Autoritetet gjermane më në fund kanë rënë në gjurmë të një gruaje 42-vjeçare, e cila dyshohet se ka vjedhur më shumë se një milion euro nga një kompani transferimi parash në Stuttgart, ku ishte e punësuar, shkruan Bild.
Mirnesa S., me origjinë nga Bosnja dhe Hercegovina, është kapur në aeroportin e Stuttgartit të hënën rreth orës 19:45. Ajo dyshohet se ka njoftuar përmes avokatit të saj se do të dorëzohet. Për të kishte fletëarrest ndërkombëtar.
“Po vijojnë hetimet për vendndodhjen e parave”, ka njoftuar policia.
Ajo dyshohet se ka vjedhur më shumë se një milion euro nga një kompani e transfertave më 14 tetor të këtij viti. Që atëherë, të gjitha gjurmët e saj kanë humbur. Ajo kishte qasje në para si punonjëse e kompanisë. Vjedhja është vënë re menjëherë dhe policia ka nisur hetimet. Në deklaratën e autoriteteve, nuk u shpjegua se si punonjësja ka nxjerrë një shumë kaq të madhe parash.
Bild zbuloi se apartamenti i saj ishte në katin e tretë të një ndërtese snë Cannstatt. Interesant është fakti se ndërtesa ndodhej vetëm 250 metra larg hyrjes kryesore të Policisë Kriminale të Shtetit.
Mediat gjermane, në kërkim të provave, zbuluan se miqtë e saj në rrjetet sociale po festonin “arritjen” e Mirnesas dhe po talleshin me policinë.
Siç shkruante Bild në momentin e kërkimit të të arratisures, Mirnesa mburrej për një jetë luksoze në rrjetet sociale. Ajo ishte e lumtur të tregonte çantat, orët dhe bizhuteritë e shtrenjta dhe pozonte në festa luksoze. Miqtë e saj e quanin Miki, dhe ajo më parë ka punuar si kamariere.
