Numri i “largimeve të pavarura”, që sillet rreth 700, porse mund të jetë edhe më i lartë, nuk ishte raportuar më herët. Mirëpo fenomeni është duke nxitur alarmim mes zyrtarëve të emigracionit, të cilët janë shprehur të shqetësuar për rreziqet që u kanosen afganëve të cilët heqin dorë nga procesi tanimë i hapur, i ndërlikuar dhe plotësisht vullnetar i strehimit
Diçka e papritur është duke ndodhur në bazat ushtarake amerikane që po i strehojnë të evakuuarit nga Afganistani: Disa qindra syresh thjesht po largohen para se të përfitojnë nga shërbimet e strehimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë bërë të ditur dy burime mirë të informuara që kanë folur për agjencinë Reuters.
Numri i “largimeve të pavarura”, që sillet rreth 700, porse mund të jetë edhe më i lartë, nuk ishte raportuar më herët. Mirëpo fenomeni është duke nxitur alarmim mes zyrtarëve të emigracionit, të cilët janë shprehur të shqetësuar për rreziqet që u kanosen afganëve të cilët heqin dorë nga procesi tanimë i hapur, i ndërlikuar dhe plotësisht vullnetar i strehimit.
“Kovë gjigante me krimba”
Në kuadër të tërheqjes së shpejtë dhe kaotike të SHBA-së nga Afganistani gjatë gushtit, pas 20 vjetësh luftë, shumë të evakuuar kanë mbërritur në Shtetet e Bashkuara nën statusin e përkohshëm të “lejes humanitare”.
Me t’u transferuar në bazat ushtarake amerikane, grupet e refugjatëve dhe zyrtarët amerikanë kanë bërë përpjekje për të krijuar lidhje mes këtyre njerëzve dhe shërbimeve me qëllim që të sigurohet transicion i lehtë në SHBA.
Nëpërmjet një deklarate, zëdhënësi i Departamenti amerikan i Sigurisë Kombëtare (DHS) ka refuzuar që të komentojë lidhur me të dhënat që i janë ofruar Reutersit nga burimet, por ka thënë se personat që janë larguar nga bazat “në përgjithësi” kanë pasur lidhje në Shtetet e Bashkuara, si familjarët e miqve, dhe burime për t’u kujdesur për veten.
Reutersi ka thënë në shkrimin e tij ekskluziv se zëdhënësi ka specifikuar se përveç këtyre, ka pasur të evakuuar që kanë gëzuar edhe shtetësinë amerikane, lejet e përhershme të qëndrimit apo që i posedonin vizat speciale, për ç’arsye edhe e kanë pasur të mundur largimin kaq të shpejtë.
Por largimi i hershëm mund t’u kushtojë të evakuuarve të tjerë afganë me beneficionet më se të nevojshme – si përshpejtimi i lejeve të punës – dhe të krijojë një mori problemesh ligjore si rrjedhojë e ndërlikueshmërisë së sistemit amerikan të imigracionit.
“Është një kovë gjigante me krimba”, ka thënë një zyrtar amerikan i Shërbimit të shtetësisë dhe imigracionit, i cili ka folur për Reutersin nën kushtin e anonimitetit. “Krejt kjo mund të shpjerë në telashe të tmerrshme rreth statusit, për vite e vite me radhë”.
Beneficionet që të evakuuarit i kanë marrë deri më tani kanë qenë më të kufizuara sesa ato që u janë ofruar refugjatëve. Por një gjë e tillë pritet që të ndryshojë pas miratimit të ligjit të enjten në Kongres – ani pse me kundërshtimin e republikanëve – i cili do t’u ofrojë afganëve të evakuuar asistencë më të gjerë, njëjtë sikurse rëndom u sigurohet refugjatëve, ka shkruar Reutersi.
“Duhet të bëjmë krejt çfarë është në fuqinë tonë për t’i ndihmuar aleatët tanë afganë që ta kenë një nisje të fortë në shtëpitë e tyre të reja”, ka thënë senatori demokrat, Jeff Merkley, nëpërmjet një deklarate për media.
