Botë

“Arma” e fuqishme e Pekinit në luftën e tij ndaj tarifave të Trumpit

“Arma” e fuqishme që Pekini posedon në luftën e tij ndaj tarifave të Trumpit

Më 4 prill, pas vitesh paralajmërimesh, qeveria kineze vendosi kufizime të eksportit për shtatë lloje të mineraleve të rralla të tokës, si pjesë e hakmarrjes ndaj tarifave fillestare reciproke prej 34% të Trumpit për mallrat kineze. Sipas këtyre rregullave të reja, të gjitha kompanitë duhet të sigurojnë lejen e qeverisë kineze për të eksportuar shtatë mineralet si dhe produktet shoqëruese, siç janë magnetet

Pas më pak se një viti brenda luftës së parë tregtare të Donald Trumpit me Kinën, udhëheqësi kinez Xi Jinping bëri një vizitë të profilit të lartë në një fabrikë të thjeshtë në Ganzhou, qytet industrial i vendosur mes kodrave në juglindje të vendit.

Gjatë kësaj vizite në vitin 2019, Xi ekzaminoi rresht pas rreshti blloqet metalike ngjyrë hiri dhe iu drejtua zyrtarëve të partisë së tij (Partisë Komuniste): “Mineralet e rralla janë një burim strategjik jetik”.

Gati gjashtë vjet më vonë, dominimi i Kinës në zinxhirin e furnizimit me minerale të rralla po shihet si një nga mjetet e saj më të fuqishme në një luftë të përtërirë tregtare me presidentin e Shteteve të Bashkuara. Mineralet, të përdorura për gjithçka, nga iPhone deri tek automjetet elektrike, janë komponentë jetike për zhvillimin e teknologjive që do të përcaktojë të ardhmen.

Dhe ndryshe nga tarifat, është një front ku Trumpi ka pak hapësirë ​​për t’u hakmarrë.

Mineralet e rralla janë një grup prej 17 elementesh kimike që janë më të qëndrueshme se ari dhe mund të gjenden në shumë vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara. Por nxjerrja dhe përpunimi i tyre është i vështirë, i kushtueshëm dhe ndot mjedisin.

Për dekada SHBA-ja dhe vendet e tjera kanë qenë të varura nga furnizimi i Pekinit me këto metale të përpunuara. Kina përbën 61% të prodhimit global të mineraleve të rralla, por kontrolli i saj mbi fazën e përpunimit përfshin 92% të prodhimit global, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë.

Më 4 prill, pas vite paralajmërimesh, qeveria kineze vendosi kufizime të eksportit për shtatë lloje të mineraleve të rralla të tokës, si pjesë e hakmarrjes ndaj tarifave fillestare reciproke prej 34% të Trumpit për mallrat kineze. Sipas këtyre rregullave të reja të gjitha kompanitë duhet të sigurojnë lejen e qeverisë kineze për të eksportuar shtatë mineralet si dhe produktet shoqëruese, siç janë magnetet.

“Është Kina që po tregon se mund të ushtrojë fuqi të jashtëzakonshme ekonomike duke qenë strategjike … dhe duke goditur industrinë amerikane aty ku vërtet dhemb”, tha Justin Wolfers, profesor i ekonomisë dhe politikave publike në Universitetin e Michiganit.

Të martën e kësaj jave Trumpi nënshkroi një urdhër ekzekutiv mbi një hetim për tarifat e mundshme për mineralet e rralla, për të vlerësuar ndikimin e këtyre importeve në sigurinë dhe qëndrueshmërinë e Amerikës.

“Varësia e Shteteve të Bashkuara nga importet dhe cenueshmëria e zinxhirëve tanë të furnizimit rrit potencialin për rreziqe për sigurinë kombëtare, gatishmërinë e mbrojtjes, stabilitetin e çmimeve dhe prosperitetin dhe qëndrueshmërinë ekonomike”, tha Trumpi në urdhrin ekzekutiv.

