Botë

Administrata Trump 2: Shpërblimi i besnikëve

Donald Trump

Foto: Associated Press

Më 2016, si i ri në politikë, ai më shumë ishte bazuar në republikanët për rolet kyç. Këtë herë ai ka perspektivë tjetër. Trumpi ka listë të gjatë të kandidatëve të mundshëm duke e parë mbështetjen e dëshmuar të tyre. Tetë vjet pas nisjes së mandatit të parë, besnikët e Trumpit do të jenë baza e administratës së tij

Një javë pasi Donald Trumpi fitoi mandatin e dytë në Shtëpinë e Bardhë, ngjyrat e presidencës së tij të re kanë dalë në pah. 

Presidenti i zgjedhur ka lajmëruar për disa emërime, si hapa të parë drejt kompletimit të stafit të Shtëpisë së Bardhë dhe departamenteve kyç qeveritare. Ai po ashtu ka bërë komente për mediat edhe në rrjete sociale, për të treguar se cilat do të jenë prioritetet e tij pas janarit kur të marrë detyrën. Fokus i veçantë do të jetë në politikat e jashtme dhe luftimin e imigrantëve.

Pas fillimit kaotik në mandatin e parë, Trumpi ka hedhur bazën për administratën e ardhshme me një plan të përcaktuar qartë dhe personel të gatshëm për ta zbatuar.

Ekipi kundër imigrantëve

Disa nga përzgjedhjet e Trumpit kanë sugjeruar se fushata me premtimin për dëbimin e miliona imigrantëve që jetojnë pa leje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës – nuk është ekzagjerim.

Stephen Miller, që ka qenë këshilltar i afërt i Trumpit dhe personi që ia ka shkruar fjalimet që nga viti 2015, është zgjedhja e Trumpit për zëvendësshef të stafit për politikë. Ai pritet t’i japë formë çfarëdo plani për dëbime masive – dhe të bëjë plane për të reduktuar imigrimin në përgjithësi. Gjatë mandatit të parë të Trumpit, Milleri ishte i përfshirë në zhvillimin e disave prej politikave më strikte antiimigrim.

Thomas Homan, ushtrues detyre i drejtorit të Agjencisë së Zbatimit për Doganë dhe Imigracion në mandatin e parë të Trumpit, ka përkrahur publikisht politikën e presidentit për ndarjen e familjeve që s’kanë dokumente e që ndaloheshin në kufirin SHBA-Meksikë. Tani ai është rikthyer me rol më të fuqishëm – si “cari i imigrimit”.

“Do të udhëheq forcën më të madhe të dëbimit që ka parë ndonjëherë ky shtet”, pati thënë Homani në një konferencë në muajin korrik.

Kritikët kanë paralajmëruar se plani i dëbimit i Trumpit do t’i kushtojë shtetit deri 300 miliardë dollarë. Në një intervistë për “NBC News” javën e shkuar, Trumpi u shpreh se shpenzimet s’janë çështje.

“Njerëzit që kryenin vrasje, lordët e drogës që shkatërronin shtete, tani do të kthehen në shtetet e tyre, sepse s’do të rrinë më këtu. S’ka çmim për këtë”, qe shprehur ai.

Anti-Kina

Shumë konservatorë besojnë se Kina parqet kërcënimin më të madh për dominimin e SHBA-së në botë, si ekonomikisht ashtu edhe ushtarakisht. Kur Trumpi nis të përdorë gjuhë më të matur, duke ndalur pak kritikat e tij ndaj Kinës, atë hapësirë e përmbush me përfshirjen e zyrtarëve të tij.

Presidenti i zgjedhur e ka caktuar kongresistin e Floridas, Mike Waltz, kolonel i pensionuar, si këshilltar të sigurisë kombëtare – post i rëndësishëm politik brenda Shtëpisë së Bardhë. Waltz pati thënë se SHBA-ja është në “luftë të ftohtë” me Kinën dhe ishte një nga anëtarët e parë të Kongresit që bënte thirrje për bojkot të Lojërave Olimpike Dimërorë të Pekinit më 2022.

