Ekstradimi i themeluesit të Wikileaks, Julian Assange, në SHBA është aprovuar nga Sekretarja e brendshme e Mbretërisë së Bashkuar, Priti Patel.
Assange ka 14 ditë për të apeluar vendimin, raportoi BBC të premten.
Sipas Patel, gjykatat gjetën se ekstradimi nuk do të ishte "në kundërshtim me të drejtat e tij njerëzore" dhe se në SHBA "ai do të trajtohet siç duhet".
Assange kërkohet nga autoritetet amerikane për rrjedhjen e dokumenteve dhe zbulimin e tyre në vitin 2010 dhe 2011.
Ai ka qenë në burg që kur u hoq nga ambasada e Ekuadorit në Londër në vitin 2019 dhe u arrestua nga policia britanike, pasi Ekuadori tërhoqi statusin e tij të azilit.
Gruaja e Assange, Stella, tha se burri i saj nuk kishte bërë "asgjë të gabuar" dhe "ai nuk ka kryer asnjë krim".
“Ai është gazetar dhe botues dhe po dënohet për punën e tij”.
Në maj 2019, ndërsa po vuante një dënim me burg në Britani për shkelje të lirimit me kusht, Departamenti i Drejtësisë amerikane ngriti 17 akuza kundër Assanges për shkelje të Aktit të Spiunazhit - duke pretenduar se materiali i marrë nga Wikileaks rrezikonte jetë.
Ekipi ligjor i Assanges pretendoi se dokumentet e klasifikuara të publikuara nga Wikileaks, të cilat lidheshin me luftërat në Irak dhe Afganistan, ekspozonin keqbërjet e SHBA-së dhe ishin në interesin publik.
Amnesty International tha se mundësimi i ekstradimit "do ta vinte atë në rrezik të madh dhe do të dërgonte një mesazh frikësues për gazetarët".