Botë

Anulimi i fluturimeve mes tensioneve Iran-Izrael

Fluturimet

Si pasojë e sulmit në fundjavë të Iranit ndaj Izraelit që përfshiu qindra dronë, raketa balistike dhe raketa lundrimi, Izraeli dhe disa vende të tjera në rajon mbyllën përkohësisht hapësirën e tyre ajrore dhe të dhënat e fluturimeve treguan se dhjetëra avionë u detyruan të ktheheshin prapa, raporton AP.

Udhëtarët pritnin me durim në aeroportin “Ben Gurion” të Izraelit ndërsa vendi rihapi hapësirën ajrore pas sulmit të paprecedentë ajror të Iranit.

Analisti i pavarur i industrisë së udhëtimit, Henry Harteveldt thotë se linjat ajrore në rajon po operojnë me kujdes.

“Linjat ajrore do të jenë jashtëzakonisht të kujdesshme, kur bëhet fjalë për fluturimet për në Izrael dhe atë pjesë të Lindjes së Mesme. Mund të rezultojë të kemi fluturime që zgjasin më shumë se normalja”, është shprehur ai. 

Harteveldt ka thënë se është gjithashtu një “situatë shumë kaotike” së cilës linjat ajrore duhet t’i përgjigjen.

“Linjat ajrore duhet t’i balancojnë gjërat. Nuk duhet të rrezikohen aeroplanët, ekuipazhi dhe udhëtarët.  Por në të njëjtën kohë, nëse gjërat duken sikur do të jenë të qeta, nëse aeroportet janë të sigurta për të operuar brenda dhe jashtë, atëherë unë besoj se ata do të vazhdojnë të fluturojnë brenda dhe jashtë atyre aeroporteve”, ka theksuar ai. 

Linja ajrore me bazë në Mbretërinë e Bashkuar “EasyJet” ka njoftuar  se nuk do të fluturojë për në Izrael për pjesën tjetër të sezonit të pranverës dhe verës, pasi Irani sulmoi vendin me një breshëri dronësh dhe raketash fundjavën e kaluar.

Kompania ka bërë të ditur se nuk do të rifillonte fluturimet për në Tel Aviv përpara fundit të tetorit.