Autoritetet turke kanë arrestuar nëntë gazetarë që mbuluan protestat gjatë natës të së dielës në disa qytete, kundër arrestimit të kryebashkiakut të Stambollit Ekrem Imamoglu, ka bërë të ditur të hënën Unioni i Gazetarëve të Turqisë.
Nuk dihet ende pse janë arrestuar gazetarët.
Një gjykatë turke ka burgosur të dielën kryebashkiakun e Stambollit Imamoglu, rivalin kryesor politik të presidentit, Rexhep Tajip Erdogan, në pritje të gjyqit për akuzat për korrupsion, një veprim që shkaktoi protestat më të mëdha të vendit në më shumë se një dekadë, raporton Reuters.
Megjithë ndalimet e tubimeve në rrugë në shumë qytete, demonstratat kryesisht paqësore antiqeveritare u mbajtën për natën e pestë me radhë të dielën.
Partia kryesore e opozitës, Partia Popullore Republikane (CHP) ka bërë thirrje për protesta kundër vendimit të gjykatës për Imamoglun, të cilin ata e cilësojnë si të politizuar dhe jodemokratik.
Qeveria mohon se hetimet janë të motivuara politikisht dhe thotë se gjykatat janë të pavarura.
Imamoglu i ka mohuar akuzat me të cilat përballet, duke i quajtur ato "akuza dhe shpifje të paimagjinueshme" dhe ka bërë thirrje për protesta mbarëkombëtare.
Një fotograf i stafit të Agence France Presse (AFP) është në mesin e gazetarëve të arrestuar, është bërë e ditur në një postim në X.
