Botë

Afganët, të pasigurt edhe në bazat amerikane

Grupet e të drejtave të njeriut po bëjnë thirrje në Kongres që të miratohet ligji me të cilin refugjatët afganë mund të bëhen banorë të përhershëm të SHBA-së

Pothuajse gjashtë muaj pasi u larguan nga Kabuli, Sayed dhe familja e tij po fillojnë jetë të re në Pittsburgh në Pensilvani.

Rrugëtimi i tyre përfshin përpjekje të shumta për të kaluar përmes pikave talebane të kontrollit për të arritur në aeroportin e kryeqytetit afgan, një fluturim për Katar, një tjetër për Gjermani dhe më shumë sesa pesë muaj në një bazë ushtarake në Shtetet e Bashkuara, shkruan “Al-Jazeera”.

Ëndrra amerikane

Sayed, i cili ka punuar me forcat e sigurimit afgan, thotë që procesi i mundimshëm i ofroi atij një litar shpëtimi - dhe tani ai po kërkon ta ndërtojë një të ardhme në Shtetet e Bashkuara.

“Prioriteti im është të kujdesem për letrat e mia të emigracionit, sepse ne nuk kemi asnjë vend në Afganistan; u dënuam joformalisht me vdekje atje”, thotë ai për Al Jazeera në një intervistë telefonike.

Sayed është njëri prej më shumë se 74.000 afganëve që po jetojnë në SHBA, pasi u strehuan për disa muaj në bazat ushtarake pas evakuimit kaotik në Kabul në gusht të vitit të kaluar.

Përderisa amerikanët po i mirëprisnin, avokatët thonë që përpjekjet për t’i bërë të porsaardhurit afganë të ndihen si në shtëpi janë të mbushura me sfida, duke filluar me pjesën logjistike si gjetja e banesave të përballueshme, si dhe me pjesën strukturore si zgjidhja e statusit të tyre të emigracionit.

“Duket si një moment historik, por në të vërtetë është vetëm fillimi për ta”, tha Melanie Nezer, nënkryetare e lartë për çështje publike në HIAS, agjenci e zhvendosjes së refugjatëve, shkruan “Al-Jazeera”.

Statusi i emigracionit

Departamenti i Sigurisë Kombëtare tha që këtë javë vetëm 1.200 prej të evakuuarve mbeten në objektet ushtarake në SHBA me shtatë prej tetë bazave të Komandës Veriore të SHBA-së që mirëpritën afganët pas largimit në muajin gusht me përfundimin e misionit të tyre.

Të evakuuarit afganë janë refugjatë, por statusi i tyre ligjor i emigracionit dallon prej atyre që vijnë në SHBA, si pjesëtarë të programit të zhvendosjes së refugjatëve.

Pjesa më e madhe e afganëve që erdhën në SHBA pasi lanë vendin e tyre në gusht janë kanë lehtësime të kushtëzuara humanitare - që iu dha atyre leje për të hyrë në shtet, por nuk ua hapi dyert për qëndrim të përhershëm.

Kjo formë iu lejon të evakuuarve të qëndrojnë në vend deri në dy vjet, ku gjithashtu ata lejohen të punojnë legalisht në SHBA para se të largohen prej bazave ushtarake. Por përveç kësaj, statusi i tyre ligjor është ende pezull, shkruan “Al-Jazeera”.

Në një raport të fundit të muajit të kaluar, Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) tha që më shumë se 36.400 refugjatë afganë nuk kualifikohen për programin special të vizave emigruese (SIV) të krijuar për afganët që kanë punuar me forcat e SHBA-së gjatë luftës 20-vjeçare. Sipas raportit, në të njëjtën kohë afër 37.000 të evakuuar janë nën skemën SIV. Aplikimet e tyre për viza, të cilat nëse aprovohen do t’iu siguronin atyre qëndrim të përhershëm, mund të procesohen përderisa ata mund të qëndrojnë në vend.

Kërkesat e pazakonshme

Në javët që nga largimi prej një kampi ushtarak në New Mexico, Aliu, i cili prej qytetit verior të Afganistanit, Mazar-i-Sherif, udhëtoi me motrën e tij pas marrjes së pushtetit nga talebanët, ka qenë në gjendje të gjejë një shtëpi me ndihmën e një agjencie lokale të zhvendosjeve në Pittsburgh dhe ai do t’ia fillojë një punë në një hotel, ka treguar për “Al-Jazeeran”.

