Është arrestuar personi i tretë i dyshuar për përfshirje në një rast të ryshfetit, ku është i përfshirë edhe zëvendësministri rus i Mbrojtjes, ka bërë të ditur të enjten një gjykatë në Moskë.
Sipas gjykatës, biznesmeni Alexander Fomin, dyshohet se i ka paguar ryshfet zëvendësministrit, Timur Ivanov, i cili është arrestuar të mërkurën, ashtu sikurse edhe shoqëruesi i tij, Sergei Borodin.
Tre burrat do të mbesin në ndalim policor për të paktën deri më 23 qershor, raporton AP.
Ivanovi, një aleat i ministrit të Mbrojtjes, Sergei Shoigu, është arrestuar të mërkurën në pritje të një hetimi dhe gjyqi me akuzat për ryshfet, thanë zyrtarët e gjykatës në një deklaratë.
Ai ishte në krye të projekteve të ndërtimit ushtarak dhe ishte akuzuar më parë për një mënyrë jetese luksoze në hetimet kundër korrupsionit të nxitura nga ekipi i liderit të ndjerë të opozitës ruse, Alexei Navalny.
Shërbimi i gjykatës së Moskës ka thënë të enjten se Fomin dhe Borodin kanë kontribuuar që Ivanovi të merrte një "ryshfet veçanërisht të madh" - një vepër e dënueshme deri në 15 vjet burgim.
Ivanov, 48 vjeç, u sanksionua nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian në vitin 2022.