Botë

Bardella do të kryesojë grupin e ri të Parlamentit Evropian të ekstremit të djathtë

Jordan Bardella

Jordan Bardella

Foto: Associated Press

Udhëheqësi i “Tubimit Kombëtar” të ekstremit të djathtë të Francës, Jordan Bardella, do të kryesojë një grupim të ri të krahut të djathtë në Parlamentin Evropian, “Patriotët për Evropën”.

Njoftimi erdhi një ditë pasi partia e Bardellas humbi rundin e dytë të zgjedhjeve të parakohshme legjislative të Francës, raporton BBC.

Në një fjalim paszgjedhor të dielën mbrëma, Bardella njoftoi se anëtarët e “Tubimit Kombëtar” të Parlamentit Evropian (PE) do t'i bashkohen një "grupi të madh" që do të ndikonte në "balancën e pushtetit në Evropë.

Të hënën, Bardella ka thënë se “Patriotët për Evropën” përfaqësojnë “shpresën për dhjetëra miliona qytetarë në kombet evropiane që vlerësojnë identitetin, sovranitetin dhe lirinë e tyre”.

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, Herbert Kickl i Partisë së Lirisë së Austrisë (FPÖ) të ekstremit të djathtë dhe Andrej Babis, kreu i partisë populiste çeke "ANO", njoftuan fillimin e aleancës “Patriotët për Evropën” muajin e kaluar.

Orbani ka thënë se ata kishin nënshkruar një "manifest patriotik", duke premtuar "paqe, siguri dhe zhvillim" në vend të "luftës, migrimit dhe stagnimit" të sjellë nga "elita e Brukselit".

Brenda një jave, partitë nga e djathta dhe e djathta ekstreme në 12 vende evropiane thanë se do t'i bashkoheshin grupimit, duke përfshirë portugezen, "Chega", "Vox" të Spanjës, "VVD" holandeze të Geert Wilders, Partinë Popullore Daneze dhe "Vlaams Belang" nga Belgjika.

Të hënën në mëngjes, “Tubimi Kombëtar” dhe partia e krahut të djathtë populiste “Lidhja e Italisë” u bashkuan gjithashtu, duke e çuar numrin total të anëtarëve të grupit në 84.

Me 30 eurodeputetë, kontingjenti i “Tubimit Kombëtar” i Bardellas do të jetë më i madhi në grupimin Patriots.

Aleanca është tani e treta më e madhe në Parlamentin Evropian, pas Partisë Popullore Evropiane të qendrës së djathtë (EPP) dhe Socialistëve dhe Demokratëve të qendrës së majtë (S&D).