Një burrë, videoja e të cilit frymëzoi një prej udhëheqësve kryesorë të trazirave në Kongres të SHBA-së, kishte migruar në SHBA pas zgjedhjeve të vitit 2020. BBC-ja ka zbuluar se ai dhe gruaja e tij vazhdojnë të inkurajojnë dhunën politike nëpër llogaritë e tyre në rrjetet sociale, një tren që shqetëson ekspertët e ekstremizmit.
Tri ditë pas zgjedhjeve të vitit 2020 në SHBA, ndërsa rezultati ende ishte nën dyshim, një kimist nga Beogradi po bëhej emocional.
I ulur me shpinë nga një mur i bardh, ai ndezi një videokamerë dhe tha mendimet e tij për politikën në SHBA – një vend të cilin nuk e kishte vizituar asnjëherë.
“Përshëndetje sërish nga serbi”, nis ai.
Ai kërkon falje që u emocionua në një video të mëparshme.
“Kisha frikë. Por tash kur ju shoh mijëra prej jush të bëni gjënë e duhur, nuk kam më frikë”, tha kimisti.
Më pas, në ngjarjet që i paraprinë sulmeve në Capitol në SHBA dy muaj pas zgjedhjeve, ai bëri thirrje për sulme kundër zyrtarëve amerikanë të zgjedhjeve.
“Ata duhet të kenë frikë kur i numërojnë fletëvotimet e rreme. Ata duhet të mendojnë, a do të dalin gjallë nga aty?” – thotë serbi. “Po, unë po ju bëj thirrje për dhunë. Nëse kjo është mënyra e vetme, atëherë kujt i intereson?”
Inspirim për planin e 6 janarit
Ai “djali serb” është kimisti Aleksandar Saviq. Nga të gjitha teoritë konspirative që qarkulluan dhe videot në prag të zgjedhjeve presidenciale të SHBA-së në vitin 2020, disi videoja e Saviqit u bë virale në qarqet e krahut të djathtë, duke tërhequr vëmendjen e disa prej njerëzve që më vonë udhëhoqën trazirat e Capitolit më 6 janar të vitit 2021.
Në mesin e tyre shefi ishte Steward Rhodes, kreu i grupit “Oath Keepers”. Historia e videos formoi një pjesë të dëshmisë në gjyqin e Rhodesit, që rezultoi me një vendim fajësie për akuzën për kryengritje.
Sipas dokumenteve gjyqësore, Rhodes e dërgoi videon te një grup në chat ku ishin anëtarët e “Oath Keepers”, së bashku me mesazhin: “Ne tash duhet të bëjmë atë që njerëzit në Serbi bënë kur Milosheviqi vodhi zgjedhjet e tyre...të refuzojmë ta pranojmë dhe të marshojmë në masë në Capitol”.
Rhodes i tha grupit se është “në kontakt direkt” me Saviqin. “Oath Keepers” ishte i gatshëm ta ndiqte planin serb.
Nga revolucioni në trazira
Në videot e tij, Saviq e krahasoi situatën në SHBA me ngjarjet para dorëheqjes së presidentit të Serbisë, Slobodan Milosheviq, në vitin 2000.
Mirëpo, krahasimi nuk ishte aspak i përshtatshëm. Sipas aktivistëve të lëvizjes opozitare të vitit 2000 në Serbi, të cilët i intervistoi BBC-ja, situata është krejt ndryshe.
Njëri madje tha se dy situatat janë “thelbësisht të ndryshme”.
Përmbysja e Milosheviqit në vitin 2000 u bë pas shkatërrimit të luftërave jugosllave. Kishte një kundërshtim të bazuar kundër udhëheqësit të atëhershëm serb, i cili ndryshoi totalin e votave në përpjekje për ta kapur pushtetin. Protestat e mëdha të vazhdueshme kundër sundimit të tij ishin kryesisht paqësore, megjithatë, me sulme të dukshme kundër ndërtesave të televizionit shtetëror dhe Parlamentit.
Mirëpo Saviq në videot e tij u përqendrua në dhunë, duke u thënë mbështetësve të Donald Trumpit të shkonin në kryeqendër të SHBA-së, të sulmonin stacionet televizive dhe qendrat e pushtetit qeveritar, e t’i detyronin ushtrinë dhe forcat e rendit të kapitullonin.
Çuditërisht, ai pretendoi se të gjitha vendet e Evropës Lindore ishin ende në diktatura socialiste dhe paralajmëroi se i njëjti fat do të ishte edhe në SHBA nëse nuk përmbysej me dhunë rezultati i zgjedhjeve.
Videoja e tij pati një ndikim të thellë te udhëheqësi i “Oath Keepers”.
Tri ditë pasi pa videon, Rhodes publikoi një postim në faqen e “Oath Keepers” me titull “Thirrje për veprim! Marshoni në DC, Ndaloni vjedhjen, Mbroni presidentin!”.
“Ne të gjithë duhet të marshojmë në Washington DC dhe të mbështesim e mbrojmë drejtpërdrejt presidentin Trump, ndërsa ai lufton kundër grusht shtetit në vazhdim që po përpiqet të vjedhë zgjedhjet”, ka shkruar ai.
Në postim thuhet se “një patriot nga Serbia, që e do edhe Amerikën, na e ka treguar rrugën”, të ndjekur nga një plan i bazuar në revolucionin e vitit 2000.
