Jordan Bardella planifikon të jetë kandidati presidencial i “Tubimit Kombëtar” të ekstremit të djathtë francez në vitin 2027, nëse liderja e partisë Marine Le Pen vazhdon ta ketë të ndaluar të kandidojë, ka deklaruar ai për gazetën Le Parisien.
Le Pen, 56 vjeçe, e cila ka kandiduar tri herë për presidente dhe ishte një kandidate kryesore për zgjedhjet, i është ndaluar të garonte për poste publike për pesë vjet, pasi një gjykatë e ka shpallur atë dhe disa anëtarë të partisë së saj fajtore në mars për shpërdorim fondesh, raporton Reuters.
Le Pen ka mohuar keqbërjen, dhe ka thënë se do të apelojë vendimin, për të cilin ajo ka thënë se ishte i motivuar politikisht dhe synonte të bllokonte ofertën e saj presidenciale.
Bardella, presidenti 29-vjeçar i partisë dhe një ligjvënës evropian, nuk është përfshirë në çështjen gjyqësore. Ai ka shmangur më parë pyetjet nëse do të kërkonte postin më të lartë publik në vend të Le Penit.
"Nuk ka asnjë paqartësi në lidhje me faktin se Marine Le Pen është kandidatja ime dhe nëse ajo do të pengohej nesër, mendoj se do të mund t'ju them se do të jem kandidati. Nuk mund të jem më i qartë se kaq", ka thënë ai për Le Parisien të shtunën vonë.
Sipas ligjit francez, një qytetar ka të drejtë të kandidojë për president nëse është mbi moshën 18 vjeç.
Le Pen dhe zyrtarët e partisë janë akuzuar për përdorimin e fondeve të Bashkimit Evropian për të paguar stafin e “Tubimit Kombëtar” në Francë.