Gjatë raundit të parë të votimit më 14 maj, aleanca e Erdoganit me partitë nacionaliste dhe islamike fitoi shumicën në Parlamentin prej 600 ulësesh. Kjo i jep atij një avantazh shtesë në raundin e dytë, thonë analistët, sepse shumë votues ka mundësi ta mbështesin atë për të shmangur një qeveri të copëtuar
(AP) - Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka qëndruar në pushtet për 20 vjet, duke kapërcyer në mënyrë të përsëritur krizat politike: protestat masive, akuzat për korrupsion, tentativën për grusht-shtet ushtarak dhe fluksin e madh të refugjatëve që iknin nga lufta civile në Siri.
Tani populli dhe ekonomia turke po goditen nga inflacioni i lartë dhe shumë janë ende duke u rikuperuar nga tërmeti shkatërrues i muajit shkurt, i përkeqësuar nga reagimi i ngadaltë i Qeverisë.
Megjithatë, Erdogani – populist me instinkte gjithnjë e më autoritare – hyn në balotazhin e zgjedhjeve të dielën si favorit i fortë kundër liderit të opozitës, Kemal Kilicdaroglu, pasi nuk arriti të fitonte në raundin e parë të votimit. Pra, edhe me një dorë të dobët, çfarë e shpjegon jetëgjatësinë dhe tërheqjen e tij të gjerë?
Erdogani, 69 vjeç, ka kultivuar besnikëri të thellë nga mbështetësit konservatorë dhe fetarë duke ngritur vlerat islame në një vend që është përcaktuar nga sekularizmi për gati një shekull.
Ai e ka forcuar kontrollin e tij mbi pushtetin duke përdorur burimet e qeverisë në avantazhin e tij politik - duke shpenzuar me bollëk në infrastrukturë për të kënaqur votuesit dhe duke kontrolluar rreptësisht median për të heshtur kritikat.
Dhe ai ka shtyrë shumë turq në anën e tij nga mënyra se si lundron në skenën botërore, duke treguar se vendi i tij ka një brez të pavarur - dhe mund të përkulë ushtrinë e tij - ndërsa angazhohet me Lindjen dhe Perëndimin.
Popullariteti i Erdoganit në një moment krize ekonomike duket gjithashtu se rrjedh vetëm nga fakti i qëndresës së tij; shumë njerëz duket se duan njëfarë stabiliteti, jo më shumë ndryshim, sipas intervistave me votuesit dhe analistët.
"Gjatë kohërave të krizave kombëtare si kjo, njerëzit zakonisht mblidhen rreth liderit", tha Gonul Tol, një analist në Institutin e Lindjes së Mesme në Washington. “Votuesit nuk kanë besim të mjaftueshëm në aftësinë e opozitës për të rregulluar gjërat”.
Tashmë udhëheqësi më jetëgjatë i Turqisë, Erdogani, do ta shtrinte sundimin e tij në një dekadë të tretë - deri në vitin 2028 - nëse do të siguronte shumicën e votave në balotazh.
Përballja me Kilicdaroglun
Ai mori 49.5% të votave në raundin e parë - katër për qind para Kilicdaroglut, socialdemokrat që ka udhëhequr partinë kryesore opozitare të vendit që nga viti 2010. Dhe të hënën Erdogani fitoi mbështetjen e kandidatit të ekstremit të djathtë, i cili përfundoi në vendin e tretë, duke i dhënë atij shtysë për të shkuar në balotazh.
Kilicdaroglu, ekonomist dhe ish-deputet i Parlamentit, është kandidati i përbashkët i aleancës së opozitës së përbërë prej gjashtë partive. Ai ka premtuar se do të zhbëjë politikat ekonomike të Erdoganit, për të cilat ekspertët thonë se kanë nxitur inflacionin dhe do të ndryshojë prirjet gjithnjë e më autoritare të Erdoganit, duke përfshirë goditjen e fjalës së lirë. Por fushata e tij ka hasur në rezistencë për të joshur mbështetësit e Erdoganit.