Që nga administrata e parë e Trumpit, SHBA-ja është përpjekur që të luajë hap pas hapi dhe të ndërtojë zinxhirin e saj të furnizimit me minerale të rralla. Tri kompani amerikane të industrisë së mineraleve të rralla i thanë CNN-it se janë në proces të zgjerimit të kapaciteteve prodhuese dhe sigurimit të materialeve nga aleatët dhe partnerët e SHBA-së.

Por këto përpjekje do të marrin vite të tëra kohë për të përmbushur kërkesën e madhe nga industritë kryesore të SHBA-së.

Eksportet e bllokuara

Tani për tani ndikimi i kontrollit të Pekinit mbi eksportet po ndihet në terren.

John Ormerod, themeluesi i agjencisë së mineraleve të rralla “JOC”, i tha CNN-it se dërgesat e magneteve të mineraleve të rralla që u përkasin të paktën pesë kompanive amerikane dhe evropiane janë bllokuar në Kinë që nga nënshkrimi i urdhrit ekzekutiv.

“Ata u befasuan, ka shumë paqartësi nga ana e tyre dhe kishin nevojë për sqarime nga autoritetet se çfarë kërkohet për të marrë licencat e kërkuara të eksportit”, tha ai.

Joshua Ballard, drejtor ekzekutiv i “USA Rare Earth”, tha se kontrollet mbi eksportet fokusohen në mineralet e rralla “të rënda”, të cilat kontrollohen 98% nga Kina. (Mineralet e rralla të rënda janë më pak të zakonshme, më të vështira për t’u përpunuar dhe më të vlefshme). “Kjo do të thotë se kompanitë tani duhet të marrin miratimin e Pekinit për t’i dorëzuar këto materiale kritike në industritë kryesore amerikane”, shtoi ai.

“Tani për tani, këto eksporte janë duke u pezulluar”, tha Ballard. “Ne nuk mbajmë shumë rezerva të tyre këtu në SHBA ... Kjo është loja më e mirë e Kinës. Ata nuk kanë shumë ndikim kur bëhet fjalë për tarifat ndaj nesh, por ata me siguri kanë ndikim në këtë çështje”.

“Kontrollet mbi eksportet nuk synojnë vetëm mineralet si të vetme, por edhe produktet ku këta elementë janë pjesë përbërëse minimale e tyre”, tha Thomas Kruemmer, drejtor i “Ginger International Trade and Investment”, me bazë në Singapor. “Shumë eksporte tani përfshihen në këtë sistem licencimi”, shtoi ai, duke vënë në dukje se priten vonesa derisa eksportuesit të adaptohen me sistemin e ri.

Zhvillimi i industrisë

Kina filloi shumë herët me nxjerrjen e mineraleve të rralla, duke nisur në vitet 1950, sipas mediave shtetërore, por industria filloi të zhvillohej vetëm në fund të viteve 1970.

Gjatë asaj kohe, Kina kombinoi pagat e saj të ulëta dhe standardet mjedisore relativisht të dobëta me adaptimin e teknologjive të huaja, sipas Stan Trout, themelues i agjencisë për mineralet e rralla “Spontaneous Materials”.

“Pjesa më e madhe e teknologjisë që ata sollën u zhvillua këtu në SHBA, ose në Japoni apo Evropë”, tha ai. “Dhe me kalimin e kohës, jam i sigurt se ata kanë bërë përmirësime”.

Ndërkohë që prodhimi i mineraleve të rralla në vend u rrit, Pekini gradualisht e kuptoi rëndësinë strategjike të tyre. “E dinin se kjo mund të ishte një industri shumë e rëndësishme për ta zotëruar”, shtoi Trout.

Në vitin 1992, gjatë një vizite në një nga qendrat kryesore të prodhimit të mineraleve të rralla të vendit në Mongoli, Deng Xiaoping, ish-udhëheqësi kinez që reformoi ekonominë e vendit, tha se “përderisa ka naftë në Lindjen e Mesme, Kina ka minerale të rralla”. Sot Kina ka përmbushur vizionin e Deng duke dominuar të gjithë zinxhirin e furnizimit për materialet.

