Botë

Arrestohet një 15-vjeçar lidhur me sulmin me thikë në Gjermani

policia gjermane

Foto: Associated Press

Çka ka thënë Policia në konferencë për sulmin me thika në Solingen:

(E përditësuar) 16:47 - Një 15-vjeçar i arrestuar lidhur me rastin.

Adoleshenti dyshohet se ka ditur për sulmin paraprakisht dhe nuk e ka raportuar.

Policia ka shtuar se identiteti i sulmuesit mbetet i paqartë dhe se hetimet po vazhdojnë.

Është konfirmuar se tre personat e vrarë janë një 67-vjeçar, një 56-vjeçar dhe një grua 56-vjeçare.
Tetë persona janë lënduar, katër prej tyre në rrezik.

Motivi mbetet i paqartë, por Policia s’ka përjashtuar motivin e terrorizmit.

Shefi i Policisë ka apeluar të mos spekulohet në rrjete sociale dhe ka kërkuar informata nga publiku.
Policia po ashtu ka thënë se ka gjetur “disa thika” dhe po heton nëse ndonjë nga to ishte përdorur në sulm.

Të lënduarit s’kanë arritur ta identifikojnë sulmuesin.


(E përditësuar) 14:45 - Policia gjermane ka thënë se ka arrestuar një person lidhur me sulmin me thikë në Solingen.

I arrestuar është një 15-vjeçar.

Në një konferencë për media, Policia nuk ka përjashtuar mundësinë që motiv i sulmit të ketë qenë terrorizmi. 

Policia ka thënë se s’do të publikojë të të dyshuarit.

Të lënduarit nga sulmi kanë thënë se nuk e kanë njohur më herët të dyshuarin.

Arrestimi është bërë pasi ekipet kanë nisur kërkimin që nga e premtja kur ka ndodhur sulmi. Policia po verifikon nëse ka lidhje me sulmin.

“Një sërë masash policore janë duke u ndërmarrë, përfshirë kërkime në disa lokacione”, thuhet në deklaratën e Policisë, raportoi BBC.

Kërkimi për akterë të tjerë të mundshëm dhe hetimi për motivin prapa sulmin po vazhdon.  


08:11 - Policia ende në kërkim të sulmuesit me thikë në festivalin në qytetin gjerman

Policia në Gjermani po e kërkon një të dyshuar për sulmin me thikë nga i cili u vranë tre persona dhe u lënduan tetë të tjerë, pesë prej të cilëve rëndë, në një festival të premten vonë.

Sulmi ndodhi ndërsa mijëra njerëz ishin mbledhur në sheshin kryesor të qytetit të Solingenit.

Askush nuk është arrestuar dhe Policia ka thënë se ka nisur “një kontingjent të madh” përfshirë një helikopter në kërkim të sulmuesit i cili iku nga vendi i ngjarjes. Policia nuk ka dhënë motiv për sulmin.

Të shtunën, Policia ka thënë se është ende në kërkim të sulmuesit të panjohur.

Sulmi ndodhi në një ngjarje që shënon 650-vjetorin e qytetit dhe cilësohet si festival i diversitetit. Rreth 10,000 njerëz morën pjesë.

Shumica e atyre që u sulmuan ishin afër skenës dhe sipas “Bild” sulmuesi dukej se kishte në shënjestër fytin e viktimave.