Për disa vjet “Panorama” ka hetuar një seri bastisjesh në Afganistan. Këto bastisje kishin ngjashmëri me njëra-tjetrën. Gjatë këtyre bastisjeve u vranë disa afganë
Programi dokumentar i BBC-së “Panorama” ka zbuluar prova shqetësuese të krimeve të luftës nga SAS (Forcat Speciale), në Afganistan, dhe përpjekjet e forcës për t'i fshehur këto krime. Hannah O'Grady e përshkruan se si më në fund u zbulua një seri vrasjesh të supozuara të civilëve. Arritja në fund të kësaj historie përfshinte katër vjet punë të mundimshme detektive.
Vendimtar për këtë ishte një grup email-esh të brendshme nga selia e Forcave Speciale të Mbretërisë së Bashkuar (UKSF), drejtoria ushtarake që mbikëqyr SAS-in. Emailet përmbanin një sërë detajesh në lidhje me bastisjet vdekjeprurëse të klasifikuara më parë, të cilat oficerët e lartë të UKSF-së i kishin konsideruar të dyshimta në vitin 2011. Në atë kohë, trupat britanike po luftonin ende kundër talebanëve, së bashku me aleatët në Afganistan.
Ne e dinim nga burime brenda Policisë Ushtarake Mbretërore (RMP) se hetuesit besonin se vrasjet e dyshimta ishin shumë më të përhapura sesa tri incidentet e paraqitura në programin tonë fillestar.
Por, gjithçka që na duhej të shikonim nga dokumentet e gjykatës ishin dhjetëra data kur ndodhën bastisjet, dhe nganjëherë numri i njerëzve të vrarë. Nuk kishim asnjë mënyrë për të identifikuar se ku kishin ndodhur, vetëm nga dokumentet.
Raportimi i burimit
Hetuesit e RMP-së ishin penguar nga shtabi i forcave të armatosura të vizitonin këto vende. Pastaj patëm një përparim. Një burim, i cili duhet të mbetet anonim, na dorëzoi qindra raporte ushtarake të njëkohshme.
Ata nuk e zbuluan vendndodhjen e saktë të bastisjeve, por ofruan të dhëna potencialisht jetike për atë që kishte ndodhur gjatë secilës. Ne kaluam nëpër qindra nga këto llogari operative.
Pastaj ne kaluam muaj të tërë duke u përpjekur për të gjetur se ku kishin ndodhur.
“Panoramas” iu dha gjithashtu qasje në një regjistër ushtarak amerikan.
Ne folëm me gazetarë që kishin mbuluar konfliktin, duke përfshirë reporterë vendës tepër të guximshëm, si dhe me ushtarë dhe zyrtarë të tjerë britanikë në Afganistan.
Së bashku, kjo i dha “Panoramas” mjaftueshëm për të udhëtuar në Afganistan dhe për të folur me dëshmitarët, të cilët do të jepnin dëshmitë e tyre për herë të parë.
Regjistri ushtarak amerikan na kishte dhënë një referencë të rrjetit të hartës që na çoi në fshatin Nad Ali, në provincën Helmand. Aty ekipi i “Panoramas” takoi Haxhi Habibullahun, burrë karizmatik, rreth të 70-ave, fqinjët e të cilit e trajtuan si të moshuar.
Por sjellja e tij ndryshoi kur përshkroi vrasjen e dy djemve të tij të vegjël 16 dhe 20 vjeç. Duke kujtuar atë që u ndodhi atyre, Habibullah shpërtheu në vaj.
Në orët e para të 7 shkurtit të vitit 2011, djemtë e Habibullahut, Samiullahu dhe Nisar Ahmadi, kishin fjetur në një bujtinë me një dhomë, në ambientet e shtëpisë së familjes. Krahas tyre ishin shtatë vajtues që kishin ardhur në fshat për një varrim.
Pastaj katër helikopterë që mbanin personelin e SAS-it u ulën në fushat aty pranë, dhe së shpejti të nëntë personat në bujtinë vdiqën.
Bastisjet në Afganistan
Sipas llogarisë zyrtare të SAS-it për incidentin, ata kishin besuar se prona ishte e lidhur me një udhëheqës taleban. Ndërsa trupat hynë në kompleks, tha SAS, disa kryengritës hapën zjarr, kështu që SAS më pas qëlloi, duke vrarë ata që ishin në bujtinë. Raporti shton se në bastisje u gjetën tri pushkë AK-47.
Por Habibullah nuk e kujtonte kështu. Të gjithë ata që vdiqën kishin qenë civilë të paarmatosur, tha ai, të palidhur me talebanët.

Ai e çoi ekipin e BBC-së në bujtinë. Ajo ishte kompletuar, kujtimi i vdekjes së djemve të tij e kishte bërë shumë të dhimbshme për ta përdorur përsëri. "Kur i kujtoj ata më dhemb shumë", tha Habibullah.
“Panorama” ekzaminoi bujtinën, duke matur dhe fotografuar shenjat në mure. Fragmentet e atyre që dukeshin si plumba ishin ende të pranishme, të ngulitura në mur.
Të gjitha, përveç një grupi vrima plumbash, ishin në grupe më pak se 75 cm nga dyshemeja.
Pas kthimit nga Afganistani, “Panorama” ia tregoi fotografitë dhe matjet një eksperti të armatimit të UKSF-së, i cili tha se disa fishekë dukej se ishin qëlluar nga lart, gjë që sugjeronte se burrat ishin qëlluar ndërsa ishin shtrirë ose ulur pas murit, dhe jo në një përplasje zjarri.
Për më tepër, Habibullah e përshkroi se si të nëntë burrat ishin qëlluar pastër, në kokë ose në gjoks, një karakteristikë e zakonshme e të shtënave të qëllimshme të SAS-it nga një distancë e afërt.