Në tetor kongresistja Elise Stefanik e përzgjedhur nga Trumpi si ambasadore e SHBA-së në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, pati akuzuar Kinën për “ndërhyrje të qartë dhe qëllimkëqija në zgjedhje”, pas raportimeve se hakerët e mbështetur nga Kina kishin tentuar të merrnin informata nga telefonat e ish-presidentit.

Trumpi ka zyrtarizuar përcaktimin e tij për zgjedhjen e sekretarit të Shtetit. Senatori i Floridas, Marco Rubio, tjetër kritik i madh i Kinës, është i nominuari për postin e rëndësishëm të sekretarit të Shtetit. Më 2020, Rubio ishte sanksionuar nga Qeveria e Kinës pasi kishte shtyrë masat për të dënuar shtetin për shkak të presionit mbi protestuesit e prodemokracisë në Hong-Kong.

Raportet SHBA-Kinë shpesh kanë qenë të tensionuara gjatë mandatit të parë të Trumpit, kryesisht për çështje tregtare dhe për shkak të pandemisë së COVID-it. Administrata e Bidenit, që ka mbajtur shumicën e tarifave të vendosura nga ajo e Trumpit kundër Kinës e madje ka shtuar edhe disa të tjera, disi ka arritur t’i qetësojë ujërat. Tani duket se administrata e re e Trumpit do të vazhdojë aty ku e ka lënë para katër vjetësh.

Roli i ri i Muskut

Përderisa lista e të caktuarve politikë të Trumpit është zgjeruar ndjeshëm, ekziston edhe një grup më i vogël, por me ndikim të madh.

Elon Musk, njeriu më i pasur i botës, ka qenë aktiv non-stop në fushatën e Trumpit. Sipas raportimeve, ai po e këshillon presidentin e zgjedhur për çështjet e nominimeve e madje ka qenë i përfshirë edhe në një bisedë që Trumpi e zhvilloi me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, javën e shkuar.

Të martën në mbrëmje Trumpi ka njoftuar se Elon Musk do të bashkëpunojë me ish-kandidatin republikan për president, Vivek Ramaswamy, në një “departament të ri për efiçiencë qeveritare”, me detyrë për identifikimin e reduktimit të shpenzimeve të buxhetit.

Si presidenti ashtu edhe Musk janë adhurues të kriptovalutave dhe Departamenti i sapokrijuar amerikan për Efiçiencë Qeveritare – shkurt Doge – është referencë për këtë. Menjëherë pas njoftimit se Musku do ta drejtojë këtë departament, ai konfirmoi në X se shkurtesa “Doge” nuk ishte rastësi dhe ideja erdhi nga një shaka që e bëri në fillim të këtij viti në platformën e tij sociale. Shkurtesa përdoret gjithashtu nga Dogecoin, kriptomonedhë e krijuar në vitin 2013. Në vitin 2021, Musku e quajti Dogecoinin si “kripto të njerëzve” – që rriti vlerën e saj. Çmimi i Dogecoinit shpesh rritet kur Musku e përmend publikisht.

Musk në vazhdimësi ka dhënë opinione politike në rrjetin e tij social X, duke përfshirë edhe përkrahjen që senatori i Floridas, Rick Scott, të jetë udhëheqës i shumicës në Senat. 

Ai i ka shpenzuar rreth 200 milionë dollarë për ta ndihmuar fushatën presidenciale të Trumpit dhe pati premtuar të vazhdojë të financojë përpjekjet e komitetit të tij për aktivitet politik për të shtyrë përpara agjendën e presidentit dhe t’u ndihmojë kandidatëve republikanë në zgjedhjet e ardhshme të Kongresit.

Ndërkohë ka mbetur e paqartë se ku do të aderojë Robert F. Kennedy Jr, tjetër figurë e rëndësishme e mbështetësve të Trumpit. Ai ka planifikuar t’i japë ish-demokratit dhe refuzuesit të vaksinave – që u tërhoq nga gara për president dhe mbështeti Trumpin – rol në bërjen e “Amerikës së shëndetshme sërish”.

