Shumë vdekje të migrantëve në ujërat e Mesdheut i atribuohen rojës bregdetare greke, sipas një hulumtimi të kryer së fundmi nga BBC-ja. Dëshmitarë të shumtë kanë rrëfyer për transmetuesin publik britanik se si ishin kthyer prapa nga roja bregdetare e Greqisë, në kushte të rënda, derisa po tentonin të kalonin për në vende të tjera të Evropës. Disa prej tyre madje rrëfejnë se ishin hedhur në det, të lidhur me zinxhir. Autoritetet greke i hedhin poshtë këto pretendime, duke thënë se shumë migrantë janë shpëtuar ndër vite pikërisht nga roja e tyre.
Roja bregdetare greke ka shkaktuar vdekjen e dhjetëra emigrantëve në Mesdhe gjatë një periudhe trevjeçare, kanë thënë dëshmitarët, duke përfshirë nëntë prej tyre të cilët ishin hedhur qëllimisht në ujë.
Të nëntë janë në mesin e më shumë se 40 personave që dyshohet se kanë vdekur si pasojë e dëbimit me forcë nga ujërat greke.
Roja bregdetare greke i ka kundërshtuar të gjitha akuzat për veprimtari të paligjshme.
Qeveria greke është akuzuar prej kohësh për kthime të detyruara - duke i shtyrë njerëzit drejt Turqisë, prej nga kanë kaluar, gjë që është e paligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare.
Por kjo është hera e parë që BBC-ja ka llogaritur numrin e incidenteve ku pretendohet se viktimat janë shkaktuar si rezultat i veprimeve të rojës bregdetare greke.
15 incidentet që janë analizuar - të periudhës maj 2020- maj 2023, rezultuan në 43 vdekje. Burimet fillestare ishin kryesisht mediat lokale, organizatat joqeveritare (OJQ) dhe roja bregdetare turke.
Hulumtimi i cili shfaqet në një dokumentar të ri të BBC-së me titull “Dead Calm: Killing in the Med?”, jep një pamje të qartë.
Në pesë nga incidentet, emigrantët thanë se u hodhën direkt në det nga autoritetet greke. Në katër prej këtyre rasteve ata shpjeguan se si kishin zbritur në ishujt grekë, por u hodhën më pas në det. Në disa incidente të tjera, emigrantët thanë se ishin hipur në gomone të fryrë pa motorë, të cilët më pas u shfrynë, ose dukej se ishin shpuar.
Rrëfime rrëqethëse
Një nga rrëfimet më rrëqethëse u dha nga një burrë nga Kameruni, i cili thotë se u ndoq nga autoritetet greke, pasi zbarkoi në ishullin Samos në shtator të vitit 2021. Si të gjithë njerëzit që u intervistuan, ai ka deklaruar se po planifikonte të regjistrohej në tokën greke si azilkërkues.
“Ne mezi ishim ankoruar dhe policia erdhi nga pas. Ishin dy policë të veshur me të zeza, dhe tre të tjerë me rroba civile. Ata ishin të maskuar, u shihje vetëm sytë”, është shprehur burri.
Ai dhe dy të tjerë - një tjetër nga Kameruni dhe një burrë nga Bregu i Fildishtë, ishin transferuan në një varkë të rojës bregdetare greke, ka treguar ai, ku ngjarjet morën një kthesë të tmerrshme.
“Ata filluan me tjetrin kamerunian. E hodhën në ujë. Burri i Bregut të Fildishtë tha: ‘Më shpëto, nuk dua të vdes… dhe më pas vetëm dora e tij ishte mbi ujë dhe trupi i tij ishte poshtë”, ka rrëfyer ai.
“Ngadalë dora i rrëshqiti poshtë dhe uji e përfshiu”, ka shtuar ai.
I intervistuari i BBC-së thotë se ai ishte rrahur.
"Më goditnin vazhdimisht. Ishte sikur po goditnin një kafshë”, vazhdon ai rrëfimin, duke shtuar se e kanë shtyrë edhe atë në ujë - pa jelek shpëtimi. Ai ishte në gjendje të notonte deri në breg, por trupat e dy të tjerëve - Sidy Keita dhe Didier Martial Kouamou Nana u gjetën në vijën bregdetare turke.