Ligji i ri specifikon se aplikimet afgane për azil duhet të përshpejtohen. Por ata që largohen nga bazat amerikane para kohe mund të mos e marrin orientimin e nevojshëm për t’i filluar aplikimet e tyre.
Udhëtim njëdrejtimësh jashtë bazës
Ekspertët e imigracionit, të kontaktuar nga Reutersi, kanë thënë se afganët që largohen nga bazat nuk po i shkelin ligjet amerikane dhe zyrtarët ushtarakë nuk kanë ndonjë kompetencë ligjore për t’i mbajtur ata pa vullnetin e tyre në ndonjërën prej tetë lokacioneve që tregojnë 53 mijë afganë, sa kanë ikur nga talebanët me avionët amerikanë të evakuimit.
Shkalla e largimeve të pavarura ndryshon prej bazës në bazë, kanë bërë të ditur burimet e agjencisë – duke specifikuar se janë më shumë se 300 vetëm në Fort Bliss të Texasit. Kjo shifër, sipas tyre, pritet që t’i alarmojë si mbrojtësit ashtu edhe kritikët e operacionit masiv amerikan të strehimit.
Megjithëkëtë, zyrtarët amerikanë kanë bërë të ditur se të gjithë afganët që po largohen nga bazat tashmë u janë nënshtruar kontrolleve të sigurisë qysh para mbërritjes në SHBA. Rreziqet e largimeve të pavarura, sipas tyre, i kanosin vetë afganët.
Reutersi ka siguruar qasje në një dokument, i titulluar “Informata për të larguarit”, i cili synon që t’i paralajmërojë afganët që po e shqyrtojnë largimin para kompletimit të akomodimit të tyre. Dokumenti ua kujton atyre se, në bazë, ata mund të sigurojnë përshpejtimin e procedurave për letrat e imigrimit dhe madje para si ndihmë për ta paguar udhëtimin drejt destinacionit të tyre në SHBA.
“Kur të largoheni nga kjo bazë, ju i humbisni këto avantazhe dhe mund të mos ktheheni”, shkruan aty.
Murgarët Stock, një avokate për çështje të imigracionit me ekspertizë në rastet e ndërlidhura me ushtrinë, ka thënë se paralajmërimi nuk është dashakeq.
“Mendoj se po përpiqen që të kujdesen për njerëzit”, ka thënë ajo për Reuters. “Njerëzit që i menaxhojnë bazat me të drejtë janë të shqetësuar se dikush mund të mos jetë plotësisht në dijeni të pasojave të largimit”.
Reutersi ndërkaq ka tërhequr vërejtjen se afganët që po i braktisin bazat amerikane mund të përbëjnë një çështje të ndjeshme në disa pjesë të vendit, veçmas pas mbulueshmërisë së madhe mediale të incidenteve të sigurisë në Fort McCoy të Wisconsinit dhe në Fort Bliss.
Por gjenerali Glen VanHerck, shef i Komandës Veriore, ka përjashtuar idenë se kriminaliteti ishte problem në bazat amerikane. Ai ka thënë për gazetarin e Reutersit në Pentagon gjatë së enjtes se numri i incidenteve, që përfshijnë plaçkitjet dhe hajnitë, ishte substancialisht më i ulët sesa në mesin e popullatës së përgjithshme amerikane, pasi janë shënuar vetëm tetë raste të këtilla në gjashtë javë.
I pyetur nga agjencia se cili ishte faktori kufizues në shtegun e procesimit të akomodimit për afganët, VanHerck ka thënë se nuk ishte vaksinimi ndaj fruthit ose koronavirusit apo kontrollet e sigurisë.
“Përkundrazi, janë përpjekjet e zyrtarëve amerikanë për të siguruar që secili prej mysafirëve afganë të ketë një vend të mirë për t’u vendosur dhe të ketë garanci se ku do të zhvendosen”, ka theksuar ai për Reutersin.