Administrata e presidentit amerikan Joe Biden ka thënë të martën se Izraeli ka bërë përparim, por të kufizuar në lejimin e ndihmave humanitare në Gaza dhe se nuk do t’ia limitojë transferimin e armëve, siç e ka kërcënuar një muaj më parë nëse situata nuk përmirësohej, raporton The Guardian.
Grupet e të drejtave thonë se kushtet janë më të këqijat që kur nisi lufta në tetor të vitit të shkuar.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Vedant Patel, u ka thënë gazetarëve se progresi i deritanishëm duhet të plotësohet dhe të mbahet, por se “në këtë kohë, nuk kemi bërë vlerësim se izraelitët e shkelin ligjin e SHBA”.
SHBA-ja kërkon që ekipet e ndihmës ushtarake t’i përmbahen të drejtës ndërkombëtare humanitare dhe të mos e pengojnë ofrimin e ndihmës.
“Ne nuk po i japim leje Izraelit”, ka thënë Pateli, duke shtuar se hapat që ka ndërmarrë Izraeli nuk kanë bërë ende ndryshim të mjaftueshëm dhe domethënës. “Ne duam ta shohim përmirësimin e tërësisë së situatës humanitare dhe mendojmë se disa nga këto hapa do t’i vendosin kushtet, që situata të vazhdojë të përparojë”.