Botë

Bastisen zyrat e BBC-së në Indi pas publikimit të dokumentarit

Zyrtarët nga departamenti i tatimit mbi të ardhurat e Indisë filluan të kryejnë kontrolle në zyrat e BBC-së në kryeqytet, Nju Delhi, kanë bërë të ditur tre nga anëtarët e stafit të transmetuesit.

Kërkimi vjen disa javë pasi transmetuesi britanik ka publikuar një dokumentar kontrovers që shqyrtonte rolin e kryeministrit, Narendra Modi gjatë trazirave antimyslimane të vitit 2002.

Punonjësit kërkuan të mos identifikoheshin sepse nuk ishin të autorizuar të flisnin publikisht.

India ndaloi dokumentarin me dy pjesë “India: The Modi Question” muajin e kaluar dhe autoritetet u përpoqën të ndalonin shfaqjet e programit dhe të kufizonin klipet e tij në mediat sociale, lëvizje që kritikët dhe kundërshtarët politikë e cilësuan si sulm ndaj lirisë së shtypit.

Ministria e Jashtme e Indisë e quajti dokumentarin “propagandë të krijuar për të nxitur një narrativë veçanërisht të diskredituar” që i mungonte objektiviteti.

BBC-ja në një deklaratë kishte thënë se dokumentari ishte “hulumtuar në mënyrë rigoroze” dhe përfshinte një gamë të gjerë zërash dhe opinionesh.