Rhodes më pas shpërndau planin e tij te “Oath Keepers” dhe te grupet e tjera në chat.
Prokurori amerikan Jeffrey Nestler u tha anëtarëve të jurisë se ngjashmëria mes postimit të Rhodesit dhe asaj që ndodhi në të vërtetë më 6 janar të vitit 2021 është “shtangëse”.
Migrimi në SHBA
Në ndërkohë, Saviq dhe bashkëshortja e tij ishin duke udhëtuar për në SHBA.
Çifti arriti në SHBA pak kohë pasi u postua videoja. U vendosën në Teksas diku në fillim të vitit 2021, sipas të dhënave të punës dhe postimeve të tyre në rrjete sociale.
Më herët Saviq kishte punuar në Serbi, Slloveni e Francë, pasi doktoroi në kimi në Universitetin e Beogradit.
Puna e tij e fundit në botën akademike ishte në institutin “Jozef Stefan” të Lubjanës.
Kontrata e tij përfundoi në mars të vitit 2020, në kohën kur nisi pandemia e COVID-19.
Gruaja e tij, po ashtu, kishte doktoruar në Universitetin e Beogradit dhe punoi në Universitet të Lilles.
Në Teksas ajo punoi në qendrën “MD Anderson” për kancer deri në qershor të vitit 2022, sipas zëdhënësit të institucionit. Zyrtarët e institucionit kanë refuzuar të komentojnë më tutje, por në rrjete sociale Jovanoiviq dhe Saviq kanë lënë të kuptohet se ajo është larguar nga puna për shkak të kundërshtimit të saj ndaj vaksinave apo për shkak të refuzimit që të marrë një vaksinë kundër-COVID-it.
Thirrjet për dhunë politike
Saviq më herët kishte thënë se ishte larg Washingtonit më 6 janar të vitit 2021. Çifti refuzoi kërkesa të shumta për të dhënë koment në lidhje me këtë.
Por në llogaritë e tyre në rrjete sociale, ata kanë shpërndarë një gamë të gjerë të faqeve, ndërsa postojnë një sërë përmbajtjesh antikomuniste, të ekstremit të djathtë, antivaksinim, antisemitike dhe konspirative. Po ashtu, kanë postuar mesazhe dhe postime kundër LGBTQ e po ashtu flisnin për zemërimet për migracionin e paligjshëm.
Që kur migruan në SHBA, ata kanë vazhduar të flasin edhe për mundësinë – madje edhe domosdoshmërinë – e dhunës politike.
“Nuk do të ketë dhunë = humbje e menjëhershme. Ka potencial për dhunë = fitore e mundshme”, shkroi Saviq në Twitter. “Potenciali për dhunë është ai që e ndërtoi dhe e mbajti qytetërimin. Për disa arsye të çuditshme, perëndimorët e kanë harruar këtë fakt të realitetit”.
Në një faqe në rrjete sociale Jovanoviq ka shpërndarë disa “meme” të cilat duket se bëjnë thirrje për dhunë të drejtpërdrejtë.
Ndonëse çifti ka refuzuar t’u përgjigjet pyetjeve, vitin e kaluar Saviq dha një intervistë për një faqe të krahut të majtë “Talking Points Memo” në të cilën ka mohuar se ka nxitur dhunën, duke thënë se “njerëzit e zemëruar: mund të inspirohen nga çdo gjë “nga librat e deri te muzika rep”.
Ai ka thënë se ishte në kontakt të shkurtër me Rhodesin, gjatë të cilit e ka përsëritur atë që ka thënë në video. Ai ka thënë se nuk është takuar me Rhodesin apo ndonjë anëtar të “Oath Keepers” që kur ka arritur në Teksas dhe as që është marrë në pyetje nga forcat e rendit në SHBA.
Ekspertët thonë se Saviq dhe Jovanoviq janë pjesë e një trendi të gjerë në mesin e përkrahësve të atyre që shkaktuan trazira në Capitol.
“Edhe pasi videoja e tij ndihmoi të inspironte veprimet ilegale të ‘Oath Keepers’ më 6 janar, postimet në rrjete sociale të Saviqit dhe bashkëshortes së tij janë plot me retorika të dhunës dhe antisemitike e teori konspirative për COVID-19”, ka thënë Stephen Piggott, një analist nga “Western States Center”, një organizatë jofitimprurëse që gjurmon grupet ekstremiste.
Departamenti për Siguri i SHBA-së ka refuzuar të komentojë për statusin e vizave të çiftit, duke thënë se nuk mund të komentojë në raste specifike, por ka thënë se autoritetet vazhdojnë të hetojnë ekstremizmin brenda vendit.
Është e paqartë se me çfarë lloj vizash çifti ka arritur në SHBA, por Saviq së fundi ka shkruar për pritjen e tij të gjatë për të marrë vizën e punës në SHBA.
Ata kanë një biznes të fotografive, e vitin e kaluar lansuan një projekt për mësime biblike në “YouTube”, duke ofruar anëtarësi me pagesë nga 5 deri 100 dollarë për nivele të ndryshme të përfshirjes.
Ata thoshin se janë inspiruar për të nisur projektin nga “kolapsi i civilizimit perëndimor”.
Mirëpo, videot që kishin postuar aty, janë fshirë nga YouTube pak kohë pasi çifti u kontaktua nga BBC-ja.
Përktheu: Shkumbin Sekiraqa