Argjentina i ka kërkuar Interpolit që të lëshojë një njoftim për arrestimin e ministrit të Brendshëm iranian, Ahmad Vahidi.
Kërkesa vjen më pak se dy javë pasi një gjykatë në Argjentinë e mbajti Iranin përgjegjës për një sulm në vitin 1994, ndaj një komuniteti hebre në qendër të Buenos Aires, në të cilin kishin vdekur 85 persona, raporton BBC.
Vahidi ishte në Pakistan më herët këtë javë, si pjesë e një delegacioni iranian i cili ndodhet tani në Sri Lanka.
Shteti argjentinas po ashtu ka bërë të ditur se u ka kwrkuar të dy shteteve, Pakistanit dhe Sri Lankws që ta arrestojnë Vahidin.
Ministria e Jashtme argjentinase, ka thënë në një deklaratë se Interpoli ka lëshuar një të ashtuquajtur “njoftim i kuq”.
Derisa një njoftim i tillë i njofton policitë në shtetet anëtarë rreth të arratisurve të kërkuar ndërkombëtarisht, ajo nuk përbën një urdhër arrestimi.
Interpoli nuk mund ta detyrojë policinë që të arrestojë dikë për të cilin është lëshuar një “njoftim i kuq”, pasi është në dorën e shteteve anëtare që të vendosin për ta bërë arrestin.
Delegacioni iranian, në të cilin është edhe presidenti Ebrahim Raisi, ka arritur në Sri Lankë të mërkurën në mëngjes. AFP-ja ka raportuar se ministri Vahidi nuk është parë në shoqërinë e presidentit me të arritur në Sri Lankë.
Agjencia shtetërore e lajmeve e Iranit ka raportuar se Vahidi ishte kthyer në Iran të martën, pa iu referuar “njoftimit të kuq”.
Ministria e Jashtme argjentinase ka deklaruar se e dëshiron Vahidin “si një nga përgjegjësit për sulmin në Qendrën kulturore të Shoqatës së Ndërsjellë Izraelito-Argjentinase, Amia".
Sulmi ishte më vdekjeprurësi në historinë e Argjentinës. Treqind njerëz kishin mbetur të lënduar në shpërthimin që vrau 85 persona.