Botë

Arrin në gjashtë numri i të vdekurve nga sulmi në tregun e Krishtlindjeve në Gjermani

Gjermani

Foto: Associated Press

Ka arritur në gjashtë numri i të vdekurve si pasojë e sulmit në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg të Gjermanisë, në fund të muajit dhjetor.

Një grua 52-vjeçare ka vdekur në spital nga plagët e marra si pasojë e sulmit, kur një burrë hyri me veturën e tij në tregun e Krishtlindjeve që ndodhet rreth 130 km në perëndim të Berlinit, raporton Reuters.

Sulmi i 20 dhjetorit që la dhjetëra të lënduar tronditi vendin dhe nxiti tensionet mbi çështjen e emigracionit.

Zyrtarët e kanë përshkruar të dyshuarin si një psikiatër 50-vjeçar nga Arabia Saudite me një histori të retorikës anti-islamike dhe një simpati për partinë e ekstremit të djathtë “Alternativa për Gjermaninë”.

Autoritetet kanë thënë se sulmuesi i dyshuar përdori pikat e daljes emergjente për të vozitur në terrenin e tregut të Krishtlindjeve, ku ai u fut me shpejtësi në mes të turmës, duke goditur më shumë se 200 njerëz në një sulm prej tre minutash. 

Ai është arrestuar në vendngjarje dhe po akuzohet për vrasje dhe tentimvrasje.