Senatori demokrat i New Jerseyt, Bob Menendez dhe bashkëshortja e tij janë akuzuar për pengim të drejtësisë në një aktakuzë të re 18-pikëshe që është zbuluar të martën, raporton agjencia “Reuters”. Kjo padi i është shtuar akuzave për korrupsion me të cilat po përballet Menendezi tashmë.
Menendez ishte deklaruar i pafajshëm për akuzat e mëparshme për pranim të qindra e mijërave dollarëve nga biznesmenë për të penguar hetimet me të cilat ata përballeshin, si dhe se ka vepruar ilegalisht si agjent i qeverisë së Egjiptit.
Në aktakuzën e re, prokurorët federalë në Manhattan kanë thënë se avokatët e Menendezit u kishin thënë atyre në takimet e vitit të kaluar se senatori nuk kishte qenë në dijeni deri në vitin 2022 për pagesat e hipotekës apo të makinës që dy biznesmenë kishin bërë për gruan e tij. Dhe kur mori vesh për pagesat ai kishte menduar se ishin kredi.
“Në të vërtetë dhe në fakt, dhe siç e dinte mirë Menendez, ai kishte mësuar si për pagesën e hipotekës ashtu edhe për pagesat e makinave para vitit 2022, dhe ato nuk ishin hua apo kredi, por ishin ryshfet”, kanë thënë prokurorët.
Avokatët e Menendezit nuk u janë përgjigjur menjëherë kërkesave për një koment. Po ashtu edhe avokatët e bashkëshortes së Menendezit, Nadines.
Në akuzën e shtatorit, prokurorët thanë se hetuesit kishin gjetur shufra ari dhe zarfe të mbushura me para në xhaketat në apartamentin e Menendezit.
Ata gjithashtu thanë se biznesmeni Wael Hana kishte organizuar takime mes senatorit dhe zyrtarëve egjiptianë, të cilët i kërkuan senatorit të nënshkruante ndihmën ushtarake.
Në këmbim, Hana vendosi gruan e Menendezit në listën e pagave të një kompanie që ai kontrollonte, thanë prokurorët. Hana ishte deklaruar i pafajshëm.
Prokurorët ngritën padi më gjithëpërfshirëse në janar kundër Menendezit, duke e akuzuar atë se ndihmoi një biznesmen nga New Jersey për të kërkuar investime nga një kompani e Katarit nëpërmjet lidhjeve që kishte në qeverinë e shtetit të Lindjes së Mesme.
Menendez i ka rezistuar thirrjeve për dorëheqje , duke përfshirë edhe ato nga kolegët demokratë. Ai u tërhoq përkohësisht nga posti i kryetarit të komitetit për marrëdhënie të jashtme në Senatin në SHBA, pasi u akuzua në shtator.