Botë

Amerikania që jeton në Prishtinë e tronditur nga zjarret në vendlindjen e saj

Të paktën pesë persona kanë vdekur nga zjarret që kanë kapluar një pjesë të konsiderueshme të Los Angelesit. Ndërsa më shumë se 100 mijë njerëz janë detyruar të evakuohen si pasojë e tij.  Rreth 2 mijë struktura, përfshirë shumë shtëpi janë shkatërruar thellë në zemër të industrisë amerikane të filmit.

Një nga zonat më të dëmtuara është Palisades, aty ku është lindur dhe rritur amerikania Janet Reineck, që jeton tash në Prishtinë. 

Reineck ka rrëfyer për KOHËN se si po e përjeton ajo këtë fatkeqësi. 

“Ka qenë mëngjes kur shoqja ime më ka lajmëruar dhe prej atëherë jam tronditur e po i përcjell vazhdimisht ditë e natë lajmet në lidhje me zjarret në Kaliforni. Krejt shoqëria ime po komunikojmë në Facebook dhe po diskutojmë se cilat shtëpi e rrugë janë shkatërruar. Këtë bisedë e kemi non-stop”, thotë Reineck. 

Reineck në një intervistë për KOHËN ka treguar edhe për dëmet që janë shkaktuar nga zjarret masive.

"Qyteza ime ka 70 mijë metra katrorë dhe krejt është djegur”, tha ajo. 

Edhe pse parashikuesit e motit kanë paraparë që fuqia e erërave do të bjerë, kushtet e rrezikshme atmosferike pritet të vazhdojnë deri të premten.

Pothuajse 300.000 shtëpi dhe biznese mbetën pa rrymë në Los Angeles të mërkurën, teksa shkollat janë të mbyllura.

Përmasa e zjarreve ka bërë që zjarrfikësit të përballen me vështirësi dhe të punojnë përtej kapaciteteve të tyre.