Botë

Ai u largua nga Gaza, por Gaza s’u largua kurrë nga ai

cnn

Ushtarët izraelitë që kanë luftuar në Rripin e Gazës rrëfejnë për tmerret e luftës që bota e jashtme nuk mund t’i paramendojë dot kurrë. Dëshmitë e tyre ofrojnë një vështrim të rrallë të brutalitetit, të asaj që kritikët e kanë quajtur “lufta e përhershme” e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe ndikimin që ajo ka mbi ushtarët pjesëmarrës

Babai i katër fëmijëve, Eliran Mizrahi, 40-vjeçar, është nisur në Gazë, pas sulmit vdekjeprurës të Hamasit në Izrael më 7 tetor të vitit të kaluar.

Ushtari izraelit është rikthyer si person tjetër, i traumatizuar nga ato që ka parë në luftën kundër Hamasit në Rripin e Gazës, ka thënë familja e tij. Gjashtë muaj pasi është dërguar për herë të parë për të luftuar, ai ka pasur probleme me çrregullimin e stresit post-traumatik (PTSD) në shtëpi. Para se të rikthehej për të luftuar, ai vrau veten.

“Ai u largua nga Gaza, por Gaza nuk u largua nga ai. Dhe vdiq nga kjo, për shkak të traumës”, ka thënë nëna e tij, Jenny Mizrahi.

Ushtria izraelite ka thënë se po kujdeset për mijëra ushtarë që vuajnë nga PTSD-ja ose çrregullimet mendore të shkaktuara nga trauma e luftës. Është e paqartë se sa prej tyre janë vetëvrarë, meqë Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) nuk kanë publikuar të dhëna zyrtare.

Lufta njëvjeçare e Izraelit në Gazë ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 42 mijë njerëz, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, duke përfshirë raportimet nga OKB-ja që shumica e viktimave janë gra dhe fëmijë.

Lufta, e cila ka nisur pasi Hamasi ka vrarë 1200 njerëz dhe ka marrë rreth 250 pengje, është më e gjata e Izraelit që nga krijimi i shtetit. Dhe tani po zgjerohet edhe në Liban, ku disa ushtarë thonë se kanë frikë të dërgohen në një konflikt tjetër.

“Shumë nga ne janë shumë të frikësuar se mos dërgohemi në luftën në Liban”, ka thënë një mjek i IDF-së, që ka shërbyer katër muaj në Gazë. “Shumë nga ne nuk e besojmë Qeverinë tani”.

Autoritetet izraelite ua kanë ndaluar qasjen në Gazë gazetarëve të huaj, duke e bërë të vështirë të shihen vuajtjet e palestinezëve dhe eksperiencat e ushtarëve. Ushtarët izraelitë që kanë luftuar atje, kanë thënë se kanë parë tmerre që bota e jashtme nuk mund t’i paramendojë. Dëshmitë e tyre ofrojnë një vështrim të rrallë të brutalitetit, të asaj që kritikët e kanë quajtur “lufta e përhershme” e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ndikimin që ka mbi ushtarët pjesëmarrës.

Për shumë ushtarë, lufta në Gazë është luftë për mbijetesën e Izraelit dhe duhet të fitohet pavarësisht çfarë. Por beteja ka ndikim në gjendjen mendore që, për shkak të stigmës, është e padukshme. Intervistat me ushtarët izraelitë, mjekun dhe familjen e Mizrahit, ofrojnë një pasqyrë të barrës psikologjike që lufta po i shkakton shoqërisë izraelite.

Ndikimi në shëndetin mental

Mizrahi është nisur në Gazë më 8 tetor të vitit të kaluar dhe ka pasur për detyrë vozitjen e një buldozeri D-9, automjet i blinduar 62 tonësh, që mund t’i përballojë plumbat dhe eksplozivët.

Ai ka qenë civilë shumicën e jetës së tij, duke punuar si menaxher i një kompanie izraelite të ndërtimit. Pasi ka parë masakrat e kryera nga Hamasi, ai ka ndier nevojën për të luftuar, ka thënë Jenny.

Ushtari ka kaluar 186 ditë në Gazë, derisa pësoi lëndime në gjurin e tij e po ashtu dëmtim të dëgjimit kur një granatë e ka goditur automjetin e tij, ka thënë familja. Ai është larguar nga Gaza për t’u trajtuar dhe në prill është diagnostikuar me PTSD, për çka ka marrë terapi javore. Kjo terapi nuk e ka ndihmuar.

“Dukej sikur nuk dinin t’i trajtonin ushtarët”, ka thënë Jenny, që jeton në vendbanimin izraelit Ma’ale Adumim, në Bregun Perëndimor të pushtuar. “Ushtarët thanë se lufta ishte ndryshe. Ata panë gjëra që nuk i kishin parë kurrë në Izrael”.

