Ambasadorët nga vendet anëtare të BE-së kanë rënë dakord në parim për të shfrytëzuar fitimet nga asetet e ngrira ruse, për të financuar furnizimet me armë për Kievin.
Në vazhdën e pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, vendet e BE-së ngrinë asete me vlerë qindra miliarda euro, raporton BBC.
Nëse vendimi miratohet në një mbledhje të ministrave të Financave të BE-së të martën e ardhshme, interesi - me vlerë deri në 3 miliardë euro në vit, do të përdoret për të blerë armë për Ukrainën.
Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë me këtë rast se "Nuk mund të ketë simbol më të fortë dhe përdorim më të madh për ato para sesa ta bëjmë Ukrainën dhe të gjithë Evropën një vend më të sigurt për të jetuar".
Komisioneri Evropian i Tregtisë, Valdis Dombrovskis gjithashtu përshëndeti vendimin.
Ai ka thënë se fondet do të duhet të shkojnë në Ukrainë sa më shpejt të jetë e mundur, me këstin e parë prej 1 miliardë eurosh që do të përdoret "kryesisht për mbështetje ushtarake".
"Rusia do të paguajë drejtpërdrejt për krimet e saj”, ka thënë Dombrovskis.
Në fillim të kësaj jave, kancelari gjerman Olaf Scholz ka thënë se rreth 90% e të ardhurave nga asetet e ngrira ruse duhet të shpenzohen për blerjet e armëve për Ukrainën.
Vlera e aseteve të ngrira ruse vetëm në BE vlerësohet të jetë pothuajse 211 miliardë euro.
Shumica e fitimeve nga aktivet mbahen aktualisht në Euroclear, një shtëpi kleringu me bazë në Belgjikë.
Shpronësimi i fitimeve ka qenë temë diskutimi mes zyrtarëve të BE-së dhe krerëve të shteteve që nga fillimi i luftës.
Megjithatë, paratë e gatshme nuk ishin përdorur deri më tani sepse anëtarët e BE-së kishin kundërshtuar një taksë prej 25% të vendosur sipas ligjit belg. Belgjika tani ka rënë dakord të heqë dorë nga tatimi.
Kremlini ka thënë më parë se sekuestrimi i interesit nga asetet e ngrira ruse ishte një lëvizje drejt "shkatërrimit të themeleve ligjore të ligjit evropian dhe ligjit ndërkombëtar".