Madje edhe në këtë fazë të hershme të zhvendosjes, Aliu, të cilit nuk i lejohet SIV, shqetësohet për mundësinë e largimit prej vendit. “Kam dëgjuar që njerëzit të cilët nuk kanë SIV, Qeveria e SHBA-së do t’i dëbojë ata pas një apo dy vjetëve. Nuk është e qartë. Shpresoj që kjo nuk është e vërtetë, sepse shumë njerëz nuk e kanë SIV”, tha 31-vjeçari për “Al-Jazeeran”.

Dëbimi i njerëzve në Afganistan duket i papranueshëm në të ardhmen e afërm, veçanërisht pasi që Qeveria e SHBA-së nuk i njeh autoritetet talibane, por avokatët thonë që pa qëndrim ligjor, refugjatët Afganë gjithmonë do të përballen me pasiguri.

Është një shqetësim i madh”, tha Krish O’Mara Vignarajah, presidente dhe shefe ekzekutive e Shërbimit Lutheran të Emigracionit dhe Refugjatëve (LIRS), agjenci e zhvendosjes. “Fati është se njerëzit kanë të drejtë qëndrimi të përkohshëm deri në dy vjet në SHBA, por siç shihet nuk është një garanci dhe duket si bombë me sahat”.

Përderisa Aliu, i cili i frikësohet ndjekjes penale, sepse familja e tij kishte një biznes dhe njihet për prirjet liberale dhe mbështetëse të të drejtave të grave, mund të jetë kualifikuar për rivendosjen e refugjatëve, ai nuk mund të aplikojë në atë program, sepse tashmë gjendet në SHBA.

Ligji kundërthënës

Afganët të cilët janë lënë në “harresë” të emigracionit mund të kërkojnë formalisht në SHBA, por avokatët thonë që mbushja e aplikacioneve për mijëra të evakuuar nuk është zgjidhje praktike. Sistemi i azilit të vendit tashmë po has vonesa të mëdha me kohë mesatare të procesit prej më shumë se katër vjet.

“Nuk do të jemi në gjendje t’iu ofrojmë mbështetjen që ata kanë nevojë në lidhje me aplikimin për azil”, thotë Nezer i HIAS-it për “Al-Jazeeran”. “Shërbimet ligjore thjesht nuk janë të disponueshme. Edhe me të gjithë vullnetarët që po paraqiten, flitet ndoshta për qindra mijëra, nëse jo miliona orë këshillimi ligjor”.

HIAS, LIRS dhe agjencitë e tjera të zhvendosjeve kanë nxitur Kongresin që ta miratojë ligjin që do të krijonte një proces special për të evakuuarit afganë që t’i rregullojnë statuset e tyre të emigracionit.

Akti i Përshtatjes Afgane, që ende nuk është prezantuar do t’iu ndihmonte agjencive të zhvendosjeve t’i fokusojnë përpjekjet e tyre në nevojat e menjëhershme të refugjatëve afganë dhe t’i mënjanojnë tendosjet shtesë në sistem, thonë avokatët. Të tilla ligje janë miratuar në të kaluarën për t’i akomoduar refugjatët nga Vietnami, Kuba dhe Iraku.

Vignarajah tha që nëse Qeveria e SHBA-së - më saktësisht administrata e mëparshme - do të kishte përmbushur angazhimet e saj ndaj aleatëve dhe afganëve të rrezikuar, do t’iu kishte ndihmuar njerëzve të shpërngulen në SHBA përmes SIV-it dhe programeve të zhvendosjeve të refugjatëve në vitet dhe muajt para largimit.

Por tani kur me mijëra janë evakuuar me shpejtësi dhe kanë hyrë në vend në kuadër të lirisë së kushtëzuar humanitare, nevojitet një ligj për t’i rregulluar statuset e tyre ligjore, shtoi ajo.

“Sigurimi i këtij Akti të Përshtatjes Afgane ka qenë objektivi kryesor i organizatës sonë dhe i shumë organizatave të tjera - duke u përpjekur të marrim mbështetje në Capitol Hill për ta kaluar atë, sepse do të ishte shumë më e shpejtë sesa të gjithë t’iu nënshtroheshin aplikimeve të azilit të tyre në mënyrë individuale”, tha Vignarajah për “Al-Jazeeran”.

