionet e reja dhe i ka mohuar “akuzat evropiane” si “të pabaza”, ka njoftuar të hënën agjencia zyrtare e lajmeve e Iranit, IRNA.
BE-ja ka sanksionuar gjithashtu tri firma ruse të transportit - MG Flot, VTS Broker dhe Arapax - për transportimin e armëve iraniane, përfshirë pjesë të dronëve, përmes Detit Kaspik për t’i rifurnizuar trupat ruse në Ukrainë.
Britania gjithashtu i ka shtuar sanksionet ndaj linjave ajrore dhe kompanive të dërgesave të hënën, masa të marra kundër veprimit të Iranit: transportimit të raketave balistike në Rusi, sipas Reuters.
Kompania shtetërore, Iran Air dhe Linjat e Dërgesave të Republikës Islamike të Iranit (IRISL) do të përballen me ngrirje të aseteve për rolin e tyre në furnizimin e Rusisë me armë për përdorim në fushëbetejën me Ukrainën, sipas Britanisë.
“Përpjekjet e Iranit për ta kërcënuar sigurinë globale janë të rrezikshme dhe të papranueshme”, ka thënë Sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy. “Ne e përsërisim thirrjen tonë ndaj Iranit që ta ndërpresë mbështetjen e luftës së paligjshme të Rusisë në Ukrainë”.
Sanksionet do të kufizojnë më tej shërbimet ajrore të drejtpërdrejta komerciale të Iran Air-it drejt dhe nga Mbretëria e Bashkuar. Britania e ka sanksionuar gjithashtu anijen ruse të mallrave, PORT OLYA-3 për rolin e saj në transportimin e furnizimeve ushtarake në Rusi.