Botë

Aeroportit më në veri të botës po i shkrihet pista

Aeroporti Svalbard

Arktiku është një nga rajonet më të brishta mjedisore në botë dhe ekipi në aeroportin e arkipelagut Svalbard të Norvegjisë tashmë ka provuar efektin e parë të ndryshimeve klimatike. Kur u ndërtua pista e Longyearbyenit 2.300 metra e gjatë në fillim të viteve 1970, askush nuk priste që shtresa përherë e ngrirë mbi të cilën ishte ndërtuar të fillonte të shkrihej. Por kjo është pikërisht ajo që po ndodh tani.

Hapësirat e ngrira të Arktikut po bëhen shpejt disa nga pikat e nxehta të botës. 

Përpjekja e presidentit Donald Trump për të marrë Grenlandën dhe interesi në rritje i Rusisë dhe Kinës për hapjen e rrugëve detare përgjatë bregut verior të Siberisë i kanë vënë këto rajone të largëta në qendër të vëmendjes.

Por popullariteti i ri i Arktikut nuk ka të bëjë vetëm me gjeopolitikën. Vendet përgjatë Rrethit Arktik, nga Alaska në Lapland, po raportojnë një numër rekord vizitorësh gjersa udhëtarët aventurierë kërkojnë emocionin e eksplorimit të kufijve të planetit.

Një startup suedez i quajtur “OceanSky Cruises” madje po planifikon të kryejë udhëtime luksoze me aeroplan në Polin e Veriut, megjithëse nuk ka në horizont një datë të nisjes. 

Por ndërsa kulmi i planetit tonë mund të mbetet jashtë mundësive të udhëtarit mesatar për një kohë të gjatë, disa linja ajrore mund të fluturojnë tepër afër tij.

Një nga skajet më të largëta të Tokës, për sa i përket gjerësisë gjeografike, është në fakt mjaft lehtë e arritshme.

Aeroporti Svalbard, në arkipelagun Svalbard të Norvegjisë, është aeroporti më në veri të botës ku realizohen fluturime komerciale.

Dy linja ajrore, SAS dhe Norwegian, fluturojnë gjatë gjithë vitit midis aeroportit në Longyearbyen, vendbanimi kryesor në ishuj, dhe territorit kontinental të Norvegjisë, më shumë se 800 kilometra në jug.

Aeroporti mirëpret rregullisht aeroplanë e avionë privatë.

Një lidhje jetike me një vend të brishtë

Arktiku është një nga rajonet më të brishta mjedisore në botë dhe ekipi në aeroportin Svalbard tashmë ka provuar efektin e parë të ndryshimeve klimatike.

Kur u ndërtua pista e Longyearbyenit 2.300 metra e gjatë në fillim të viteve 1970, askush nuk priste që shtresa përherë e ngrirë mbi të cilën ishte ndërtuar të fillonte të shkrihej. Por kjo është pikërisht ajo që po ndodh tani.

“Permafrost” përkufizohet si tokë që ka mbetur e ngrirë për të paktën dy vjet. Ngrohja dhe shkrirja e permafrostit është bërë çështje e rëndësishme për Svalbardin, me paqëndrueshmërinë dhe fundosjen që rezultoi me ndikim në ndërtesa dhe infrastrukturë dhe duke rritur rrezikun e rrëshqitjeve të dheut dhe ortekëve.

“Gjatë muajve të verës ne duhet të kontrollojmë me përpikëri pistën çdo ditë, sepse dheu mund të rrëshqasë në çdo moment. Kjo është një sfidë që ne presim vetëm të përkeqësohet me kalimin e kohës”, i tha CNN-it menaxherja e aeroportit, Ragnhild Kommisrud. 

Është e vështirë të mbivlerësohet rëndësia e asaj piste për rreth 2.500 banorët e Svalbardit. Nëse do të mbyllej, shumica e furnizimeve të tyre thelbësore do të duhej të mbërrinin me anije,  udhëtim që mund të zgjasë deri në dy ditë në çdo drejtim.

