Botë

Bashkimi i së djathtës ekstreme

Për partitë që mprehin dhëmbët me platforma dhe parulla nacionaliste –– shpesh duke përfshirë sulme frontale ndaj Brukselit dhe BE-së – bashkëpunimi ndërkombëtar mund të duket i çuditshëm

Në zemër të Evropës, e djathta ekstreme po lulëzon. Partitë me qëndrime të ashpra ndaj emigrantëve po qeverisin Poloninë dhe Hungarinë. Partia Liga e Matteo Salvinit prin në sondazhe dhe ka pushtet të bollshëm pasi hyri në qeverinë e unitetit në Itali. Në Francë, liderja e National Rally, Marine Le Pen, është rivalja e frikshme e presidentit Emmanuel Macron, ndërsa partia “Vox” në Spanjë ka fituar mbështetje nga konservatorët e zakonshëm që prej krijimit të saj në vitin 2013. Mirëpo, në një analizë të revistës politike “Foreign Policy”, thuhet se e djathta ekstreme po e ka të vështirë që përkrahjen brenda shtetit ta kthejë në ndikim në krejt Evropën, ani pse nacionalistët ekstremë më shumë se kurrë më parë zënë shumë ulëse në Parlamentin Evropian.

“Tani, disa nga partitë më të shquara të krahut të djathtë në Kontinentin e Vjetër – Liga e Italisë, Ligji dhe Drejtësia e Polonisë dhe Fidesz e Hungarisë – po kërkojnë të krijojnë një aleancë të re për ta rritur ndikimin e tyre në nivel të BE-së. Këtë muaj, udhëheqësi i Ligës, Salvini, kryeministri polak, Mateusz Morawiecki, dhe kryeministri hungarez, Viktor Orban, mbajtën një takim të nivelit të lartë në Budapest të Hungarisë. Bisedime më të gjera pritet të mbahen edhe gjatë muajit maj”, shkruan revista amerikane “Foreign Policy”.

Të tria partitë, thotë Marco Zanni, anëtar i “Ligas” në Parlamentin Evropian, janë duke e menduar një platformë politike që përfshin mbrojtjen e rrënjëve të Evropës kundër “multikulturalizmit të pashpirt”, që rrjedh nga emigracioni dhe mbrojtja e familjes tradicionale. Ai thotë se po punojnë për ta përmirësuar koordinimin kur për këto çështje do të votohet në Bruksel.

Forcimi i së djathtës

“Krijimi i një fronti të përbashkët do të përkthehej në më shumë fonde dhe burime, si dhe do të rriste rëndësinë e së djathtës së fortë dhe aftësinë për të ndikuar në politikën e skenës evropiane. Katalizatori i menjëhershëm për grupimin e ri mund të ketë qenë dalja e Fidesz nga blloku më i madh në Parlamentin Evropian, Partisë Popullore Evropiane, e qendrës së djathtë, e cila bashkon partitë kryesore konservatore, si Bashkimi Demokristian i Gjermanisë dhe Partia Popullore e Spanjës”, thuhet në analizën e FP-së për ngritjen e së djathtës ekstreme në Evropë.

Në Parlamentin aktual Evropian e djathta ekstreme është e ndarë në dy grupe relativisht të vogla. Identiteti dhe Demokracia dhe një delegacion i vogël i Alternativës për Gjermaninë.

Blloku tjetër i së djathtës së fortë janë konservatorët dhe reformistët evropianë, të dominuar nga Partia e Drejtësisë dhe Ligjit e Polonisë. Ndërsa tradicionalisht ka mirëpritur eurodeputetët konservatorë të Britanisë, ky grup është gjithashtu e djathta e EPP-së dhe përfshin linja të ashpra të imigracionit, si Vëllezërit e Italisë dhe Vox-in e Spanjës. Nëse këto kombinohen, përfshirë Fidesz, do të ishin grupi i dytë më i madh në Parlamentin Evropian, menjëherë pas EPP-së, por përpara socialdemokratëve.

Qëllimi i boshtit të ri të së djathtës ekstreme është “të ribashkojë dhe rifreskojë të djathtën demokristiane të Evropës”, thotë Katalin Novak, nënkryetare e Fidesz dhe ministre në qeverinë e Orbanit. “Ne kemi nevojë për një rilindje, në mënyrë që të përfaqësojmë më së miri interesat kombëtare dhe t'i shërbejmë një Evrope konkurruese, duke ruajtur vlerat tona thelbësore. Në vitet e fundit EPP-ja ka lëvizur ndjeshëm drejt së majtës. Për disa çështje thelbësore tani është e vështirë të bëhet dallimi midis pozicioneve të EPP-së dhe atyre të mbajtura nga partitë socialiste evropiane. Kjo lë miliona qytetarë evropianë pa një përfaqësim real në nivelin evropian”, thotë Novak.

