Botë

Bandat provojnë të marrin kontrollin e aeroportit kryesor në Haiti

Ushtarët janë dërguar ta mbrojnë aeroportin “Toussaint Louverture” të kryeqytetit të Haitit, Port-au-Prince, pas sulmit të armatosur nga bandat, shkruan BBC.

Dëshmitarët raportuan se dëgjuan të shtëna në afërsi të aeroportit ndërsa forcat e sigurisë u përleshën me bandat e armatosura.

Qëllimi i bandave është të parandalojnë kthimin në Haiti të kryeministrit Ariel Henry, i cili besohet se është jashtë vendit.

Dhuna është rritur në mungesë të tij, pasi bandat kërkojnë dorëheqjen e Henryt.

Henry u largua nga Haiti javën e kaluar për të marrë pjesë në një samit rajonal në Guajana. Nga atje, ai udhëtoi për në Kenia për të nënshkruar marrëveshje për vendosjen e një force policore shumëkombëshe në Haiti.

Vendndodhja e tij aktuale nuk dihet, por sipas SHBA-së, kryeministri është duke u kthyer në Haiti.

Ndërsa ai ishte në Kenia, një koalicion bandash udhëhequr nga një ish-oficer policie, Jimmy “Barbecue” Chérizier, sulmuan stacionet e policisë dhe dy nga burgjet më të mëdha të Haitit.

Dhjetëra njerëz u vranë në sulmin në burgje. Mijëra të burgosur u arratisën dhe mbeten të lirë.

U shpall gjendje e jashtëzakonshme 72-orëshe.