“Ne gjithmonë mbajmë staf dhe material shtesë këtu në aeroport, sepse nëse diçka prishet, ne duhet të jemi në gjendje ta riparojmë vetë, pa ndihmë nga jashtë”, thotë Kommisrud. Për shembull, pas keqfunksionimit të termocentralit lokal, ajo thotë se gjeneratorët e emergjencës duhej të dërgoheshin në një aeroplan mallrash ushtarak C-17 Globemaster.

Prodhimi i energjisë elektrike ka qenë prej kohësh një çështje e ndjeshme në Svalbard.

Nga njëra anë, komuniteti lokal ka një interes të madh për të ndihmuar në parandalimin e ngrohjes globale dhe ruajtjen e natyrës së pacenuar të arkipelagut. Por, nga ana tjetër, deri vonë, pjesa më e madhe e ekonomisë vendase punonte pothuajse tërësisht me qymyr.

Heqja dorë nga qymyri

Pavarësisht largësisë së tij, Svalbard është i pajisur me depozita të pasura qymyrguri, duke e bërë atë një vend të përshtatshëm për miniera.

Sipas Traktatit të Svalbardit të vitit 1920 – nënshkruar nga vende duke përfshirë SHBA-në, Japoninë dhe shumë vende të Bashkimit Evropian – Norvegjia ka sovranitet mbi ishujt, por vendet e tjera nënshkruese kanë të drejtë të zhvillojnë aktivitete ekonomike edhe në arkipelag.

Si rezultat, Norvegjia, Suedia dhe Bashkimi Sovjetik (më vonë, Rusia) krijuan operacione minerare në zonë në gjysmën e parë të shekullit 20.

Në kohët e rritjes së ndjeshmërisë mjedisore - veçanërisht në një vend si Norvegjia, rajoni i së cilës fuqizohet pothuajse tërësisht nga burime të rinovueshme të energjisë - kjo varësi nga qymyri ka qenë një njollë e zezë kohët e fundit.

Gjatë dekadës së fundit minierat e operuara nga Norvegjia kanë përfunduar prodhimin e tyre. Sveagruva, një nga minierat më të mëdha dhe më produktive në Svalbard, u mbyll në vitin 2020 dhe zona u ripërtëri. Një minierë qymyri e operuar nga Rusia në Barentsburg, vendbanimi i dytë më i madh i ishullit, mbetet e hapur, por thuhet se po redukton prodhimin.

Svalbard ka qenë gjithashtu një konsumator i madh i qymyrit, duke e djegur atë për të prodhuar ngrohje dhe energji elektrike për komunitetin lokal. Kalimi drejt burimeve alternative të energjisë nuk ishte thjesht një çështje mjedisore; prej saj varej e ardhmja e komunitetit.

Në vitin 2023, termocentrali me qymyr i Longyearbyenit u mbyll përfundimisht. Zëvendësimi i tij ishte një impiant i ri me naftë, një zgjidhje e papërsosur për shkak të gjurmës ende të lartë të karbonit, por një zgjidhje që, megjithatë, arriti të zvogëlonte emetimet e karbonit pothuajse përgjysmë.

Megjithatë, kjo nuk ishte ende mjaft e mirë për Avinorin, operatorin e aeroportit në pronësi të qeverisë së Norvegjisë, i cili menaxhon Longyearbyenin dhe më shumë se 40 aeroporte të tjera në të gjithë vendin skandinav.

Avinor pritet të luajë një rol qendror në strategjinë ambicioze të dekarbonizimit që Norvegjia ka përcaktuar për sektorin e saj të aviacionit. Ajo është zotuar të reduktojë emetimet e gazrave serrë me 42% deri në vitin 2030 në raport me nivelet e vitit 2022 dhe me 90% deri në vitin 2050.

