Është arrestuar babai i djaloshit 14-vjeçar të akuzuar për vrasjen e katër personave në një shkollë të mesme në shtetin amerikan të Gjeorgjias, të mërkurën.
Colin Grey, 54 vjeç, po përballet me katër akuza për vrasje të pavullnetshme, dy akuza për vrasje të shkallës së dytë dhe tetë për mizori ndaj fëmijëve, ka bërë të ditur Byroja e Hetimit të Gjeorgjisë (GBI), raporton BBC.
Drejtori i GBI-së, Chris Hosey ka thënë të enjten në mbrëmje se akuzat ishin të lidhura drejtpërdrejt me veprimet e djalit të tij dhe "lejimin e tij për të mbajtur një armë".
Djali, Colt Grey, akuzohet për vrasjen e dy mësuesve dhe dy nxënësve në sulmin e të mërkurës në shkollën e mesme “Apalachee” në Winder, afër Atlantës. Ai do të dalë në gjykatë të premten i akuzuar si i rritur, me katër akuza për vrasje.
Autoritetet po hetojnë nëse Colin Grey e kishte blerë armën e stilit AR si dhuratë për djalin e tij në dhjetor të vtit 2023, kanë bërë të ditur burimet e zbatimit të ligjit për CBS News.
Në maj të vitit 2023, FBI-ja kishte njoftuar policinë lokale për kërcënimet në internet për sulm në një shkollë, nga një adresë emaili e lidhur me të dyshuarin. Një zyrtar policor e kishte intervistuar djalin, i cili në atë kohë ishte 13 vjeç.
Babai i tij i ka thënë policisë se kishte armë në shtëpi, por se djali i tij nuk kishte qasje të pambikëqyrur në to, ka bërë të ditur FBI-ja në një deklaratë të mërkurën.
Zyrtarët thonë se kërcënimet janë bërë në “Discord”, një platformë e mediave sociale e njohur nga lojtarët e videove, dhe përmbante imazhe të armëve.
Të dhënat e policisë tregojnë se nëna dhe babai i djalit ishin në proces divorci dhe se ai qëndronte me të atin gjatë ndarjes.
Adoleshenti shpesh gjuante me babanë e tij, i cili i ka thënë policisë se kishte fotografuar djalin e tij me gjak dreri në faqe.
Këto nuk janë akuzat e para kundër një prindi nën dyshimin së fëmija i tij ka kryer vrasje. Në prill, prindërit e një adoleshenti në Michigan i cili kishte vrarë katër nxënës me një armë e të cilën prindërit e kishin blerë për të disa ditë para sulmit, janë dënuar për rolin e tyre në sulm.
James dhe Jennifer Crumbley u shpallën fajtorë për vrasje nga pakujdesia dhe secili u dënua me nga 10 deri në 15 vjet burgim.
Ky ishte rasti i parë kur prindërit e një fëmije që kishte kryer sulm masiv u vunë në përgjegjësi penale.
LEXO EDHE: