Botë

Anulohet takimi Kallas-Rubio ku do të flitej për qasjen “e butë” të SHBA-së ndaj luftës në Ukrainë

Kaja Kallas dhe Marco Rubio

Foto: Associated Press

Takimi mes Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas dhe Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, është anuluar dhe nuk do të zhvillohet gjatë vizitës së saj zyrtare në Uashington. 

“Përfaqësuesja e Lartë nuk do të takohet me Sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, në këtë rast për shkak të çështjeve të planifikimit. Ata u takuan për herë të fundit gjatë Konferencës së Sigurisë së Mynihut”, ka thënë zëdhënësi i saj për “Euronews”.

Ai ka shtuar se Kallas do të vazhdojë të mbajë takime me përfaqësuesit e Kongresit dhe Senatit të SHBA-së për të diskutuar mbi luftën e Rusisë kundër Ukrainës dhe marrëdhëniet transatlantike.

Kallas ka udhëtuar për në SHBA me pritjen për t'u ulur me homologun e saj dhe për të folur për shtytjen e Donald Trumpit që të nisin negociatat me Rusinë dhe Ukrainën, e cila ka “tronditur” aleatët evropianë për natyrën e saj të njëanshme dhe të pakoordinuar.

Përfaqësuesja e Lartë ka qenë kritike për qasjen e Shtëpisë së Bardhë, duke i përshkruar koncesionet e ofruara për Kremlinin si formë "zbutjeje" dhe duke bërë thirrje që si Ukraina ashtu edhe Evropa të përfshihen nga afër në këtë proces diplomatik.

“Kam qenë shumë e qartë se asnjë marrëveshje pa ne, pa Ukrainën apo pa Evropën nuk do të funksionojë në praktikë – dhe kjo është për Shtetet e Bashkuara, të cilat gjithashtu duhet të punojnë me ne”, ka thënë Kallas të hënën. "Një marrëveshje e keqe për Ukrainën është marrëveshje e keqe për Evropën, por është gjithashtu e keqe edhe për Amerikën”, ka shtuar ajo.