“Shikoni në çfarë stadi ka mbërritur vendi ynë në 20 vjetët e fundit. (Opozita) do të na kthente 50-60 vjet prapa”, tha Bekir Ozcelik, rojë sigurie në Ankara, i cili votoi për Erdoganin. “Nuk ka asnjë lider tjetër në botë që të përballet me Erdoganin”.
Ajo që Ozcelik dhe shumë mbështetës të tjerë shohin tek Erdogani, është një lider që ka treguar se Turqia mund të jetë një lojtar kryesor në gjeopolitikë.
Turqia është një anëtar kyç i NATO-s për shkak të vendndodhjes së saj strategjike në udhëkryqin e Evropës dhe Azisë, dhe ajo kontrollon ushtrinë e dytë më të madhe të aleancës. Nën sundimin e Erdoganit, Turqia është dëshmuar të jetë një aleat i domosdoshëm dhe, nganjëherë, i mundimshëm i NATO-s.
Ajo vuri veton ndaj hyrjes së Suedisë në NATO dhe bleu sisteme ruse të mbrojtjes raketore, duke bërë që Shtetet e Bashkuara të largonin Turqinë nga një projekt avioni luftarak i udhëhequr nga SHBA-ja. Megjithatë, së bashku me OKB-në, Turqia ndërmjetësoi një marrëveshje jetike që i ka lejuar Ukrainës të transportojë grurë përmes Detit të Zi në pjesë të botës që luftojnë me urinë.
Pas shpërthimit të luftës civile në Siri, në vitin 2011, Erdogani ngatërroi Turqinë duke mbështetur luftëtarët e opozitës që kërkonin të rrëzonin presidentin Bashar Assad. Luftimet shkaktuan një rritje të refugjatëve sirianë që Erdogani i ka përdorur si levë kundër kombeve evropiane, duke kërcënuar se do të hapë kufijtë e Turqisë dhe do t'i mbushë me emigrantë. Dhe Turqia tani kontrollon zona të mëdha të territorit në Sirinë veriore, pas një sërë sulmesh ushtarake që synojnë grupet kurde atje të lidhura me rebelët që Turqia i ka nxjerrë jashtë ligjit.
Fushata e brendshme
Erdogani është mburrur me sektorin ushtarako-industrial të Turqisë në fushatën e tij duke përmendur dronët, avionët dhe një anije luftarake të prodhuar në vend, të shpallur si "transportuesi i parë i dronëve" në botë - dhe mesazhi u duk se rezononte me votuesit më 14 maj, thonë analistët.
Në frontin e brendshëm, Erdogani ka ngritur profilin e islamit në një vend, rrënjët laike të të cilit janë rrënuar.
Ai ka frenuar fuqitë e ushtrisë dikur sekulariste dhe ka hequr rregullat që i ndalonin gratë konservatore të mbanin shami në shkolla dhe zyra qeveritare. Për të mbledhur më tej mbështetësit e tij konservatorë, Erdogani ka përçmuar Kilicdaroglun dhe opozitën se mbështesin ato që ai i quajti të drejtat "devijante" LGBTQ.
Kërcënimi më i madh me të cilin përballet Erdogani për momentin është ekonomia. Metoda e tij kryesore për të sulmuar fuqinë blerëse të zvogëluar të familjeve ka qenë lirimi nga shpenzimet qeveritare, të cilat – së bashku me uljen e normave të interesit – vetëm e përkeqësojnë inflacionin, sipas ekonomistëve.
Erdogani ka rritur pagat e sektorit publik, ka rritur pensionet dhe ka lejuar miliona njerëz të dalin në pension të parakohshëm. Ai gjithashtu ka ofruar subvencione për energjinë elektrike dhe gazin dhe ka fshirë disa borxhe familjare.
