Botë

Aeroporti i Helsinkit mbushet me Porsche dhe Bentley të turistëve rusë që ia mësynë Evropës

Porsche, Bentley dhe vetura të tjera luksoze me targa ruse i kanë mbushur parkingjet në aeroportin e Helsinkit në Finlandë, shtet ky që është bërë vend transit për turistët rusë që duan të shkojnë në Evropë.

Bashkimi Evropian mbylli hapësirën ajrore për avionët rusë, pasi Moska nisi pushtimin e Ukrainës, duke detyruar këdo që dëshiron të udhëtojë në Evropë, të kalojë me veturë përtej kufirit ose të marrë një rrugë qarkore duke përdorur linja ajrore jo-perëndimore, raportoi të martën The Guardian.

Që nga përfundimi i kufizimeve të Rusisë për COVID-19 në korrik, ka pasur një bum të numrit të udhëtarëve rusë dhe një reagim në rritje në Evropë kundër lejimit të hyrjes së turistëve rusë, ndërkohë që lufta në Ukrainë vazhdon.

Një shëtitje e shpejtë nëpër parkingun e makinave në aeroportin e Helsinkit zbuloi dhjetëra, nëse jo qindra makina të nivelit të lartë me targa ruse, duke përfshirë një sedan të ri Mercedes-Benz të klasit S dhe Porsche 911 Turbo S.

"Më shqetëson kjo. Do të doja që ata të mos ishin këtu përpara se të zgjidhej situata e Ukrainës”, tha udhëtari finlandez, Jussi Hirvonen, pasi doli nga garazhi.

Ministri i Jashtëm finlandez, Pekka Haavisto, tha se Finlanda është bërë një "vend transit" për turistët rusë.

“Aeroporti i Helsinkit po sheh shumë turizëm rus për momentin,” shtoi ai.

Finlanda tha javën e kaluar se do të kufizonte numrin e vizave turistike ruse në 10% të vëllimeve aktuale që nga 1 shtatori, pas rritjes së pakënaqësisë mbi turizmin rus mes luftës në Ukrainë.

Rusët po vazhdojnë të hyjnë në Finlandë përmes vizave të lëshuara nga shtetet e tjera të BE-së.

Sipas një hulumtimi të kryer nga Roja kufitare finlandeze këtë muaj, rreth dy të tretat e rusëve që e kalojnë kufirin lindor të Finlandës, e bëjnë këtë me viza Shengen, të lëshuara nga ndonjë shtet tjetër.

Rregullat e Shengenit nuk e lejojnë Finlandën që t’i mbyllë kufijtë për nacionalitete të caktuara. Sanksione të tilla mund të vendosen vetëm me vendim të përbashkët nga Bashkimi Evropian.