Botë

Alarmon OBSH-ja: Duhet të përgatitemi për pandeminë e gripit të shpendëve

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se bota duhet të përgatitet për një pandemi të mundshme të gripit të shpendëve te njerëzit – pasi gripi ka kaluar nga zogjtë te gjitarët, shkruan AP.

Rastet e llojit H5N1 janë raportuar tashmë në vizon dhe dhelpra, duke shkaktuar frikë se virusi është një hap më afër përhapjes te njerëzit.

Gjatë një konference virtuale të enjten, drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, u kërkoi shteteve të monitorojnë nga afër infeksionet te gjitarët.

Ai ka thënë se rreziku i kalimit të virusit te njerëzit ishte ende i ulët, por ne “nuk mund të supozojmë se do të mbetet kështu dhe ne duhet të përgatitemi për çdo ndryshim në status quo”.

Britania e Madhe raportoi se shpërthimi më i madh ndonjëherë i gripit të shpendëve ishte përhapur te gjitarët. Pati gjithashtu një shpërthim në mesin e vizonit në Spanjën Veriperëndimore të raportuar muajin e kaluar.

H5N1 është zbuluar më parë te njerëzit, por rastet kanë qenë sporadike dhe të lidhura ngushtë me kontaktin e ngushtë me zogj të ngordhur ose të gjallë të infektuar.

Virusi nuk infekton lehtë njerëzit apo gjitarët e tjerë.

Por raportet për infeksione te gjitarët kanë ngritur shqetësimin se patogjeni mund të fitojë mutacione që e bëjnë më të lehtë për virusin kalimin te njerëzit.

Ekspertët kryesorë paralajmëruan më parë se përhapja e gripit të shpendëve përbën një rrezik global derisa të vihet nën kontroll.

Ekspertët kanë paralajmëruar se shpërthimet e infeksionit midis vizonit mund të çojnë në një rikombinim - kur dy viruse ndërrojnë materialin gjenetik për të bërë një të ri.