Botë

Arrestohet një person në Boston, tentoi të hapte derën e aeroplanit dhe theri stjuardesen

Një person është arrestuar në Boston të hënën, pasi ai kishte tentuar të hapte derën emergjente të aeroplanit e më pas goditi në qafë tri herë me një lugë të metaltë të prishur stjuardesen që e raportoi rastin, bën të ditur CNN.

Francisco Torres (33) nga Massachusetts ishte në aeroplanin që fluturoi nga Los Angelesi në Boston.

33-vjeçri po përballet me akuza për pengim të fluturimit e po ashtu përdorim i një arme të rrezikshme ndaj një stjuardese.

Gjatë fluturimit u paraqit sinjali se po tentohet të hapet dera. Kur njëra nga stjuardeset u afrua, pa që rrezja e derës nuk ishte në pozitën e duhur. Foli me Torresin që ishte afër derës. Torres e pyeti nëse ka fakte apo xhirime të kamerave se ai ka prekur derën. Kur stjuardesa lajmëroi pilotin duke i thënë se mendon se pasagjeri është i rrezikshëm, Torres reagoi dhe e goditi tri herë atë në qafë me një lugë metalike që ishte e prishur. Më pas Torresi u ndalua nga pasagjerët tjerë.

Ai u arrestua në aeroportin e Bostonit.

Torres u ka thënë hetuesve se kishte thyer lugën në tualet për ta përdorur si armë. Ai tha se tentoi të hapte derën dhe se i erdhi “ideja të kërcente nga aeroplani”. Po ashtu tha se “po tentonte ta mbronte veten pasi mendoi se stjuardesët po tentonin ta vrisnin”.

Kompania e fluturimeve United Airlines ka vendosur që më mos ta lejojë në aeroplanë të saj Torresin.