Një aktivist i njohur iranian për të drejtat e njeriut e ka vrarë veten në shenjë proteste për shkak të asaj që ai e quajti diktaturë të liderit suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei.
Në një postim në rrjete sociale, Kianoosh Sanjari, pati shkruar se do ta vriste veten nëse katër të burgosurit politikë nuk do të liroheshin deri në orën 19:00 të mërkurën.
Vdekja e tij u konfirmua disa orë më pas nga aktivistë të tjerë.
Në një postim tjetër ai pati shkruar se shpresonte që “një ditë iranianët të zgjohen dhe ta kalojnë skllavërinë”.
Sanjari ishte një kritik i zëshëm i liderëve të Iranit dhe kërkonte demokraci.
“Askush nuk duhet të burgoset për shprehjen e lirë të opinioneve të tij”, ka thënë para se të vdiste.
“Protesta është e drejtë e çdo iraniani”.
Të mërkurën në mëngjes ai ka shkruar: “Nëse Fateme Sepehari, Nasreen Shakrami, Tomaj Salehi dhe Arsham Razaei, nuk lirohen nga burgu deri në orën 19:00 sot... unë do t’i jap fund jetës time në protestë kundër diktaturës së Khameneit dhe partnerëve të tij”.
Që të katër ishin arrestuar për mbështetjen dhe përfshirjen në protestat pas vdekjes së 22-vjeçares, Mahsa Amini, e cila vdiq më 2022 pasi u mor në mbajtje nga policia e moralit në Iran.
Sanjari vazhdimisht ishte arrestuar dhe burgosur për aktivizmin e tij mes viteve 1999-2007.