Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë të shtunën se forcat e Moskës kanë kapur pesë fshatra si pjesë e një sulmi të rinovuar tokësor në verilindje të Ukrainës.
Zyrtarët ukrainas nuk kanë konfirmuar nëse rusët kishin marrë fshatrat, të cilat shtrihen në një "zonë gri" të kontestuar në kufirin e rajonit të Kharkiv të Ukrainës dhe Rusisë, raporton AP.
Gazetarët ukrainas raportuan se fshatrat Borysivka, Ohirtseve, Pylna dhe Strilecha, u pushtuan nga trupat ruse të premten. Autoritetet ruse thanë se fshati Pletenivka u mor gjithashtu.
Instituti për Studimin e Luftës ka thënë të premten se pamjet konfirmojnë se të paktën një nga fshatrat u kap. Studimi me bazë në Washington i përshkroi arritjet e fundit ruse si “taktikisht të rëndësishme”.
Sulmi i ri në rajon ka detyruar më shumë se 1700 civilë që banojnë në vendbanimet pranë luftimeve të ikin, sipas autoriteteve ukrainase.
Kjo vjen pasi Rusia shtoi sulmet në mars duke synuar infrastrukturën energjetike dhe vendbanimet, të cilat analistët i parashikuan se ishin një përpjekje e bashkërenduar e Moskës për të krijuar kushte për një ofensivë.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky konfirmoi të premten në mbrëmje se forcat ruse po zgjeronin operacionet e tyre. Ai u bëri thirrje gjithashtu aleatëve perëndimorë të vendit që të sigurojnë që dërgesat e premtuara të ndihmës ushtarake do të arrijnë me shpejtësi në vijat e frontit.
“Është thelbësore që partnerët të mbështesin luftëtarët tanë dhe qëndrueshmërinë ukrainase me dërgesat në kohë. Një paketë që vërtet ndihmon është dërgimi i menjëhershëm i armëve në Ukrainë, dhe jo thjesht shpallja e një pakete”, është shprehur ai.
Sulmi u nis nga dy zona në rajonin e Kharkivit të premten herët, thanë zyrtarët dhe analistët ukrainas.
Grupet sulmuese ruse u përpoqën të thyenin linjat mbrojtëse të Ukrainës në qytetin Vovchansk dhe në rajonin në veri të fshatit Lyptsi.