Në qytetin e rrethuar lindor Kharkivin, gjyshja e moshuar i kishte mbijetuar rrethimit të Leningradit në Luftën e Dytë Botërore. Tani është në mesin e civilëve që janë përballur me bombardimet ruse.
Alevtina Shernina, 91-vjeçarje, i mbijetoi rrethimit të tmerrshëm të Leningradit nga gjermanët, qytet tani i njohur si Shën Petersburg. Në këtë rrethim ishte vajzë e vogël.
Tani dergjet në shtrat shkaku i problemeve në zemër.
Nusja e nipit të saj, Natalia, thotë se para pushtimit rus, Alevtina mund të komunikonte. Tani nuk reagon.
Në fillim të javës, një raketë goditi oborrin e ndërtesës. Theu krejt xhamat e bllokut banesor.
“Dy ditë më parë po ushqeja gjyshen dhe hëngër mirë. Shkova në kuzhinë për të marrë çajin dhe kur e hapa derën nuk dija çfarë po ndodhte. Kishte zjarr në oborr dhe dritaret ishin të thyera”, deklaroi Natalia Shernina, kujdestare e Alevtinas.
Shernina u shpërngul në Kharkiv nga Rusia në vitin 1957 së bashku me bashkëshortin që shërbente në ushtri.
Që kur nisën bombardimet, bashkëshortja e nipit është përkujdesur për të. Thotë se dëshiron të largohet, por nuk mund ta lërë prapa Alevtinën e palëvizshme.
“Nuk mund të largohemi shkaku i saj, pasi nuk është në gjendje të lëvizë. Do të donim të largoheshim, por edhe bija ime është duke punuar si doktoreshë në spitalin e fëmijëve”, tha Shernina.
Qyteti i Kharkivit ka bërë të ditur se 282 banorë, përfshirë gjashtë fëmijë, janë vrarë që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës.