Personi i armatosur, që e qëlloi në prill të vitit 2016, nuk u kap kurrë. Ai i zuri pritë Jonathanit teksa po merrte një mbushës telefoni nga makina e parkuar përpara shtëpisë së familjes së tij, në lagjen “Little Village” të Çikagos.
Në murin e spitalit të rehabilitimit qëndron fotografia e madhe e Jonathan Annicks, ku dikur ishte pacient.
Ndonjëherë, kur rrotullohet në karrigen e tij me rrota, e vështron foton bardhezi, e shkrepur pak pasi u qëllua dhe u paralizua. Atëherë ishte vetëm 18 vjeç, faqet i kishte më të rrumbullakëta e flokët më të shkurtër.
Tash dukej me mjaft vetëbesim, madje dhe i qetë. “E kam lënë prapa...tash jemi mirë, mund të shkojmë”, ka thënë Jonathan.
Në atë kohë nuk kishte zgjidhje tjetër veçse ta mblidhte veten. Duhej ta bënte këtë për veten dhe për familjen e tij. Nëse ai dorëzohej, atëherë krejt bota e tij do të shkërmoqej plotësisht. Mirëpo, shumë shpesh ishte i ashpër me veten, edhe i hutuar.
"Unë nuk e di se çfarë jam duke bërë", kujton ai duke menduar. Ai kishte frikë të dilte jashtë, veçanërisht pa këmbët që funksiononin. Po sikur dikush të vinte përsëri pas tij? Ai nuk do të mund të vraponte.
“O zot, Jonathan, je i mrekullueshëm. Po ia del shumë mirë,” do të thoshin njerëzit.
“Po, ai është”, tha mamaja e tij, Herlinda Annicks. Por edhe tani, "kjo nuk do të thotë se ai nuk po lufton nga brenda me gjithçka, sepse, e dini, kjo ndryshoi plotësisht botën e tij përreth”.
Të pranosh se nuk është mirë gjatë gjithë kohës nuk ka qenë e lehtë për të riun që nuk dëshiron të shihet kurrë si ankues. "Të gjithë kanë ditë të këqija", tha Jonathan.
Por, në moshën 24-vjeçare, pak më i madh dhe më i mençur, ai ka mësuar se triumfi mbi tragjedinë rrallë vjen në pako të rregullta.
Momenti i sulmit
Personi i armatosur, që e qëlloi në prill të vitit 2016, nuk u kap kurrë. Ai i zuri pritë Jonathanit teksa po merrte një mbushës telefoni nga makina e parkuar përpara shtëpisë së familjes së tij, në lagjen “Little Village” të Çikagos. Disa javë më vonë, një ekip i Associated Press u takua me të dhe familjen e tij për të dokumentuar historinë e tij. Muajt e parë ishin një vorbull.
I riu, me sytë e mëdhenj të kafenjtë dhe një buzëqeshje të lehtë i mahniti të gjithë kur shkoi në maturë dy muaj pas të shtënave.
Menjëherë pas kësaj, teksa po kalonte skenën, për të marrë diplomën e shkollës së mesme, ai festoi duke dalë me një karrige me rrota.
Atë vjeshtë ai filloi mësimet në Universitetin DePaul, duke marrë trenin, dhe përfundimisht duke vozitur vetë në makinën e tij, të modifikuar me kontroll dore.
“Nuk ka kuptim të kthehem pas dhe të mbytem për diçka që nuk mund ta ndryshoj”, tha ai në atë kohë.
Megjithatë, ai shqetësohej se do të rëndonte familjen e tij. Ai dhe e dashura e tij u ndanë pasi ajo shkoi në kolegj në një shtet tjetër. Dhe, derisa ai vazhdoi të mbështetej në një grup të vogël miqsh, që kishte bërë para të shtënave, e kishte të vështirë të bënte miq të rinj në kolegj.
Ai donte të ishte më shumë sesa thjesht "djaloshi në karrige me rrota". Por ankthi i tij social, i kahershëm, por i përkeqësuar nga lëndimi i tij, mund të jetë paralizues në mënyrën e vet.
Vështirësitë jetësore
Deri në dimrin e vitit 2020, Jonathan ishte në pikën më të ulët të jetës. Ai e kishte siguruar familjen e tij se po i kryente detyrat e klasës. Pastaj mamaja e tij mori një telefonatë, një kontroll mirëqenieje nga DePaul. Ai nuk kishte shkuar në klasë dhe nuk i kishte kryer detyrat.
“Mund të më kishe rrëzuar me një pendë, sepse mendova, o Zot, e kam pyetur për javë të tëra: ‘Çfarë po bën? Çfarë po ndodh? Si është shkolla?”, tha nëna e tij.
Ata patën një bisedë të gjatë. Ai kishte qenë "në kokën e tij", tha ai. "Ishte një gjë e besimit". Duke u kapur, ndihej dërrmues. Por ai e kuptoi se të mos i tregonte askujt atë që po ndodhte do ta kishte rënduar.
Ishte një pikë kthese.
Gjatë asaj kohe mamaja e tij pati mundësinë përmes punëdhënësit të saj, BMO Harris Bank, të fitonte diplomën e saj master në Administrim Biznesi në DePaul, shkolla e Jonathanit.