“Ndonëse pagat tani janë më të larta, kontrolli i Kinës mbi industrinë është çimentuar për shkak të gatishmërisë së saj për të investuar në teknologji, studim, zhvillim dhe automatizim në një industri që është shumë intensive në kapital”, tha Ormerod.

Dikur kishte kompani amerikane që prodhonin këto magnete të mineraleve të rralla. Por Ormerod vuri në dukje se ata u tërhoqën gradualisht nga industria pasi u shfaqën alternativa kineze me kosto më të ulët.

“Ne kemi humbur njohuritë, ne kemi humbur aftësinë e burimeve njerëzore dhe është një industri shumë intensive e kapitalit”, tha ai.

Tani është e vështirë të konkurrosh me “çmimin kinez”, për shkak të ekonomive më të mëdha të vendit, si dhe stimujve të qeverisë që u dhanë atyre një avantazh shtesë, shtoi Ormerod.

Midis viteve 2020 dhe 2023, SHBA-ja mbështetej te Kina për 70% të importeve të saj të të gjitha llojeve të mineraleve të rralla, sipas një raporti të Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së të këtij viti.

Sfidë dhe mundësi për SHBA-në

Kontrollet e fundit mbi eksportin nuk janë hera e parë që Pekini ka përfituar dominimin e tij në industri. Në vitin 2010, Kina ndaloi dërgesat e mineraleve të rralla në Japoni për gati dy muaj për shkak të një mosmarrëveshjeje territoriale. Në fund të vitit 2023, Pekini vendosi të pezullonte nxjerrjen e mineraleve të rralla.  

Pekini ka pezulluar gjithashtu eksportet e mineraleve të tjera kritike që janë jetike për ekonominë dhe zinxhirët e furnizimit global.

Ekspertët e industrisë thanë se kontrollet e Kinës mbi eksportet e kanë lënë pjesën tjetër të botës me alternativa shumë të kufizuara. Por SHBA-ja po punon për të mbushur boshllëkun.

Që nga viti 2020, Departamenti Amerikan i Mbrojtjes ka investuar më shumë se 439 milionë dollarë për të krijuar zinxhirë vendas të furnizimit me minerale të rralla. Dhe madje ka vendosur një objektiv për të zhvilluar një zinxhir furnizimi të qëndrueshëm, nga minerale në magnet, i aftë për të përmbushur të gjitha kërkesat e mbrojtjes së SHBA-së deri në vitin 2027.

Disa kompani amerikane i shohin kontrollet e Kinës mbi eksportet si një mundësi për të përshpejtuar prodhimin vendas dhe për të nxitur zhvillimin e një zinxhiri furnizimi më të fortë jashtë Kinës.

Bizneset amerikane po bëjnë përpjekje që të depërtojnë edhe në zinxhirin e furnizimit.

“USA Rare Earth” po ndërton një fabrikë magnetesh në Teksas, duke synuar të prodhojë 5 mijë tonë magnete të mineraleve të rralla  në vit; ajo zotëron gjithashtu një depozitë të pasur me minerale të rralla të rënda në Teksasin perëndimor, duke përfshirë të gjitha mineralet në listën e fundit të eksporteve që Kina kontrollon, sipas drejtorit ekzekutiv, Ballard.

Por kompania është ende duke punuar në teknologjinë e përpunimit për nxjerrjen e mineraleve nga shkëmbinjtë, tha Ballard.

“Pyetja është se si ta bëjmë këtë më shpejt? Si t’i zhbllokojmë këto asete që kemi në SHBA, aq sa janë? Ne duhet ta zhbllokojmë atë që kemi dhe ta zhvillojmë sa më shpejt që të mundemi”, shtoi ai.

Pas vite bisedimesh, kompanitë amerikane mund të kenë më në fund shtysën që u nevojitet për të rizhvilluar industrinë për nxjerrjen dhe përpunimin e lëndëve të para, që është çelësi për të fituar garën teknologjike me Kinën.