Doganat suedeze kanë realizuar sekuestrimin më të madh ndonjëherë të kokainës, pasi kanë kapur rreth 1,4 tonë droge javën e kaluar, në një port afër Stokholmit, ka bërë të ditur të martën një zyrtar për një televizion suedez.
“Nëse është aq e madhe sa mendojmë, kjo është një nga sekuestrimet më të mëdha të bëra ndonjëherë”, ka thënë Stefan Granath, nga doganat suedeze, për televizionin SVT, derisa ka shtuar se janë duke pritur që sasia të precizohet, raporton AP.
Droga është gjetur në një kontejner në portin Nynashamn, në jug të Stokholmit, më 18 prill, ka thënë Granath.
Gjashtë persona janë arrestuar nën dyshimin se janë të përfshirë në transportin e drogës.
Granath ka thënë se droga ishte destinuar për tregun evropian dhe se Suedia ishte vetëm një shtet transit.
“Vetëm 5-10 vitet e kaluara ka qenë e pazakonshme që të sekuestrohen edhe 100 kilogramë”, ka deklaruar Granath.
Sasia e kokainës e sekuestruar nga doganat suedeze ka arritur kulmin në vitin 2022, kur ishin konfiskuar 822 kilogramë, sipas të dhënave zyrtare. Kjo përbënte 300 kilogram më shumë se rekordi i katër viteve më parë, në vitin 2018.