Avokatët e të mbijetuarit po kërkojnë që autoritetet greke të hapin një rast për vrasjeje të dyfishtë.
Në qershor të vitit 2023, një varkë e mbingarkuar rrokulliset përpara një varke patrullimi të rojës bregdetare greke. Më shumë se 600 burra, gra dhe fëmijë vdesin në ujë. Por kush është përgjegjës dhe a ka faj roja bregdetare?
Një tjetër burrë, nga Somalia, i ka thënë BBC-së se si në mars të vitit 2021 ai ishte kapur nga ushtria greke me mbërritjen në ishullin e “Kios”.
Ai ka thënë se roja bregdetare ia kishte lidhur duart pas shpine, përpara se ta hidhte në ujë.
“Më hodhën me zinxhir në mes të detit, donin të vdisja”, është shprehur ai.
Ai ka shtuar se kishte arritur të mbijetonte duke notuar në shpinë, përpara se njëra nga duart e tij të shkëputej nga lidhja. Por deti ishte i trazuar dhe tre në grupin e tij vdiqën. I intervistuari i BBC-së kishte arritur në tokë ku më në fund ishte parë nga roja bregdetare turke.
Në incidentin në shtator të vitit 2022 - një varkë me 85 emigrantë u përplas pranë ishullit grek të Rodosit kur motori i saj u ndal së funksionuari.
Mohamed, nga Siria, ka thënë se kishin thirrur rojën bregdetare greke për ndihmë - e cila i ngarkoi në një varkë, i ktheu në ujërat turke dhe i vendosi në gomone. Mohamed thotë se varka që iu dha atij dhe familjes së tij kishte probleme funksionimi.
"Ne filluam menjëherë të fundoseshim, ata e panë këtë... Ata na dëgjuan të gjithëve duke bërtitur, por megjithatë ata na lanë”, ka thënë ai për BBC-në.
“Fëmija i parë që vdiq ishte djali i kushëririt tim… pas kësaj të tjerët një nga një. Një fëmijë tjetër, një fëmijë tjetër, pastaj vetë kushëriri im. Në mëngjes kishin vdekur shtatë ose tetë fëmijë. Fëmijët e mi nuk vdiqën deri në mëngjes... pak para se të mbërrinte roja bregdetare turke”, ka rrëfyer ai.
Mohimi i së drejtës për azil
Ligji grek u lejon të gjithë emigrantëve që kërkojnë azil të regjistrojnë kërkesën e tyre në disa prej ishujve në qendra të veçanta regjistrimi.
Por të intervistuarit e BBC-së të cilët u kontaktuan me ndihmën e Grupit të Konsoliduar të Shpëtimit për mbështetjen e migrantëve, thanë se ata u kapën përpara se të arrinin në këto qendra. Ata thanë se burrat që i ndalonin vepronin të fshehtë, pa uniformë dhe shpesh të maskuar.
Grupet e të drejtave të njeriut pretendojnë se mijëra njerëz që kërkojnë azil në Evropë janë detyruar të kthehen ilegalisht nga Greqia në Turqi dhe u është mohuar e drejta për të kërkuar azil, gjë që sanksionohet nga e drejta ndërkombëtare dhe ligjet e BE-së.
Aktivisti austriak, Fayad Mulla, ka thënë se e kishte e kishte kuptuar vetë se sa të fshehta duken të jenë operacionet e tilla, në shkurt të vitit të kaluar, në ishullin grek të Lesbos.
Duke vozitur drejt vendndodhjes së një kthimi të dyshuar të detyruar pas një informate, ai u ndalua nga një burrë me kapele - i cili më vonë u zbulua se punonte për policinë. Ai ka thënë se policia më pas u përpoq të fshinte pamjet e ndalimit të tij nga kamera e tij dhe ta akuzonte atë për rezistencë ndaj një oficeri policie.
Dy muaj më vonë, në një vend të ngjashëm, Mulla arriti të filmonte një kthim të detyruar, duke e botuar këtë tashmë në The New York Times.
Një grup që përfshinte gra dhe foshnje u shkarkua nga pjesa e pasme e një furgoni pa shenja dhe u dërguan në një varkë të vogël. Ata u transferuan më pas në një anije të rojës bregdetare greke më larg nga vija bregdetare, u nxorën në det dhe më pas u vendosën në një strukturë të rrafshët e cila do të luante rolin e një varke, ku u lanë të lëviznin.