Mizrahi ka pasur shpërthime zemërimi, djersë, vuante nga pagjumësia e izolohej më vete, ka thënë familja. Ai i ka thënë familjes, se vetëm ata që ishin në Gazë, mund ta kuptonin se çfarë po përjetonte ai.

“Ai gjithmonë thoshte, askush nuk do ta kuptojë çfarë pashë”, ka thënë motra e tij, Shir.

Jenny ka menduar se djali i saj ka vrarë dikë dhe nuk mund ta përballonte.

“Ai ka parë shumë njerëz të vdesin. Ndoshta edhe e ka vrarë dikë. Po nuk u kemi mësuar fëmijëve ta bëjnë këtë”, ka thënë ajo. “Prandaj, kur e bëri, ndoshta ka qenë tronditëse për të”.

Guy Zaken, miku i Mizrahit dhe ndihmësvozitës i buldozerit, ka dhënë informacione të tjera për eksperiencën e tyre në Gaza.

“Kemi parë gjëra shumë të rënda”, ka thënë Zaken. “Gjëra që janë të vështira për t’u pranuar”.

Ish-ushtari ka folur publikisht për traumën psikologjike që kanë kaluar trupat izraelite në Gaza. Në dëshmitë para Parlamentit izraelit, Knesset, në qershor, Zakeni ka thënë se në shumë raste, ushtarët duhej “të vozisnin mbi terroristët, të gjallë apo të vdekur, mbi qindra”.

“Gjithçka shpërthen”, ka shtuar ai.

Zaken ka thënë se nuk mund të hajë më mish, meqë i kujton skenat e tmerrshme që ka parë nga buldozeri dhe ka probleme për të fjetur natën, meqë dëgjon akoma zhurmat e shpërthimeve.

“Kur sheh shumë mish jashtë dhe gjak... si i yni ashtu edhe i tyri, pastaj ndikon kur ha”, ka thënë ai, duke iu referuar trupave si “mish”.

Ai ka këmbëngulur se shumica e atyre që ka parë ishin “terroristë”.

“Civilëve që kemi parë, u kemi dhënë ujë dhe bukë”, ka thënë ai, duke shtuar se edhe në situata të tilla, luftëtarët e Hamasit kanë qëlluar drejt tyre. “Prandaj nuk ka qytetarë. Ky është terrorizëm”, duke iu referuar aftësisë së luftëtarëve të Hamasit të përzihen me civilët.

Megjithatë, kur ushtarët takohen me civilë, shumë ballafaqohen me dilemë morale, sipas mjekut të IDF-së.

Kishte “qëndrim shumë të fortë kolektiv” mosbesimi midis ushtarëve izraelitë ndaj palestinezëve në Gazë, veçanërisht në fillim të luftës, ka thënë mjeku.

Ka pasur një qëndrim se banorët, përfshirë civilët, “janë të këqij, se e mbështesin dhe e ndihmojnë Hamasin, se po fshihnin municione”, ka thënë mjeku.

Gjithsesi, në fushëbetejë disa nga këto qëndrime ndryshuan “kur në fakt sheh civilët me sytë e tu”, kanë thënë ata.

IDF-ja ka thënë se bën çmos për t’i minimizuar viktimat civile në Gazë, duke përfshirë dërgimin e mesazheve, thirrjet dhe lëshimin e fletushkave për evakuim, për t’i paralajmëruar civilët para sulmeve.

Pavarësisht kësaj, civilët e Gazës janë vrarë vazhdimisht, duke përfshirë gjatë strehimit në zonat që ushtria i ka caktuar si “zona të sigurta”.

Ndikimi në shëndetin mental në Gazë siç duket është i madh. Grupet e ndihmës dhe OKB-ja vazhdimisht i kanë theksuar pasojat katastrofike të luftës në Gaza në shëndetin mental të civilëve, shumë prej të cilëve veç se janë prekur nga bllokada 17-vjeçare dhe luftërat me Izraelin. Në raportin e gushtit, OKB-ja ka thënë se eksperiencat e civilëve të Gazës kundërshtojnë “përkufizimet tradicionale biomjekësore” të PTSD-s, “duke pasur parasysh se nuk ka ‘post’ në kontekstin e Gazës”.

Pasi Mizrahi ka vrarë veten, janë shfaqur video dhe foto në rrjete sociale të ushtarit duke shkatërruar shtëpi dhe ndërtesa në Gazë dhe duke pozuar para tyre. Disa nga pamjet, janë shfaqur në dokumentarin, për të cilin është intervistuar nga kanali televiziv i Izraelit, Channel 13.

Motra e tij, Shir, ka thënë se ka parë shumë komente që e akuzojnë Mizrahin se është “vrasës”, duke e sharë.

