Austriaku, Josef Fritzl, që në vitin 2009 u dënua me burgim të përjetshëm për përdhunim me mijëra herë të vajzës së tij, të cilën kishte mbajtur të burgosur në bodrumin e shtëpisë duke bërë 7 fëmijë me të, mund të lirohet nga burgu i sigurisë së lartë dhe të transferohet në një burg të rregullt, ka bërë të ditur avokatja e tij të martën.
Pas një seance dëgjimore në burgun Stein në Krems, avokatja Astrid Wagner u ka thënë gazetarëve se Fritzl nuk paraqet më asnjë rrezik dhe ndoshta do të zhvendoset në një burg të rregullt në të ardhmen e afërt.
Vendimi zyrtar i gjyqtarëve do të jepet më vonë me shkrim, raporton “Associated Press”.
Ëagner konfirmoi se ajo ende shpreson se klienti i saj do të lirohet përfundimisht nga burgu.
89-vjeçari Fritzl shpreson të jetojë ditët e tij të mbetura në shtëpi pleqsh ose nën ndonjë marrëveshje të ngjashme.
Fritzl u bë i njohur si “përbindëshi i Amstetten”, qytetit verior të Austrisë, pasi mbylli vajzën e tij, në atë kohë 18-vjeçare, në një bodrum të shtëpisë së tij në vitin 1984.
Për 24 vite me radhë, ai e përdhunoi vazhdimisht vajzën e tij, e cila lindi shtatë fëmijë, njëri prej të cilëve vdiq.
88-vjeçari u dënua me burgim të përjetshëm për incest, përdhunim, detyrim, burgim të rremë, skllavërim të vajzës së tij, Elisabeth, si dhe vrasje nga pakujdesia të një prej djemve të tij të mitur, pasi nuk i kishte ofruar ndihmë mjekësore.