Ai ka premtuar gjithashtu se do të shpenzojë gjithçka që është e nevojshme për të rindërtuar zonat e mëdha të goditura nga tërmeti. Në çdo ceremoni themelimi që merr pjesë, Erdogani thotë se vetëm qeveria e tij mund të rindërtojë jetë pas katastrofës që rrafshoi qytetet dhe vrau më shumë se 50 mijë njerëz në Turqi.
Partia e Erdoganit fitoi 10 nga 11 provincat në rajonin e prekur nga tërmeti, një zonë që tradicionalisht e ka mbështetur atë – pavarësisht kritikave se reagimi fillestar i qeverisë së tij ndaj katastrofës ishte i ngadaltë.
Mustafa Ozturk, një mbështetës i Erdoganit në Ankara, tha se standardi i tij i jetesës ka rënë si rezultat i inflacionit. Por, siç e sheh ai, Turqia nuk është i vetmi vend që lufton me inflacionin që nga pandemia.
“Nuk është faji i Erdoganit”, tha ai. Ozturk tha se ai kurrë nuk do të votonte kundër Erdoganit, duke thënë se ndihej në “borxh” ndaj tij, pasi e solli islamin në ballë të shoqërisë.
Kontrolli i mediave
Mesazhi - dhe fuqia e Erdoganit - përforcohen nga kontrolli i tij i rreptë mbi mediat.
Transmetuesi shtetëror TRT Haber i kushtoi më shumë se 48 orë kohë transmetimi Erdoganit që nga 1 prilli, krahasuar me 32 minuta që i dha Kilicdaroglut, sipas Ilhan Tasci, anëtar i mbikëqyrësit të radios dhe televizionit të Turqisë.
Premtimi i Kilicdaroglut për të rimëkëmbur ekonominë dhe për të mbrojtur të drejtat e grave për të mbajtur shami në shkolla thjesht nuk pati jehonë në zemrën konservatore të vendit.
“Kilicdaroglu ndryshoi imazhin e partisë (opozitës), por Erdogani kontrollon narrativën, kështu që ekziston ai faktor frike” midis grave konservatore që mbajnë shami të stilit islamik, tha Tol. “Ata besojnë se nëse opozita vjen në pushtet, do të jetë më keq”.
Pasi partia pro-kurde e Turqisë mbështeti Kilicdaroglun, Erdogani e portretizoi opozitën si të mbështetur nga "terroristët" kurdë. Përpjekjet e opozitës për të hedhur poshtë këtë u transmetua rrallë nga mediat kryesore.
Erdogani “krijoi me përpikëri një vrapim për fitore që përfshinte mbështetjen në institucionet shtetërore, mbështetjen në kontrollin e informacionit dhe demonizimin e opozitës si terroristë ose (që kanë) besime të interpretuara si të pamjaftueshme myslimane”, tha Soner Cagaptay, ekspert për Turqinë në Institutin e Washingtonit dhe autor i librave të shumtë për Erdoganin.
“Mediat e kaluan debatin tek ajo se si Turqia është bërë një gjigant ushtarak industrial nën drejtimin e tij. Dhe funksionoi”, tha Cagaptay.
Gjatë raundit të parë të votimit më 14 maj, Turqia mbajti gjithashtu zgjedhje legjislative, në të cilat aleanca e Erdoganit me partitë nacionaliste dhe islamike fitoi shumicën në Parlamentin prej 600 ulësesh. Kjo i jep atij një avantazh shtesë në raundin e dytë, thonë analistët, sepse shumë votues ka të ngjarë ta mbështesin atë për të shmangur një qeveri të copëtuar.
"Parlamenti është në masë të madhe me ne", tha Erdogani javën e kaluar në një intervistë me CNN-Turk. "Nëse ka një administratë të qëndrueshme, do të ketë paqe dhe prosperitet në vend".
Përktheu: Forca Jashari