Botë

BE-ja dënon sulmet ndaj paqeruajtësve të OKB-së në Liban

Josep Borrell

Josep Borrell

Foto: Associated Press

Bashkimi Evropian ka dënuar të hënën sulmet ndaj paqeruajtësve të OKB-së në Liban, dhe hodhi poshtë akuzat izraelite se OKB-ja po i mbante atje për të penguar operacionet ushtarake kundër Hezbollahut.

Pesë paqeruajtës janë plagosur në sulmet që goditën pozicionet e tyre që kur Izraeli filloi një fushatë tokësore kundër grupit militant Hezbollah. Për shumicën e rasteve të plagosjeve janë fajësuar forcat izraelite, raporton AP.

Shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell ka thënë se puna e tyre është shumë e rëndësishme dhe se “është krejtësisht e papranueshme të sulmosh trupat e Kombeve të Bashkuara.”

Izraeli ka përshkallëzuar fushatën e tij kundër Hezbollahut pas një viti shkëmbimesh të sulmeve, ndërkohë që është në luftë edhe me Hamasin në Gaza.

Ofensiva e Izraelit në Gaza ka vrarë mbi 42,000 palestinezë, sipas autoriteteve lokale shëndetësore, të cilët nuk thonë se sa ishin luftëtarë, por thonë se gratë dhe fëmijët përbëjnë më shumë se gjysmën e viktimave. 

Lufta ka shkatërruar zona të mëdha të Gazës dhe ka zhvendosur rreth 90% të popullsisë së saj prej 2.3 milionë banorësh.

Kanë kaluar më shumë se një vit që kur militantët e udhëhequr nga Hamasi sulmuan Izraelin jugor duke vrarë rreth 1200 njerëz, kryesisht civilë dhe duke rrëmbyer 250 të tjerë. 

Ata ende mbajnë rreth 100 robër brenda Gazës, një e treta prej të cilëve besohet se kanë vdekur.