Gjatë pandemisë ata të dy ndoqën mësimet online në shtëpi dhe në fillim të këtij muaji diplomuan së bashku. Nëna e prezantoi Jonathanin me kopertinë për diplomën e tij bachelor, në komunikim dhe media. Ai e prezantoi të nënës, për MBA-në e saj.
Mamaja e tij i mbajti lotët, ndërsa burri i saj, Mike dhe një grup i vogël familjarësh dhe miqsh fishkëllenin dhe duartrokisnin nga tribuna.
"Nuk mund të kërkoja kurrë asgjë më të mirë se kjo", tha Herlinda, duke kujtuar ditët dhe netët e shumta që kaloi duke ndihmuar në kujdesin e Jonathanit në spital dhe më pas.
Ajo ishte lutur që të vinte një ditë si kjo.
Qëkur Jonathan, u qëllua në vitin 2016, numri i të shtënave në Çikago pësoi rënie, derisa pandemia goditi.
Shumë viktima me armë zjarri dhe njerëz me lloje të tjera të lëndimeve të shtyllës kurrizore vijnë në Spitalin e Rehabilitimit Schwab, siç bëri ai.
Ndihma për të tjerët
Tani Jonathan, ish-pacienti, është një mentor që u ndihmon atyre të mësojnë aftësitë e jetës, për ata që janë të paralizuar.
Këtë pranverë ai shoqëroi një grup, të gjithë me karrige me rrota, në një lojë basketbolli të Chicago Bulls. Ai u ka mësuar disa prej tyre se si të lundrojnë në sistemin e përfitimeve dhe si t'i bëjnë shtëpitë e tyre më të qasshme.
Së fundmi ai i tregoi Cesar Romeros, një pacienti rehabilitimi, se si të transferohej nga karrigia e tij me rrota në një makinë. 45-vjeçari nga Çikagoja punonte në ndërtim, derisa u qëllua vitin e kaluar, duke shkuar në dyqan ushqimor.
"A ver?" Jonathani, e pyeti studentin e tij në spanjisht. E shikon? Të qenit bilingual e ka bërë atë edhe më të vlefshëm për spitalin, ku ai shpreson se mund të punojë në departamentin e marketingut, tani që është diplomuar.
"Në rregull, le të shkojmë!" tha Romero, ndërsa u zhvendos në sediljen e shoferit, duke kapur me gëzim timonin dhe duke e tundur përpara dhe mbrapa.
“Nëse ai mund ta bëjë, edhe unë mund ta bëj”, tha Romero.
Këto momente i sjellin Jonathanit gëzim dhe e ndihmojnë për t'ia dhënë atij një qëllim.
Siç i jep edhe luajtja e softballit me karrige me rrota.
Në një stërvitje të kohëve të fundit, Jonathan filloi një vrapim nga parku në shtëpi, ndërsa shokët e tij të skuadrës dhe trajnerët brohorisnin.
"Kjo do të tingëllojë e çuditshme ... por njerëz si Johnny ofrojnë një pishtar për njerëzit që janë atje", tha Jorge "Georgie" Alfaro, një mentor bashkëmoshatar, për ekipin, i cili ndër të tjera, sponsorizohet nga Distrikti i Chicago Park dhe Shirley Ryan Ability Lab.
“Dua që një fëmijë i vogël, në një karrige me rrota të vijë dhe të luajë softball për herë të parë dhe të takojë njerëz si Johnny… dhe prindërit të thonë, ‘O Zot, fëmija im do të jetë mirë’”.
Përsëri “mirë”, nuk do të thotë se është e lehtë.
Jonathani, u thotë vëllezërve të tij më të vegjël se nëse do të mund të urinonte nën kontrollin e tij, nuk do ta kishte problem të paralizohej. Të zgjohesh nga rrëmuja e herëpashershme në shtratin e tij, thotë ai, është demoralizuese.
Plagët e presionit janë gjithashtu një shqetësim i vazhdueshëm. Ato mund të prekin njerëzit që qëndrojnë ulur ose të shtrirë në shtrat për periudha të gjata dhe mund të çojnë në infeksione kërcënuese për jetën. Njërit prej miqve të tij i është amputuar gishti i këmbës. Një tjetër duhej të linte shkollën.
Por sfidat nuk e kanë penguar Jonathanin të ëndërrojë. Ai dëshiron të jetojë vetëm, të takojë një person të veçantë dhe të ketë fëmijë të tij, gjë që është ende e mundur pavarësisht nga lëndimi i tij.
"Të kem fëmijë do të ishte çmenduri, të kem të voglin tim që vrapon përreth", tha ai në heshtje, duke buzëqeshur me turp.
Nëse kjo do të ndodhë, pranon ai, ai në fakt do të duhej të dilte dhe të shoqërohej. “Nuk është e lehtë për mua. Por duhet ta bëj”.
Ai dëshiron që të mund të kthehej pas në kohë dhe të qetësonte veten e tij 18-vjeçar, atë në foton, në murin e spitalit Schwab.
Ai do t'i thoshte: "Mos u trego kaq i keq me veten. Do ta kuptosh, përfundimisht. Ndalo së stresuari për të”.
Kjo e bën Jonathanin të kuptojë se sa larg ka arritur.
Përktheu: Forca Jashari