Botë

Agjencia e OKB-së për ndihmë humanitare thotë se Izraeli po i mohon hyrjen në Rafah

OKB

Agjencia e OKB-së për ndihmë humanitare ka bërë të ditur të martën se autoritetet izraelite i kanë mohuar hyrjen në Rafah, që tani është nën kontrollin e Forcave të Mbrojtjes të Izraelit.

“Na kanë thënë se kalimi është mbyllur për mallra dhe personel. Na kanë thënë, sepse duam, sigurisht, të kemi qasje në Rafah për të parë se çfarë po ndodh. Na është mohuar hyrja tani për tani”, ka thënë Jens Laerke, zëdhënës i Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare.

Ai ka njoftuar po ashtu se në Rafah po përballen me sasi të pakët të karburantit, kryesisht naftë sa për t’i vënë në funksion kamionët dhe gjeneratorët, raporton “Associated Press”.

Izraeli mori nën kontroll kalimin kufitar të Rafahut të Gazës të martën, ndonëse pati thirrje nga aleatët e tij të ngushtë që të mos fillonte ofensivën.

Ravina Shamdasani, zëdhënëse e zyrës së OKB-së për të drejtat e njeriut ka thënë se Izraeli është i detyruar që të sigurohet që civilët të kenë qasje në kujdesin shëndetësor, ushqim të mjaftueshëm e ujë të pastër.

“Dështimi për t’i përmbushur këto detyrime mund të detyrojë njerëzit që të zhvendosen, gjë që është një krim lufte”, ka deklaruar ajo.