Për partitë që mprehin dhëmbët me platforma dhe parulla nacionaliste – shpesh duke përfshirë sulme frontale ndaj Brukselit dhe BE-së – bashkëpunimi ndërkombëtar mund të duket i çuditshëm, vlerëson revista amerikane “Foreign Policy”.

“Por, që nga zgjedhjet evropiane 2014 dhe krijimi i grupit Evropa e Kombeve dhe Liria – një asamble e udhëhequr nga Le Pen, që më vonë u bë Identiteti dhe Demokracia – partitë e ekstremit të djathtë të kontinentit evropian kanë treguar një oreks në rritje për aleancat ndërkombëtare”, thotë Duncan McDonnell, profesor i politikës në Universitetin Griffith dhe bashkautor i një libri mbi të djathtën radikale në Parlamentin Evropian.

Tentimet e mëparshme

Në fakt, takimi në Budapest i muajit mars nuk ishte iniciativa e parë e këtij lloji. AfD-ja në vitin 2017 organizoi një konventë ku morën pjesë, ndër të tjerë, Le Pen, Salvini dhe djathtisti ekstrem i Holandës, Geert Wilders. Në muajt përpara zgjedhjeve evropiane të vitit 2019, Salvini u takua me Orbanin. Udhëtoi për në Poloni dhe organizoi një tubim përpara Duomos të Milanos, së bashku me 11 udhëheqës të tjerë nacionalistë.

“Dhe nuk është vetëm fenomen evropian. Salvini ka promovuar marrëdhëniet e tij të ngrohta me presidentin brazilian Jair Bolsonaro. Në vitin 2019, kryeministri nacionalist i Indisë, Narendra Modi, ftoi një grup eurodeputetësh, kryesisht të djathtë ekstremë, për të vizituar Kashmirin, pasi kishte hequr autonominë e rajonit. Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, priti politikanin Nigel Farange, që ishte pro largimit të Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian dhe ishte lidhur shkëlqyeshëm me udhëheqësit polakë në vizitën e tij në vend – ndërsa ish-ndihmësi i tij, Steve Bannon, ka pasur kontakte të shpeshta me sovranistët e Evropës, duke mbështetur përpjekjet e tyre për t'u bashkuar”, vlerëson revista amerikane “Foreign Policy”.

Arsyet e bashkimit

Revista politike shkruan se arsyet për bashkimin e së djathtës ekstreme janë shumë lehtë për t’i gjetur. Orban dhe Morawiecki po përplasen me Brukselin për prapambetjen e tyre demokratike brenda shtetit – kjo është ajo që i dha fund anëtarësimit të Fidesz në EPP. Për Salvinin, i cili po luan një lojë delikate në një koalicion të madh me partitë e zakonshme në Itali, bashkimi me sundimtarët e së djathtës së Evropës Qendrore ofron mundësinë për t’i forcuar më tej kredencialet e tij si material kryeministror, ​​ndërsa gjithashtu mbetet besnik ndaj rrënjëve të tij ideologjike.

Sidoqoftë, bashkimi i partive të djathta ekstreme është më lehtë të thuhet sesa të bëhet. Çarja më e thellë ka të bëjë me marrëdhëniet me Rusinë.

“Ligji dhe Drejtësia e Polonisë është fort anti-ruse dhe ka riafirmuar lidhjet me Perëndimin dhe Shtetet e Bashkuara veçanërisht. Në anën tjetër, Liga, “National Rally” dhe AfD-ja kanë kundërshtuar të gjitha sanksionet e BE-së ndaj Moskës, me përfaqësues të tre partive që kanë vizituar Krimenë e aneksuar nga Rusia. Delegacionet e AfD-së janë takuar vazhdimisht me zyrtarë të lartë rusë gjatë muajve të fundit, ndërkaq Le Pen mbajti bisedime ballë për ballë me presidentin rus Vladimir Putin në fillim të vitit 2017, në atë që shumë e konsideruan si një mbështetje të zhurmshme nga Kremlini në pikun e fushatës franceze për zgjedhjet presidenciale”, shkruan “Foreign Policy”.

