E përditësur (20:01) Kryeministri i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, ka konfirmuar se marrëveshja për armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit është arritur.
Marrëveshja do të hyjë në fuqi të dielën, më 19 janar.
Faza e parë e marrëveshjes do të zgjasë për 42 ditë dhe do të përfshijë armëpushimin dhe tërheqjen e forcave të Izraelit nga zonat e populluara, ka shtuar kryeministri.
Si pjesë e marrëveshjes, Hamasi do t’i lirojë 33 pengje izraelite. Në kthim, Izraeli do të lirojë një numër të burgosurish që po mbahen në burgjet e Izraelit.
Ai ka shtuar se në këtë fazë po ashtu do të rikthehen të zhvendosurit në shtëpitë e tyre, si dhe do të rritet rrjedhja e ndihmës humanitare në të gjithë Rripin e Gazës.
Al Thani ka thënë se detajet për fazën e dytë dhe të tretë të marrëveshjes do të finalizohen gjatë zbatimit të fazës së parë.
Zyra e Netanyahut thotë se marrëveshja nuk është finalizuar ende
E përditësur (19:11) - Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, thotë se marrëveshja e armëpushimit me Hamasin ende nuk është arritur dhe se detajet përfundimtare janë ende duke u zgjidhur.
Deklarata vjen pak pasi ndërmjetësues të shumtë kanë konfirmuar për media të ndryshme se Izraeli dhe Hamasi kanë rënë dakord për një armëpushim në Gaza dhe për lirimin e dhjetëra pengjeve pas më shumë se 15 muajsh luftë.
Marrëveshjen e ka konfirmuar edhe presidenti i sapozgjedhur amerikan, Donald Trump.
Zyra ka shprehur besimin se detajet e marrëveshjes do të finalizohen në orët në vazhdim.

Trumpi merr meritat për armëpushimin Izrael-Hamas
E përditësuar (19:00) - Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, ka nxituar të marrë meritat për marrëveshjen e armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit në një postim tjetër në Truth Social, pas postimit ku konfirmonte marrëveshjen.
Duke e përshkruar marrëveshjen si "epike", Trumpi ka thënë se marrëveshja është arritur vetëm si rezultat i fitores së tij "historike" në zgjedhje pasi siç ka thënë, "i sinjalizoi të gjithë botës se administrata e tij do të kërkonte paqe dhe do të negocionte marrëveshje për të garantuar sigurinë e të gjithë amerikanëve dhe aleatëve të saj.
Ai u zotua se ekipi i tij i sigurisë kombëtare dhe zgjedhja e tij për të dërguarin e Lindjes së Mesme, Steve Witkoff, do të vazhdojnë të punojnë ngushtë me Izraelin dhe aleatët për t'u siguruar që Gaza të mos bëhet më kurrë një strehë e sigurt e terroristëve.
“Ne do të vazhdojmë të promovojmë PAQEN PËRMES FUQISË në të gjithë rajonin, teksa shfrytëzojmë vrullin e këtij armëpushimi për të zgjeruar më tej Marrëveshjet Historike të Abrahamit. Ky është vetëm fillimi i gjërave të mëdha që do të vijnë për Amerikën, dhe në të vërtetë, Botën!”, ka shkruar Trump.
Ai ka shtuar se gjëra të mëdha do të ndodhin kur ai ta marrë detyrën zyrtarisht.
“Ne kemi arritur kaq shumë edhe pa qenë në Shtëpinë e Bardhë. Vetëm imagjinoni të gjitha gjërat e mrekullueshme që do të ndodhin kur të kthehem në Shtëpinë e Bardhë, dhe administrata ime të konfirmohet plotësisht, në mënyrë që ata të mund të sigurojnë më shumë fitore për Shtetet e Bashkuara”, është shprehur Trump në Truth Social.

Hamasi u bën thirrje qytetarëve “të mos lëvizin” deri në fillimin zyrtar të armëpushimit
E përditësuar (18:49) - Zyra për media e qeverisë së Hamasit në Gaza u ka thënë banorëve të enklavës që të mos lëvizin deri në fillimin zyrtar të armëpushimit.
“Zyra e qeverisë për media u bën thirrje qytetarëve të nderuar që të mos lëvizin para fillimit zyrtar të armëpushimit, dhe të marrin informacione për kohën e armëpushimit nga burime zyrtare”, thuhet në njoftimin për media.
Palestinezët në Gazë nisin festimet për marrëveshjen e armëpushimit
E përditësuar (18:42) - Qytetarë të shumë palestinezë në Rripin e Gazës, kanë nisur të festojnë, pas lajmeve se është arritur një marrëveshje armëpushimi.
Marrëveshja do t’i jepte fund luftimeve më shumë se 15-mujore ndërmjet Izraelit dhe Hamasit, të cilat kanë çuar në vdekjen e mbi 46,000 palestinezëve në Gaza.
Edhe familjarët e pengjeve izraelite janë mbledhur në Tel Aviv, duke pritur me padurim për të dashurit e tyre që po mbahen nga Hamasi që nga 7 tetori i vitit 2023.

E përditësuar (18:10) - Presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, e ka konfirmuar në rrjetin social “Truth Social”, se është arritur një marrëveshje mes Izraelit dhe Hamasit.
"Kemi një marrëveshje për pengjet në Lindjen e Mesme. Ata do të lirohen së shpejti. Faleminderit”, ka shkruar Trump.
Izraeli dhe Hamasi kanë arritur armëpushimin, raporton “Times of Israel”
E përditësuar (18:05) - Izraeli dhe Hamasi kanë arritur një marrëveshje për armëpushim dhe për lirimin e pengjeve, raporton “Times of Israel”, duke cituar një zyrtar amerikan dhe një zyrtar arab.
Një njoftim pritet në orët e ardhshme, ka thënë një zyrtar arab për gazetën.
Një zyrtar amerikan i ka thënë gjithashtu Axios se një marrëveshje pengjesh dhe armëpushimi në Gaza është arritur.
Një zyrtar i Hamasit thotë se grupi ka miratuar marrëveshjen e armëpushimit
Grupi militant palestinez, Hamas, u ka thënë mediave të shumta se delegacioni i tij ua ka dorëzuar ndërmjetësuesve, Katar dhe Egjipt, miratimin e marrëveshjes së propozuar të armëpushimit.
Një zyrtar i Hamasit ka thënë se udhëheqësi i grupit, Khalil al-Hayya, i ka dhënë miratimin e marrëveshjes së armëpushimit ndërmjetësuesve në Doha, raportojnë mediat.
BBC raporton gjithashtu se një zyrtar i Hamasit ka thënë se u ka thënë ndërmjetësuesve të Katarit dhe Egjiptit se Hamasi ka miratuar marrëveshjen e armëpushimit.
Qeveria e Katarit pritet të dalë në një konferencë për media të mërkurën në mbrëmje, për të folur rreth çështjes.
Ndërkohë, është raportuar po ashtu se qeveria e Izraelit pritet që të enjten ta hedhë në votim marrëveshjen për miratim.