Ata u shpëtuan më vonë nga roja bregdetare turke.
Kjo pamje, të cilën BBC-ja e ka verifikuar, iu tregua Dimitris Baltakos, ish-shefit të operacioneve speciale në rojën bregdetare greke.
Gjatë intervistës, ai nuk ka pranuar të fliste për atë që tregonin pamjet, pasi kishte mohuar më herët në një bisedë, se roja bregdetare greke kishte bërë ndonjë gjë të paligjshme. Por gjatë një pushimi, ai u dëgjua duke i thënë dikujt jashtë në greqisht: "Nuk u kam thënë shumë, apo jo? Është shumë e qartë, apo jo. Nuk e di pse e bënë atë në mes të ditës... Është... padyshim e paligjshme. Është një krim ndërkombëtar”.
Ministria e Çështjeve Detare dhe Politikave Ishullore e Greqisë i ka thënë BBC-së se pamjet janë duke u hetuar aktualisht nga Autoriteti Kombëtar i Transparencës.
Një gazetare hulumtuese nga ishulli Samos me të cilën BBC-ja ka folur, ka thënë se ajo filloi të bisedonte me një anëtar të forcave speciale greke përmes aplikacionit të takimeve Tinder. Kur i telefonoi asaj nga ajo që ai e përshkruante si një "anije luftarake", gazetarja Romy van Baarsen e pyeti atë më shumë për punën e tij - dhe çfarë ndodhi kur forcat e tij panë një varkë refugjatësh.
Ai u përgjigj se ata "i përzënë prapa", dhe tha se urdhrat e tillë ishin "nga ministri", duke shtuar se ata do të ndëshkoheshin nëse nuk do të ndalonin një varkë.
Greqia gjithmonë e ka mohuar se po ndodhin të ashtuquajturat "kthime prapa”.
Greqia është një pikë hyrjeje në Evropë për shumë emigrantë. Vitin e kaluar, kishte 263,048 mbërritje detare në Evropë, me Greqinë që pati 41,561 apo 16% prej tyre.
Turqia nënshkroi një marrëveshje me BE-në në vitin 2016 për të ndaluar emigrantët dhe refugjatët të kalojnë në Greqi, por bëri të ditur në vitin 2020 se nuk mund ta zbatonte më atë.
BBC-ja ia ka dërguar gjetjet e hulumtimit rojës bregdetare greke. Ajo u përgjigj se stafi i saj “punoi pa lodhur me profesionalizmin maksimal, në ndjenjë të fortë përgjegjësie dhe respekti për jetën e njeriut dhe të drejtat themelore", duke shtuar se janë "në përputhje të plotë me detyrimet ndërkombëtare të vendit".
“Duhet theksuar se nga viti 2015 deri në vitin 2024, Roja Bregdetare Greke ka shpëtuar 250,834 refugjatë/migrantë në 6,161 incidente në det. Ekzekutimi i patëmetë i këtij misioni fisnik është njohur pozitivisht nga komuniteti ndërkombëtar”, thuhet në deklaratën e rojës.
Roja bregdetare greke është kritikuar më parë se ka pasur rol në mbytjen e anijes më të madhe të emigrantëve në Mesdhe për një dekadë. Më shumë se 600 njerëz dyshohet se kanë vdekur pasi
“Adriana” ishte mbytur në zonën e shënuar të shpëtimit të Greqisë, qershorin e kaluar.
Zyrtarët grekë kanë këmbëngulur se anija nuk ishte në telashe dhe ishte në rrugë të sigurt për në Itali, dhe se për këtë arsye roja bregdetare nuk u përpoq ta shpëtonte.
Greqia mohon akuzat për brutalitet me migrantë
Greqia ka mohuar raportin e ri të BBC-së që i akuzon rojat bregdetare të saja që brutalisht i kanë parandaluar migrantët që të arrijnë në brigjet greke.
Zëdhënësi i Qeverisë, Pavlos Marinakis, ka insistuar se nuk ka dëshmi për t’i mbështetur këto pretendime, raporton agjencia “AP”.