Bastisja ishte gjithashtu në mënyrë të dyshimtë e ngjashme me një tjetër operacion të SAS-it, që kishim parë në hetimin tonë të vitit 2019, në të cilin të gjithë brenda një bujtine ishin vrarë, duke përfshirë një djalë 12 dhe 14 vjeç, me grupe vrima plumbash të mbetura afër dyshemesë.
Dhe, në të vërtetë, dukej se bujtinat ishin në shënjestër të veçantë, një burim që shërbente me SAS-in në Afganistan na tha se u bë një "politikë" jozyrtare për të vrarë të gjithë ata që hasnin brenda njërës, pavarësisht nëse ishin të armatosur apo jo.
Një tjetër bastisje e vitit 2011, që përputhej me një nga datat në dokumentet e UKSF-së, tërhoqi vëmendjen tonë.
Ngjashmëria e incidenteve
Dy ditë pas incidentit në Nad Ali, tetë persona u vranë nga e njëjta njësi gjatë një bastisjeje në një shtëpi në fshatin Khanano në Musa Qala, në veri të Helmandit. Këtë herë shtatë u qëlluan për vdekje në një bujtinë dhe një tjetër i arrestuar u vra më vonë brenda shtëpisë kryesore.
Ngjashmëritë me incidentet e mëparshme ishin të habitshme. Përsëri, të gjithë në një bujtinë ishin vrarë dhe, sipas SAS-it, u gjetën më pak AK47 sesa numri i njerëzve të vrarë.
Por njerëzit brenda UKSF-së i thanë “Panoramas” se rrëfimi i SAS-it për bastisjen përshkruan një grup ngjarjesh shumë të pamundura. Ne kishim mësuar nga burime të policisë ushtarake se RMP-ja kishte qenë e shqetësuar se modelet e gjakut dhe detajet e tjera në fotot e marra në vendngjarje nuk ishin në përputhje me atë që SAS pretendonte se kishte ndodhur.
“Panorama” udhëtoi për në vendngjarje dhe takoi Mohammad Daudin, 43 vjeç, burrë i qetë dhe i thjeshtë, i cili i kujtonte me detaje ngjarjet e asaj nate. Daudi na tha se dy nga vëllezërit e tij, Mohammad Tahir, i cili ishte 15 vjeç, dhe Abdul Zahir, 25 vjeç, ishin vrarë së bashku me pesë të tjerë që qëndronin në bujtinë.
Daudi tha se pas vrasjeve ai kishte zbuluar se dy nga të vdekurit mund të kenë qenë të lidhur me talebanët. Ai tha se ata ishin të huaj që ishin shfaqur në pragun e tyre duke kërkuar strehim, është një zakon afgan t'u ofrohet udhëtarëve një dhomë.
Rrëfimi i afganit
Por, familja mohoi me forcë që ndonjë nga ata që vdiqën të ishte i armatosur apo që të kishin qëlluar në drejtim të SAS-it.
Sipas Daudit dhe familjes së tij, të shtatë burrat në bujtinë u gjetën të shtrirë të vdekur brenda dhomës. Kjo nuk përputhet me llogarinë e vetë njësisë SAS se personi i parë i vrarë nga SAS kishte qenë jashtë, duke kërcënuar trupat me një pushkë AK. Për këtë mospërputhje ishte shqetësuar edhe policia ushtarake.
SAS kishte pretenduar gjithashtu se kryengritësit ishin pozicionuar pas të vdekurve kur ata qëlluan. Por familja tha se të gjithë kishin plagë me armë zjarri, në pjesën e përparme të trupave të tyre.
Përveç kësaj, familja na tregoi se si plumbat kishin kaluar nëpër shumicën e trupave në shtrat dhe në dyshemenë poshtë tyre. Përsëri, kjo dukej si një seri vrasjesh të forcave speciale nga afër.
Sipas Daudit dhe të tjerëve të pranishëm, trupat më pas kontrolluan emrat e tyre në një listë dhe i kërkuan vëllait të tij, Ahmad Shah, të kthehej brenda dhe të hapte një perde. Shpejt ranë të shtënat dhe Ahmad Shahu vdiq.
Ahmad Shah ndante emrin e tij me liderin e dyshuar të një qelize talebane që prodhonte bomba. Ndoshta trupat nuk ishin në dijeni, por është një emër i zakonshëm në Afganistan. Daudi dhe familja e tij besojnë se masakra në shtëpinë e tyre ishte rezultat i identitetit të gabuar.
Para se ta linim, Habibullah mori ekipin e “Panoramas” për t’i vizituar varret e djemve të tij.
Këto ishin varre të thjeshta, të zbukuruara me flamuj dhe copëza materiale shumëngjyrëshe, afër shtëpisë së familjes. Habibullah bëri një lutje pranë tyre dhe pastaj heshti.
Në një deklaratë të mëtejshme sot, Ministria e Mbrojtjes tha se besonte se “Panorama” kishte dalë në "përfundime të pajustifikuara nga pretendimet që tashmë janë hetuar plotësisht".
"Asnjë hetim nuk gjeti prova të mjaftueshme për të ndjekur penalisht. Të supozosh ndryshe është e papërgjegjshme, e pasaktë dhe e vë në rrezik personelin e guximshëm të Forcave tona të Armatosura, si në terren ashtu edhe në reputacion”.
"Ministria e Mbrojtjes, sigurisht që qëndron e hapur për të shqyrtuar çdo provë të re, nuk do të kishte asnjë pengesë. Por në mungesë të kësaj, ne e kundërshtojmë fuqishëm këtë raportim subjektiv".
Përktheu: Forca Jashari