“Ishte e vështirë”, ka thënë ajo. “E di që kishte zemër të mirë”.

Largimi i kufomave së bashku me rrënojat

Ahron Bregman, shkencëtar politik në Kolegjin e Londërs “King” që ka shërbyer në Ushtrinë izraelite për gjashtë vjet, përfshirë gjatë luftës së Libanit më 1982, ka thënë se lufta në Gaza është e ndryshme nga luftërat tjera të Izraelit.

“Është shumë e gjatë”, ka thënë ai, meqë është luftë urbane, luftëtarët luftojnë në mes të njerëzve, “por shumica e tyre janë civilë”.

Operatorët e buldozerit janë më të ekspozuar ndaj brutalitetit të luftës, ka thënë Bergmani. “Çfarë shohin janë njerëz të vdekur dhe i largojnë me rrënoja”, ka thënë ai. “I shkelin me automjete”.

Për shumë, kalimi nga fusha e betejës në jetën civile mund të jetë dërrmues, veçanërisht pas luftës urbane që përfshin vdekjen e grave dhe fëmijëve, ka thënë Bregmani.

“Si mund t’i vendosësh fëmijët në gjumë, kur ke parë fëmijë të vrarë në Gazë?” – pyet Bergman.

Pavarësisht PTSD-së së Mizrahit, familja e tij ka thënë se ai ka pranuar të rikthehet në Gazë, kur është thirrur përsëri. Dy ditë para se të nisej, ai vrau veten.

Në shtëpi, Jenny i ka dedikuar një dhomë djalit të saj të ndjerë për ta kujtuar, me foto nga fëmijëria dhe puna në ndërtimtari. Në mesin e sendeve, është edhe kapuçi që Mizrahi e kishte veshur kur e ka qëlluar veten, me vrimat e plumbave akoma të dukshme.

Familja e Mizrahit ka filluar të flasë për vdekjen e tij pasi IDF-ja nuk i ka dhënë atij varrimin ushtarak, duke thënë se ai nuk kishte qenë “në detyrë si rezervist aktiv”. Më vonë ata e kanë ndryshuar vendimin e tyre.

Gazeta izraelite “Haaretz” ka raportuar se 10 ushtarë kanë vrarë veten mes 7 tetorit dhe 11 majit, sipas të dhënave të Ushtrisë.

I pyetur nga në lidhje me numrin e vetëvrasjeve në IDF që nga lufta, Uzi Bechor, psikolog dhe komandant i Njësisë së Reagimit Luftarak të IDF-së, ka thënë se trupat mjekësore nuk lejohen të japin shifra dhe ushtria e sheh shkallën e vetëvrasjeve si të pandryshuar.

“Shkalla e vetëvrasjes është pak a shumë e qëndrueshme gjatë pesë-gjashtë vjetëve të fundit”, ka thënë Bechor, duke vënë në dukje se në fakt ka rënë gjatë 10 vjetëve të fundit.

Edhe nëse numri i vetëvrasjeve është më i lartë, ka thënë ai, raporti deri tani “është mjaft i njëjtë me të viteve të kaluara, sepse kemi më shumë ushtarë”.

“Nuk do të thotë se ka trend të vetëvrasjes”, ka thënë Bechori, pa dhënë numra. “Çdo rast është zemërthyer”.

Megjithatë, më shumë se një e treta e atyre që janë larguar nga lufta kanë probleme të shëndetit mendor. Në një deklaratë në gusht, divizioni i rehabilitimit i Ministrisë izraelite të Mbrojtjes ka thënë se çdo muaj, më shumë se 1000 ushtarë të rinj të plagosur largohen nga lufta për trajtim, 35 për qind e të cilëve ankohen për gjendjen e tyre mendore, me 27 për qind që zhvillojnë “një reagim mendor ose çrregullim të stresit post-traumatik”.

Ka shtuar se deri në fund të vitit, 14 mijë luftëtarë të lënduar do të dërgohen për trajtim, prej të cilëve rreth 40 për qind pritet të përballen me probleme të shëndetit mental.

Më shumë se 500 njerëz kryejnë vetëvrasje në Izrael çdo vit dhe mbi 6000 të tjerë tentojnë vetëvrasje, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Izraelit, me shënime se “ka nënraportime për rreth 23 për qind të numrave të përmendur”. Në vitin 2021, vetëvrasja ka qenë shkaku kryesor i vdekjes në mesin e ushtarëve të IDF-së.

Më herët këtë vit, Ministria e Shëndetësisë është përpjekur “t’i zhdukë thashethemet për rritjen e shkallës së vetëvrasjeve që nga 7 tetori”, duke thënë se rastet e raportuara janë “incidente të izoluara në media dhe në rrjetet sociale”. Pa dhënë numra, ministria ka thënë se kishte “ulje të vetëvrasjeve në Izrael midis tetorit dhe dhjetorit në krahasim me shifrat e muaj të njëjtë të viteve të kaluara”.

Bregmani, veterani i luftës së Libanit, ka thënë se PTSD-ja dhe problemet e tjera të shëndetit mental janë tani më të lehta për t’u folur sesa në vitet ’70 dhe ’80, duke falënderuar largimin e stigmës. Prapëseprapë, ka thënë ai, ushtarët që dalin nga Gaza do “të mbajnë eksperiencat e tyre tërë jetën”.

Mjeku i IDF-së ka thënë se ka oficerë të shëndetit mental, të dizajnuar për çdo njësi të ushtrisë gjatë dhe pas dërgimit në fushëbetejë. Megjithatë, ndikimi i luftës vazhdon, ka thënë mjeku, me ushtarët deri në 18 vjeç që vuajnë nga traumat në Gazë. Ata shpesh kanë qarë ose janë dukur të mpirë emocionalisht, ka shtuar mjeku.

Normalizimi i jonormales

Bechor, psikolog i IDF-së, ka thënë se një nga mënyrat se si ushtria i ndihmon ushtarët e traumatizuara t’i rikthehen jetës është duke u përpjekur “ta normalizojnë” eksperiencën që kanë kaluar, pjesërisht duke u kujtuar tmerret e kryera më 7 tetor.

“Situata nuk është normale për qeniet njerëzore”, ka thënë Bechor, duke shtuar se kur ushtarët janë kthyer nga fushëbeteja me simptoma të PTSD-së, ata kanë pyetur: “Si të kthehem në shtëpi pas asaj që kam parë? Si të merrem me fëmijët pas gjithë asaj?”

“Ne përpiqemi ta normalizojmë dhe t’u ndihmojmë t’i kujtojnë vlerat e tyre dhe arsyen pse kanë shkuar në Gazë”, ka thënë ai.

Për dhjetëra mijëra izraelitë që kanë dalë vullnetarë ose janë thirrur për të luftuar, lufta në Gazë nuk është parë vetëm si akt i vetëmbrojtjes, por si betejë ekzistenciale. Ky qëndrim është promovuar nga udhëheqësit kryesorë politikë dhe ushtarakë izraelitë, si dhe aleatët ndërkombëtarë të Izraelit.

Netanyahu e ka përshkruar Hamasin si “nazistë të rinj”.

Kërcënimet e jashtme ndaj vendit të tyre kanë bashkuar shumë izraelitë, duke lënë në pritje grindjet e brendshme politike që kishin përçarë shoqërinë për muaj të tërë. Ndërkohë, vuajtjet e palestinezëve kanë munguar kryesisht në ekranet e televizioneve izraelite, ku mbizotërojnë lajmet për pengjet në Gaza.

Pas sulmit të Hamasit, sondazhet kanë treguar se shumica e izraelitëve e mbështesin luftën në Gaza dhe nuk duan që Qeveria t’i ndërpresë luftimet, edhe gjatë negociatave për lirimin e pengjeve të kidnapuara. Në njëvjetorin e sulmit të 7 tetorit, një anketë e publikuar nga Instituti i Demokracisë së Izraelit ka treguar se vetëm 6 për qind e izraelitëve mendojnë se lufta në Gazë duhet të ndalet për shkak të “kostos së madhe në jetën njerëzore”.

Gjithsesi, disa ushtarë nuk kanë arritur t’i racionalizojnë tmerret që kanë parë.

Kur është rikthyer nga Gaza, Mizrahi shpesh i ka thënë familjes se ka ndier “gjak të padukshëm” që dilte prej tij, ka thënë nëna e tij.

Shir, motra e tij, fajëson luftën për vdekjen e vëllait. “Për shkak të ushtrisë, për shkak të luftës, vëllai im nuk është më këtu”, ka thënë ajo. “Ndoshta nuk ka vdekur nga plumbi ose granata në betejë, por ka vdekur nga një plumb i padukshëm”, ka shtuar ajo, duke iu referuar dhimbjes psikologjike.

Ç’është çrregullimi i stresit post-traumatik (PTSD)? PTSD-ja është gjendje e shëndetit mendor e shkaktuar nga ngjarje stresuese, të frikshme ose shqetësuese, sipas Shërbimit Shëndetësor Kombëtar të Mbretërisë së Bashkuar. Personat me PTSD shpesh e rijetojnë ngjarjen traumatike përmes maktheve dhe rikthimeve të ngjarjes, dhe mund të përjetojnë ndjenja izolimi, nervozizmi dhe faji. PTSD-ja mund të zhvillohet menjëherë pas ngjarjes shqetësuese, ose mund të ndodhë pas disa javëve, muajve apo edhe viteve.