Marrëdhëniet me Moskën janë pika kryesore e bllokadës mes së djathtës ekstreme të hungarezëve dhe polakëve. Në një sondazh të vitit 2020, 22 për qind e mbështetësve të Fidesz e shihnin Rusinë si “vendi më i rëndësishëm për të pasur një marrëdhënie të mirë”, kundrejt vetëm 4 për qind të simpatizantëve të Ligjit dhe Drejtësisë, 69 për qind e të cilëve pëlqenin Shtetet e Bashkuara.

“Marrëdhëniet me Rusinë ndryshojnë në varësi të historikut, prejardhjes kulturore, interesave ekonomikë dhe atyre të sigurisë. Ne respektojmë interesat e aleatëve tanë dhe përfaqësojmë tonat, ashtu si çdo vend tjetër. Unë nuk e shoh këtë çështje të jetë një pengesë e madhe për një aleancë të re”, thotë Novak, ministër nga partia Fidesz.

Një pengesë tjetër e mundshme janë partitë që kanë qeverisur dhe ato që kanë bërtitur vetëm nga ulëset e lira.

“Është e vërtetë që Le Pen ka kërkuar reformimin e partisë, duke hequr nga fjalori gjuhën raciste dhe anti-semite të ditëve të moçme. Por, ajo shihet si e dëbuar e përjetshme që kurrë nuk luajti rol qeveritar”, thotë Pawel Zerka, anëtar i Këshillit Evropian për Marrëdhëniet e Jashtme.

Hendek i madh

Kjo do të thotë një qasje tjetër ndaj Brukselit. “National Rally”, për shembull, “njëmend nuk ka strategji dhe ekspertizë të politikës së BE-së, ndërsa me Orbanin, Salvinin ose Poloninë, situata është ndryshe – ata duket se kanë një ide shumë më të fortë për atë që duan në nivelin evropian”, thotë Sophie Pornschlegel, analiste e vjetër në Qendrën e Politikave Evropiane në Bruksel. Disa parti gjigande gjithashtu mbeten të lidhura me një lloj euroskepticizmi të vijës ekstreme, që të tjerët, përfshirë “National Rally” dhe Liga, kanë kërkuar ta zbusin në politikat e viteve të fundit: Manifesti i AfD-së për zgjedhjet e ardhshme federale në Gjermani përfshin një thirrje për ta braktisur BE-në.

“Por, ky hendek mund të ngushtohet. Liga, kur ishte nën udhëheqjen e themeluesit Umberto Bossi, nuk donte të kishte asgjë me Frontin Kombëtar (siç njihej më parë National Rally); bashkëpunimi u përmirësua vetëm gjatë dekadës së fundit, pasi Salvini mori frenat e partisë”, thuhet në analizën e revistës politike “Foreign Policy”.

“Disa vjet më parë ishte e vështirë të flisje edhe me të djathtën ekstreme franceze”, thotë eurodeputeti polak i Ligjit dhe Drejtësisë, Witold Waszczykowski. “Tani ne jemi akoma në pritje, por natyrisht që jemi të hapur për diskutim”.

Sidoqoftë, kujdesi është i ndërsjellë. Gilbert Collard, deputet i National Rally, beson se është shumë herët për të shprehur ndonjë pikëpamje mbi nismën e Budapestit, detajet e së cilës mbeten të paqarta. “Nëse mund të gjendet një zgjidhje për të bashkuar të gjithë, ne patjetër do të jemi të gatshëm, por akoma nuk jemi në këtë fazë”, thotë ai.

“Dhe pastaj janë ambicie personale. Jean-Marie Le Pen, themeluesi i asaj që u bë “National Rally”, ishte një nga përkrahësit e parë të një fronti nacionalist pan-evropian. Tani, e bija e tij mund të hezitojë të bashkohet me një projekt të drejtuar nga Salvini, i cili në dy vitet e fundit ka rritur përfaqësimin evropian të Ligas nga asgjëja në prijës.

“Salvini filloi si delfin i Marine Le Pen në nivelin evropian, por tani ai mund të jetë mjeshtri”, thotë McDonnell.

Duke pasur parasysh të gjitha dallimet e tyre, shanset që e djathta ekstreme të formojë një bllok koherent në çdo kohë të shpejtë janë të pakta, thotë Pornschlegel.

“Mirëpo, kjo nuk do të thotë që ata do të ndalojnë së provuari. Samiti i fundit, takimet e ardhshme dhe vala e kontakteve ndërkufitare flasin për përpjekjet e ekstremit të djathtë për të ndërtuar frontin popullor në Evropë”, vlerëson “Foreign Policy”.

“Ata mund të jenë nacionalistë”, thotë McDonnell, “por janë gjithashtu internacionalistë në aleancat që krijojnë”.