Adam Bates, këshilltar politik në Projektin për Asistencë Ndërkombëtare për Refugjatë (IRAP), një grup avokimi, tha që një ligj rregullimi për afganët gjithashtu do t’iu ndihmonte aplikuesve të SIV-it, duke theksuar se posedimi i një aplikacioni për vizë në pritje nuk është një status adekuat i emigracionit.

“Edhe njerëzit që janë liruar me kusht dhe që janë aplikues aktivë të SIV-it, disa prej tyre do të refuzohen gabimisht dhe do të përfundojnë në të njëjtën pikë si të liruarit e tjerë me kusht që nuk kanë asnjë rrugë drejt statusit të duhur”, tha Bates për “Al-Jazeeran”.

“Ndodhin shumë refuzime gabimisht në atë program dhe thjesht gabime, shumë vështirësi logjistike për sa u përket njerëzve që duhet të demonstrojnë punësimin e tyre dhe të marrin dokumente nga kontraktorët që mund të mos ekzistojnë më”.

Rivendosja

Ndërkohë, të evakuuarit afganë janë dërguar në komunitete në të gjithë vendin, shumë prej të cilave janë të zgjedhjes së tyre dhe aty ku mund t’i kenë familjarët ose shoqërinë. Të evakuuarit kanë të drejtë për të njëjtat shërbime si njerëzit që shpërngulen në SHBA përmes programit të rivendosjes së refugjatëve, duke përfshirë lejet për punë dhe ndihmën nga agjencitë e rivendosjes.

Një prej vështirësive të para është gjetja për strehim në një ekonomi ku qiratë dhe kostot e jetesës janë në rritje. “Shumë prej njerëzve po qëndrojnë në banesa përkohësisht, që janë të denja dhe disa prej tyre janë vërtet të mira”, tha Yael Schacher, zëvendësdrejtor në grupin e avokimit Refugjatët Ndërkombëtar për Amerikë dhe Evropë (RI). “Por kjo zgjat vetëm për një kohë të shkurtër”.

Për tre muajt e parë pas largimit nga baza, nevojat e të evakuuarve plotësohen përmes agjencive të zhvendosjeve, që pranojnë fonde nga programi i asistencës për Pritje dhe Vendosje të Departamentit të Shtetit (R&P).

Në atë kohë, refugjatët duhet të fillojnë të mbështeten në vetvete. Agjencitë e zhvendosjeve ofrojnë mundësi punësimi dhe trajnime gjuhësore dhe i lidhin të porsaardhurit me punëdhënës potencialë. Gjithashtu kompani private, si dhe vullnetarë e donatorë individual ofrojnë mbështetje.

Pas asaj periudhe fillestare, të evakuuarit mund të aplikojnë për programe të ndihmës dhe mirëqenies të mbështetura nga qeveria për familjet me të ardhura të ulëta.

Beteja e Sayedit

Sayed, refugjati afgan, ka jetuar me familjen e tij në një dhomë hoteli me një kuzhinë të vogël qëkur janë larguar nga baza ushtarake. Përderisa thotë që akomodimet janë më të mira sesa kampet ushtarake, ai theksoi se gjetja e një shtëpie është prioriteti i tij kryesor.

“Nuk kemi gjetur asnjë avokat apo person që mundet të kujdeset për dokumentet tona për qëndrim legal në Amerikë. Deri tani e gjitha ka qenë për zhvendosje - ku të shkojmë, të hamë, strehim”, tha ai.

Megjithëse pa adresë të përhershme, Sayedi tha që përpjekjet e tij për të sjellë djalin e tij nëntëvjeçar në SHBA janë bllokuar; djali u sëmurë përderisa familja e tij po përpiqej të mbërrinte në aeroportin e Kabulit dhe ende është në Afganistan nën përkujdesjen e prindërve dhe motrave të Sayedit.

“Problemi deri tani është që unë nuk munda të bëj asgjë për të”, tha ai për “Al-Jazeeran”. “Sepse në bazë nuk mund të fillojë asnjë lloj procesi për ta sjellë atë. Nëse fillon ndonjë proces të tillë, duhet të kem një adresë të saktë”.

Përktheu: Shukrie Sadiku