Partia e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) të shtunën ka njoftuar se Alice Weidel do të jetë kandidatja për kancelare në zgjedhjet e jashtëzakonshme më 23 shkurt.
Sipas udhëheqjes së partisë, komiteti ekzekutiv federal i AfD-së dhe kryetarët e komitetit federal vendosën njëzëri në Berlin të emërojnë politikanen 45-vjeçare si kandidaten për kancelare.
“Sot është ditë e madhe për partinë dhe ditë e madhe për Gjermaninë”, ka thënë Weidel në një konferencë për media.
“Sipas sondazheve të shumta, ne jemi aktualisht të dytët për nga fuqia dhe nga kjo ne duam mandat për të udhëhequr Gjermaninë”, ka shtuar Weidel.
Pak ditë përpara emërimit të Weidelit, AfD-ja paraqiti projekt-program zgjedhor që kishte ton të fortë nacionalist.
Ndër të tjera, AfD-ja dëshiron të largohet nga BE-ja dhe Eurozona, bën thirrje për politikë të rreptë kundër emigracionit, mbron afrimin me Rusinë, dëshiron të kufizojë të drejtën e abortit dhe të forcojë modelet tradicionale të familjes.