Partia gjermane e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) është përjashtuar nga grupi parlamentar pan-evropian pas një sërë polemikash mbi zgjedhjet dhe sjelljen e disa prej liderëve të saj, shkruan The Guardian.
“Byroja e grupit të Identitetit dhe Demokracisë në Parlamentin Evropian ka vendosur sot të përjashtojë delegacionin gjerman, AfD, me efekt të menjëhershëm”, ka thënë në një deklaratë grupi ID i partive populiste të ekstremit të djathtë.
Një ditë më parë, kandidati kryesor i AfD-së në zgjedhjet evropiane të qershorit, Maximilian Krah, dha dorëheqjen nga lidershipi i partisë dhe hoqi dorë nga të gjitha aktivitetet e fushatës pas kritikave që mori për komentet e bëra fundjavën e kaluar duke thënë se nazistët “nuk ishin të gjithë kriminelë”.
“Grupi ID nuk dëshiron më të lidhet me incidentet që përfshijnë Maximilian Krahun, kreun e listës së AfD-së për zgjedhjet parlamentare evropiane”, ka shkruar grupi ID në Facebook.
ID-ja kishte planifikuar ta përjashtonte AfD-në pas zgjedhjeve evropian, por komentet e Krahut përshpejtuan vendimin me shumicë votash.
Krahu i bëri komentet në një intervistë për “La Repubblica”. Partia e ekstremit të djathtë në Francë (RN), anëtar kyç i grupit ID së bashku me AfD-në nga viti 2019, pas intervistës së Krahut, ka thënë se nuk do të jetë në të njëjtin grup me partingë gjermane pas zgjedhjeve.
Marine Le Pen, udhëheqësja e RN, ka akuzuar AfD-në se po mbahet peng nga elementët radikalë.
Grupi ID përbëhet nga partia e Matteo Salvinit në Italia, partia e Lirisë së Austrisë (FPO), partia e Lirisë në Holandë e Geert Wildersit (PVV) dhe Vlaams Belang i Belgjikës.
Ky grup parashihej fitues i zgjedhjeve të 6-9 qershorit për Parlamentin Evropian. Sondazhet parashikuan se numri i deputetëve të fituar do të rritej nga 59 në 85. Por përjashtimi i AfD-së do të ulë këto shifra.