Duhej bërë diçka për të ulur emetimet në aeroportin më verior të Avinorit, i cili, pavarësisht aktivitetit të tij të kufizuar, përbënte një pjesë të madhe të gjurmës së karbonit të kompanisë. Zgjidhja po vjen në formën e një centrali të ri të energjisë, i cili do të jetë ekskluzivisht për aeroportin dhe do të furnizohet me biogaz.

Zhvillimi i turizmit

Nëse gjithçka shkon sipas planit, ky termocentral i ri pritet të hyjë në shërbim diku nga fundi i vitit 2025 ose fillimi i vitit 2026, në varësi të përfundimit të procesit të miratimit qeveritar.

Hege Ringnes, këshilltar i lartë për klimën në Avinor, i ka thënë CNN-it se biogazi i prodhuar në vend duke përdorur energji të rinovueshme ka një gjurmë karboni relativisht të ulët, edhe kur merret parasysh transporti detar.

“Fabrika e aeroportit do të lidhet më pas me rrjetin elektrik të Longyearbyenit dhe do të veprojë si një burim shtesë në rast se centrali i naftës i qytetit do të ketë nevojë për një rezervë. Pra, shpresojmë që herën tjetër nuk do të jetë e nevojshme që ushtria të dërgojë një C-17 të ngarkuar me gjeneratorë”.

Çuditërisht, megjithëse Svalbard kalon katër muaj në vit në errësirë totale, ai ka pasur një termocentral diellor që nga viti 2015.

“E vërtetë, nuk është funksional për një pjesë të vitit, por në verë situata ndryshon dhe ne marrim pothuajse 24 orë dritë pa ndërprerje”, shpjegon Kommisrud. Në fakt, shton ajo, shfrytëzimi i energjisë diellore funksionon më mirë në temperatura më të ftohta, kështu që kushtet arktike e bëjnë këtë uzinë veçanërisht produktive kur shkëlqen dielli.

Me zhdukjen e qymyrit kryesisht, Svalbardi i është kthyer turizmit si aktiviteti i tij kryesor ekonomik.

“Svalbardi dikur ishte një destinacion turizmi ekstrem, duke u shërbyer udhëtarëve më aventureskë. Është ende mjaft i specializuar, por ne po bëhemi më të zakonshëm”, thotë Ronny Brunvoll, drejtor ekzekutiv i “Visit Svalbard”, një shoqatë që përfaqëson më shumë se 70 biznese private të lidhura me turizmin.

Vera tradicionalisht ka qenë sezoni i pikut, kur disa kompani lundrimi kryejnë ekspedita në rajon. Megjithatë, sezoni po zgjatet pasi më shumë njerëz po vijnë në Svalbard në dimër, për të shijuar dritat verore, si dhe në fillim të pranverës, kur ditët bëhen më të gjata, por është ende e mundur të shijosh aktivitete në natyrë, të tilla si udhëtime me sajë me qen dhe ture me motorë dëbore.

Megjithatë, turneu në Svalbard vjen me disa paralajmërime të rëndësishme. Brunvoll ka disa fjalë paralajmëruese në lidhje me realitetet në terren dhe pse vizitorëve nuk u këshillohet të largohen nga qyteti pa një guidë.

“Ekziston një shans shumë real për të hasur një ari polar. Pastaj është moti, i cili mund të ndryshojë shumë papritur. Mund të jetë brutal. Dhe nëse ndodh diçka, mos prisni të keni sinjal në telefon në shumicën e vendeve. Duhet të jeni të përgatitur dhe të dini se çfarë po bëni.”

Pavarësisht këtyre kufizimeve, rreziqet e turizmit të tepërt janë shumë të pranishme në mendjet e të gjithëve. Numri i akomodimeve në Svalbard është kufizuar në 500 dhoma dhe pritet të mbetet kështu për të ardhmen e parashikueshme.

Turizmi mund të jetë “qymyri i ri” i Svalbardit, por si industria e turizmit ashtu edhe autoritetet duket se janë të vetëdijshme për detyrën e tyre për të mbrojtur natyrën e egër të paprekur që i bën këta ishuj një vend kaq magjepsës.