Disa nga të zgjedhurit për kabinetin dhe administratën e Donald Trumpit janë shënjestruar në orët e fundit me kërcënime me bombë dhe “ngacmime kriminale”, ka thënë të mërkurën një zëdhënëse e presidentit të zgjedhur të SHBA-së.
Kërcënimet u bënë të martën e të mërkurën dhe autoritetet vepruan shpejt, për ta garantuar sigurinë e të shënjestruarve, ka thënë Karoline Leavitt në një deklaratë.
Leavitt nuk ka treguar se kush ishte objektiv i kërcënimeve, e as për natyrën e kërcënimit. Zëdhënësit e FBI-së dhe Departamentit të Drejtësisë nuk kanë komentuar për çështjen, raporton Reuters.
Leavitt ka thënë se sulmet “varionin nga kërcënime me bombë e deri te ‘ngacmimet kriminale’”.
Trumpi i ka shpallur zgjedhjet për kabinetin e tij dhe postet e tjera të administratës, pas fitores së tij në zgjedhjet e 5 nëntorit.
As Trumpi nuk ka komentuar rreth rastit.
Kërcënimet vijnë disa muaj, pasi Trumpi u plagos në vesh në atentatin në Pensilvani në korrik. Në një incident tjetër, një burrë u akuzua për tentativë vrasjeje ndaj Trumpit në shtator, pasi u kap me pushkë jashtë një prej fushave të golfit të Trumpit në Florida.