Botë

Alarmi në Lindjen e Mesme ia ndërpret udhëtimin Bidenit

Joe Biden

Foto: Associated Press

Presidenti amerikan, Joe Biden, do të kthehet në Uashington të shtunën pasdite, sipas kohës në Shtetet e Bashkuara, për konsultime urgjente me ekipin e tij të sigurisë kombëtare, mes alarmit për një sulm të mundshëm të Iranit ndaj Izraelit.

Ai ka ndërprerë udhëtimin e fundjavës në Delaware herët, ka thënë Shtëpia e Bardhë të shtunën, për të diskutuar mbi zhvillimet në Lindjen e Mesme. Teherani është zotuar të hakmerret për një sulm në Damask javën e kaluar nga i cili gjetën vdiqën një komandant i lartë i Gardës Revolucionare iraniane dhe gjashtë oficerë të tjerë, për të cilin Irani akuzon Izraelin.

Menjëherë pasi Shtëpia e Bardhë njoftoi ndryshimin e planeve të Bidenit, Pentagoni ka thënë se Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin kishte folur me homologun e tij izraelit “për të diskutuar kërcënimet urgjente rajonale... dhe e bëri të qartë se Izraeli mund të mbështetet plotësisht tek Shtetet e Bashkuara për t’u mbrojtur nga çdo sulm i Iranit dhe grupeve të mbështetura prej tij”.

Zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar për një sulm të mundshëm iranian ndaj Izraelit në përgjigje të sulmit izraelit në ambasadën e Iranit në Damask.

Mes tensioneve të shtuara, Garda Revolucionare e Iranit konfiskoi të shtunën një anije transporti që “lidhet me regjimin zionist (të Izraelit)” afër Ngushticës së Hormuzit” njoftuan mediat shtetërore në Teheran.

Më vonë, operatori i anijes, konsorciumi italiano-zvicerian “MSC” konfirmoi njoftimet se autoritetet iraniane kishin hipur në bordin e anijes së transportit.

Shtëpia e Bardhë kritikoi konfiskimin e anijes së transportit, e cila është pronë britanike.

Ndërkohë, Izraeli të shtunën vendosi të ndërpresë ekskursionet e shkollave dhe aktiviteteve të tjera për të rinjtë në ditët e ardhshme dhe vuri në gatishmëri të lartë forcat e tij ushtarake në përgjigje të kërcënimit për një sulm të mundshëm nga Irani.

Gjatë një konference televizive për shtypin, zëdhënësi i ushtrisë izraelit nënadmirali Daniel Hagari ka thënë se dhjetëra avionë luftarakë po patrullojnë hapësirën ajrore në kuadër të masave të gatishmërisë së lartë.

Të premten, Bideni paralajmëroi Iranin kundër veprimeve hakmarrëse edhe pse tha se një sulm i Iranit mund të jetë i afërt./VoA