Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, nuk sinjalizoi ndonjë vendim për lejimin e Ukrainës që të përdorë raketa me rreze të gjatë për të goditur objektivat brenda Rusisë pas bisedimeve me presidentin amerikan Joe Biden në Uashington, shkruan BBC të shtunën.
Kur u pyet nëse e kishte bindur Bidenin që të lejonte Ukrainën t’i përdorë raketat me rreze të gjatë “Storm Shadow” në Rusi, Starmer ka thënë se kanë pasur diskutim të gjatë dhe produktiv për disa çështje, duke përfshirë Ukrainën, Lindjen e Mesme dhe Indo-Paqësorin. “Storm Shadow” prodhohen nga Britania dhe Franca.
Shtëpia e Bardhë pas takimit shprehu shqetësim të thellë “për ofrimin e armëve vdekjeprurëse nga Irani dhe Koreja e Veriut për Rusinë“.
Më herët presidenti rus Vladimir Putin paralajmëroi vendet perëndimore që të mos lejojnë Ukrainën të lëshojë raketa me rreze të gjatë veprimi brenda Rusisë.
Putini ka thënë se veprimi i tillë do të përfaqësonte “pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë” të NATO-s në luftën e Ukrainës.
Duke iu drejtuar gazetarëve përpara takimit Starmerin në Shtëpinë e Bardhë, Biden ka deklaruar se nuk mendon shumë për Vladimir Putinin.
Deri më sot, SHBA-ja dhe Britania e Madhe nuk i kanë dhënë leje Ukrainës t’i përdorë raketa me rreze të gjatë veprimi kundër objektivave brenda Rusisë, nga frika e përshkallëzimit.
Megjithatë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u ka bërë thirrje vazhdimisht aleatëve që të autorizojnë përdorimin e tillë, duke thënë se kjo është mënyra e vetme për t'i dhënë fund luftës.
Që kur Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt 2022, qytetet dhe linjat e frontit ukrainas kanë qenë nën bombardime të përditshme nga Rusia.
Shumë nga raketat dhe bombat që godasin pozicionet ushtarake të Ukrainës, blloqet e banesave, objektet energjetike dhe spitalet lëshohen nga aeroplanët rusë thellë brenda Rusisë.
Kievi thotë se moslejimi për të goditur bazat nga të cilat janë nisur këto sulme pengon aftësinë vetëmbrojtëse.
Britania e Madhe më parë ka thënë se Ukraina ka të drejtë t’i përdorë armët britanike për “vetëmbrojtje” dhe nuk përjashtohen “operacionet brenda Rusisë”. Por Starmeri nuk e mori bekimin e Bidenit për një gjë të tillë.