Botë

8 Marsi në botë - protesta kudo, në Berlin, nga ky vit, bëhet festë zyrtare dhe ditë pushimi

Miliona gjermanë këtë vit, për herë të parë, u janë bashkuar qytetarëve në më shumë se 20 shtete, kur Dita Ndërkombëtare e Gruas është festë zyrtare. 8 Marsi është festë zyrtare nga ky vit edhe në Berlin, pasi parlamenti i këtij qyteti e miratoi këtë në janar. Kjo datë tashmë është festë zyrtare në Rusi dhe Kubë, si dhe në disa pjesë të Evropës Lindore, Azinë Juglindore dhe Afrikë.

Sivjet ishte hera e parë që për shumicën e njerëzve në Berlin dhe në qytetet tjera gjermane, 8 Marsi është ditë pushimi, me qëllim që të festohet, raporton KTV.

Vendimi që të jetë festë zyrtare erdhi pasi 8 Marsi shihet si “luftë për barazi gjinore dhe për të drejtat e grave”, ka thënë kryetari i Berlinit, Michael Muller.

Ai ka theksuar se gratë përbëjnë 55 përqind të Senatit të Berlinit, por shton se numri i grave në Dhomën e Përfaqësuesve të Berlinit ka rënë së fundmi.

Muller shtoi se barazia në paga për punë të njëjtë ende nuk është arritur, duke shtuar se dallimi mes pagës së burrave me atë të grave është për 23 përqind. Problemet me pushimin e lehonisë dhe kujdesin për fëmijët, mbesin çështje tjera të pazgjidhura, sidomos për nënat beqare.

Ndërkaq, mijëra aktiviste kanë marshuar në Stamboll duke kërkuar lirimin e grave të burgosura në Siri. Të mbledhura në sheshin Sultanahmet, gratë i lidhën duart dhe i mbajtën lart si pjesë e protestës të quajtur “Britma e heshtur”. Kjo protestë ishte pjesë e kampanjës së organizuar nga “Fondacioni për Lehtësim Njerëzor”, me qëllim që të ngritet vetëtitja për gjendjen e vështirë të grave siriane nëpër burgje. Përkrahje grave siriane në burgje, u është dhënë edhe në shumë qytete të tjera.

Sipas organizatorëve, më shumë se 13 mijë e 500 gra janë dërguar nëpër burgje të Sirisë që prej shpërthimit të konfliktit, gati tetë vjet më parë. Më shumë se 7 mijë prej tyre ende torturohen dhe dhunohen. Qeveria e presidentit sirian, Bashar al Assad, ka mohuar akuzat për trajtim sistematik dhe akuzat për krime të luftës të kryera nga forcat përkrahëse të qeverisë dhe shërbimet e sigurimit.

Në Madrid, mijëra studentë i janë bashkuar marshit paqësor për Ditën e Gruas. Gazeta spanjolle “El Pais”, ka raportuar se studentët kanë braktisur sallat e ligjëratave dhe kanë ngjyrosur rrugët me ngjyrë vjollce, derisa të rinjtë dhe të rejat këndonin slogane feministe duke bërë thirrje për barazi gjinore.

Marshi kryesor është mbajtur në Madrid dhe marshe pritet të mbahen edhe në qytete tjera të Spanjës, në kohën kur pabarazia gjinore është bërë cak i ndasive politike para zgjedhjeve parlamentare të 28 prillit.

Partia ekstremiste e djathtë “Vox”, që sipas sondazheve për herë të parë do të fitojë ulëse në parlament, ka bërë thirrje për heqjen e ligjeve të tanishme të gjinore. Konservativët e “Partido Popular” nuk do të marrin pjesë në demonstratat e 8 Marsit, duke u arsyetuar se ato janë politizuar nga majtistët. Në anën tjetër, socialistët e kryeministrit Pedro Sanchez, barazinë gjinore e kanë bërë prioritet të qeverisë së tij nëntëmujore dhe kampanjës rizgjedhore.

Për dallim prej qyteteve tjera evropiane, Moska u është shmangur marsheve dhe thirrjeve feministe. Pas një dimri të gjatë, rusët kanë preferuar që të festojnë në vend se të bëjnë thirrje për barazi gjinore. Hapësirat publike nëpër Rusi ishin të mbushura me zbritje dhe urime të ndryshme. Shumë ceremoni dhe performanca kishin temë butësinë, ngrohtësinë dhe familjaritetin e gruas në një shoqëri kryesisht patriarkale. Në fjalimin e tij vjetor, presidenti rus Vladimir Putin, ka përmendur kontributin e gruas në zhvillimin e shoqërisë ruse gjatë historisë.

Ish-Bashkimi Sovjetik dikur lëvdohej si një prej shteteve të para që ka emancipuar gruan plotësisht pas Revolucionit Bolshevik të vitit 1917, edhe pse liderja e fundit ruse ishte Catharina e Madhe, që mbretëroi në shekullin e 18-të në Perandorinë ruse.

Përndryshe, protesta kishte edhe në shtetet fqinje. “Nuk duam lule, duam të drejta”, ishte një nga sloganet e marshit që u mbajt edhe në Shkup, në të cilin motoja kryesore ishte “A është i gëzuar 8 marsi?”

Protesta ka pasur në pothuajse secilin qytet të madh në botës. Dita Ndërkombëtare e Gruas daton që nga viti 1909, kur shënohej më 28 shkurt në SHBA, sipas OKB-së. Partia Socialiste e SHBA-së e dizajnoi pasi mijëra gra marshuan për kushte më të mira të punës dhe paga më të larta, në New York, në vitin 1908.