Botë

Ambasadori rus: Britania e Madhe po lufton indirekt në Ukrainë

Andrei Kelin

Andrei Kelin

Foto: Associated Press

Ambasadori i Moskës në Londër, Andrei Kelin, ka thënë se Mbretëria e Bashkuar po zhvillon një luftë indirekte kundër Rusisë, duke e parashikuar “fundin e Ukrainës”, teksa forcat pushtuese ruse bëjnë përparime më të thella në vend, raporton The Guardian.

Në një intervistë, Andrei Kelin ka thënë se Ukraina po vazhdon të luftojë, por ka pretenduar se “rezistenca është më e dobët”.

Trupat ruse, ka thënë ai, janë duke fituar më shumë terren çdo ditë.

"Fundi i kësaj faze do të thotë fundi i Ukrainës", është shprehur ai.

Rusia thuhet se kontrollon rreth 18 për qind të Ukrainës dhe ka bërë avancime të ngadalta, por të rëndësishme gjatë vitit të fundit.

Kelini gjithashtu e ka përshkruar luftën si “luftë indirekte të udhëhequr nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar e cila duke siguruar armë po vret ushtarët dhe civilët rusë”.

Komentet erdhën pasi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka shtuar thirrjet drejtuar vendeve perëndimore për sistemet e mbrojtjes ajrore, pasi sulmet me raketa ruse në qytetin qendror të Kryvyi Rih të shtunën vonë plagosën 17 persona, sipas zyrtarëve ukrainas.

Duke e përshkruar “planin e tij të fitores” këtë javë, Zelensky bëri thirrje për ftesën “e menjëhershme” për t’iu bashkuar NATO-s, që të garantohet siguria e Ukrainës.

Moska pretendoi se plani mund të çojë në një përshkallëzim, duke e shtyrë NATO-n në konflikt të drejtpërdrejtë me Rusinë.