“Ai dëshiron të bëjë diçka dhe ne do t’ia mundësojmë këtë”, pati thënë Trumpi në fjalimin e fitores.

Fuqia e presidentit mbi Kongresin

Teksa Trumpi merr detyrën, republikanët kanë edhe kontrollin e Senatit dhe të Dhomës së Përfaqësuesve, edhe pse me margjinë tejet të ngushtë. Pra, kanë kontrollin e Kongresit. 

Gjithsesi veprimet e presidentit të zgjedhur sugjerojnë se ai më shumë është i fokusuar në ushtrimin e pushtetit të tij si president saqë të bashkëpunojë me degën legjislative.

Javën e shkuar ai ka postuar në rrjete sociale se lidershipi republikan i Senatit duhet të lehtësojë mënyrën për përzgjedhjet presidenciale – për t’ia mundësuar atij që t’i mbushë rolet kyç pa miratimin e Senatit kur Kongresi nuk është aktiv. Lëvizja do të forconte pushtetin e presidentit duke nënvlerësuar rolin kushtetues të Dhomës për të “këshilluar dhe miratuar” të emëruarit politikë.

Senatorët që kalojnë në rolet e administratës mund të zëvendësohen shpejt me emërime nga guvernatorët e shteteve. Por çdo vend i lirë i lënë në Dhomën e Përfaqësuesve – si ato nga largimi i Stefanikut dhe Waltzit – kërkojnë zgjedhje speciale që mund të marrin disa muaj kohë.

Disa nga këshilltarët e Trumpit, përfshirë Muskun, kanë paralajmëruar se presidenti i zgjedhur mund të rrezikojë agjendën e tij legjislative nëse tërheq më shumë republikanë nga dhomat.

Edhe në rrethanat më të mira, legjislacioni merr kohë, përpjekje e kompromis. Vendimet ekzekutive, si ai për çështjet e imigrimit, mund të kryhen vetëm me nënshkrim të presidentit. Veprimet e Trumpit kanë dhënë indikacione, të paktën tani për tani, se ai do të jetë më shumë i fokusuar në të dytën. 

Besnikët

Trumpi vetëm ka nisur t’i mbushë mijëra vende pune që hapen me administratën e re presidenciale, pa i përfshirë burokratët e nivelit të lartë që ka thënë se do t’i zëvendësojë.

Më 2016, si i ri në politikë, ai më shumë ishte bazuar në republikanët për rolet kyç. Këtë herë ai ka perspektivë tjetër. Trumpi ka listë të gjatë të kandidatëve të mundshëm duke e parë mbështetjen e dëshmuar të tyre. Tetë vjet pas mandatit të parë, besnikët e Trumpit do të jenë baza e pushtetit.

Të martën Trumpi e zgjodhi guvernatoren e Dakotës së Jugut, Kristi Noem, si sekretare për siguri të brendshme dhe prezantuesin televiziv të “Fox Newsit” dhe autorin Pete Hegseth, si sekretar të Mbrojtjes. Të dy kanë qenë mbështetës të flaktë të Trumpit që nga fillimi.

Të tjerët, si Rubio dhe Stefanik, ishin kritikë ndaj Trumpit në fillimet e fushatës së tij, por tani kanë kaluar vite të tëra duke demonstruar se fjalët e ashpra kanë qenë vetëm pjesë e së kaluarës.

Rubio, që kandidoi për president kundër Trumpit më 2016, mund të ketë ende ambicie për Shtëpinë e Bardhë. Trumpi shpesh është hidhëruar me të zgjedhurit e tij që dukej se synonin qendrën e vëmendjes gjatë mandatit të parë.

Trumpi tashmë ka dhënë sinjale me përzgjedhjet e para, por presioni i qeverisjes do të dëshmojë nëse katër vjetët e dyta si president do të përfundojnë ndryshe prej të parave.