Marina Mbretërore ka monitoruar një anije spiune ruse pasi ajo hyri në ujërat britanike në fillim të kësaj jave, ka deklaruar sekretari britanik i Mbrojtjes, John Healey, para deputetëve të mërkurën.
Healey ka thënë se anija, Yantar, është përdorur për marrjen e informatave inteligjente dhe hartës së infrastrukturës kritike nënujore të Mbretërisë së Bashkuar.
Ai ka shtuar se incidenti është "një shembull tjetër i agresionit rus në rritje", raporton BBC.
"Unë gjithashtu do të doja që presidenti Putin të dëgjonte këtë mesazh: ne ju shohim, ne e dimë se çfarë po bëni dhe ne nuk do t'i shmangemi veprimeve të forta për të mbrojtur këtë vend", ka deklaruar Healey.
Rusia e përshkruan Yantar si një anije kërkimore oqeanike dhe operohet nga Ministria e Mbrojtjes e vendit.
Vendet perëndimore e kanë gjurmuar shpesh anijen që operon në ujërat evropiane dhe ata dyshojnë se një pjesë e misionit të saj ka qenë gjetja e kabllove nënujore.
Ata gjithashtu besojnë se Rusia e ka rritur këtë aktivitet që kur ka nisur pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës.
Anija mund të përdorë dronë zhytës të aftë për të arritur në fundin e oqeanit.
Infrastruktura nënujore është thelbësore për furnizimin me energji përmes kabllove dhe tubacioneve të energjisë, ndërsa më shumë se 95% e trafikut të internetit sigurohet gjithashtu nëpërmjet kabllove nënujore.
Sekretari i Mbrojtjes ka thënë se është hera e dytë që anija ka hyrë në ujërat britanike në muajt e fundit, teksa ka shtuar se qeveria po forcon reagimin e saj ndaj aktivitetit detar rus me aleatët e saj të NATO-s.